"Agjenti" i infiltruar i Saliut - Nga Ilir Levonja

Gjithë makineria e propagandës së lali Erit është kthyer karshi dy personave, “ish-kolegu” a prokurori që e ka arrestuar dhe Sali Berisha. Për të parin nuk ka lënë mangut asgjë, asnjë lloj epiteti banal pa përmendur, por edhe për të dytin, po ashtu. Megjithëse kanë më shumë se një dekadë që ua kanë rrënjosur shqiptarëve me shiringa se, nuk ka të dytë më gojë ndyrë se Sali Berisha, por realiteti po tregon të kundërtën. Si ky lali Eri dhe shefi i tij, bash ai që po e gatuan të gjithë këtë çorbë të prishur për shqiptarët, nuk kanë lënë gurë e kusur epitetesh, me bufë kenete, llumi, balta, plaku i rrjedhur etj., por prapë llumi është te Saliu. Nga goja e Saliut dhe kujtdo tjetër që ta thotë banalitetin, është llum e bordello, kurvëri e më the të thashë. Vetëm kur e thotë lali Eri apo Edi Rama, nuk është kështu banalitet, është ajkë qumështi.
Të gjitha po i pranojmë, por kur ka filluar të hedhë atë idenë se e paska arrestuar njeriu i Sigurimit të Shtetit, për më tepër i infiltruari i Sali Berishës, kjo është futja vetes. O budalla, bufi je ti dhe bën mirë ta kuptosh se ai që po ta fut nuk është Saliu, por Edi Rama. Nga ato zhele botimet rreth Enverit kanë dalë gjithfarësoj shije sadiste për shembull torturat e filmuara që i bëheshin Fiqrete Sanxhaktarit, gëdëpja në hetuesi regjistrohej dhe gjithçka e shihte Enveri në darkë bashkë me zonjën e vet aty në Bllokun tuaj të famshëm. Shija ishte sadiste. Përse? Për të kënaqur perversitetin me çuarjen në depresion të ish-kolegut, bashkëluftëtarit, bashkëkriminelit, në luftën makabre për fronin. Demaskoi tjetrit gruan, pastaj fëmijët derisa ta çmendësh me idenë e të vrarit të vetes dhe groposjen mafioze për t’i humbur nam e nishan.
Kjo taktikë e Bllokut po vepron përsosmërisht edhe aty me linçimin e familjes Meta, familjes së ish-zëvendëskryeministrit, edhe ky krah i djathtë, sa i treguan publikut se gjoja kishin gjetur vibratorë seksi në vilën e tij. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe me ty, o buf i Bllokut. Nuk e kuptove se u morën kaq ditë deri me të brendshmet e gruas tënde, duke përmendur firma, emra fustanesh? Janë të gjitha strategjitë e Enverit, ka mbledhur Byronë dhe të ka shitur për kokë turku. Pak nga pak do të denigrojnë publikisht të gjithë familjen, do ta çnderojnë dhe hiqe nga mendja se vipat, bibat apo bibejtë, çiljetat apo arditët, çibuktë apo peristerët që u ke dhënë miliona me gjoja projektet butaforike etj., do të shpëtojnë fytyrën tënde.
Kujto sot tragjedinë e Bllokut, të familjeve Shehu, Hazbiu, etj. Eshtë idiotizëm të merresh me intriga për agjentë të infiltruar nga Saliu. Beji një nder vetes, kthehu një orë e më parë në një të penduar shekullor. Por bëje papritmas se po dhe shenja, ta dish zor se do zgjohesh. Saliu tashmë është kthyer në një vërrë në ujë përballë shifrave katastrofike që po dalin. Dhe kjo jo falë drejtësisë shqiptare, por atyre përgjimeve të huaja dhe zyrave po të huaja në lidhje me data base-t e komunkimeve që keni pasur. Çmenduri vjedhjesh keni bërë dhe krejt budallakshe. Ai i SPAK-ut ia fut kot kur thotë, vjedhje apo krim inteligjent. Vetëm duke dhënë të drejtën absolute vetes karshi banalitetit dhe gjoja një të “keqe” dekadash si Saliu, i keni dhënë vetes një absolutizëm banal, bajat, hujdutllëku prej budallai.
Lërë bufllëkun me Saliun, nxito të shpëtosh veten dhe familjen. Se ato kamera që ke mbi kokë, i shikon ai, Enveri i Surrelit, ulet në sallon me ledin Makbeth dhe shikon versionin tënd në kafaz. Por edhe atyre të tjerëve para teje.
© Ilir Levonja