Opinione

Besëprerja me publikun - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Në kulturën shqiptare, fjala e dhënë, është zotim, është fjalë nderi, është besë. Dhe besa e burrit, pesha e gurit, thotë populli. Besa si një zotim moral lidhet me nderin. Është trashëgimi e një kodi moral, ligjesh e normash të pashkruara përcjellë ndër breza, që i ka dhënë shqiptarit jo vetëm identitet, por edhe peshë në sytë e të tjerëve. Në një vend ku shteti për shumë kohë ka munguar, besa ka qenë institucion i drejtësisë, i mbrojtjes, i fjalës së mbajtur. Ka qenë purteka e arit, e çmuar dhe e shenjtë. Ndaj kur kjo thyhet, veçanërisht në publik, trondit më shumë se një kontratë e prishur, sepse është vetë shtylla morale që pëson krisje. Të paktën teorikisht kështu besohet të jetë!

Në marrëdhëniet mes individëve, fjala e dhënë është një akt simbolik. Ajo krijon pritshmëri dhe hedh themelet e besimit. Në marrëdhënien me publikun, fjalëdhënia merr një dimension edhe më të gjerë, ajo nuk është më thjesht një formë komunikimi, por bëhet një angazhim moral, një kontratë midis një personi dhe komunitetit që e dëgjon, e ndjek dhe e beson. Është fjalë nderi, besëlidhje. Kur një figurë publike del dhe bën një premtim publik (jep fjalën e burrit, pse jo dhe të gruas) për ta shkelur më vonë, çarja që krijohet nuk ndikon vetëm në imazhin e tij personal, por në vetë marrëdhënien me qytetarët, të tashme dhe të ardhme (Rasti Lapaj-Shabani).

Fjala, në këtë kontekst është një valutë besimi që zhvlerësohet dhe gjithçka që është ndërtuar mbi të, fillon të shembet. Njerëzit që i besojnë një premtimi publik kërkojnë koherencë, pra, të bësh atë që thua. Kur kjo mungon, perceptimi i integritetit të individit zbehet, dhe publiku, ndonëse shpesh i duruar, nuk harron. Nuk harron sepse zhgënjimi është një përjetim emocional që lidhet me ndjesinë e tradhtisë.

Disa figura që i ofrohen ose imponohen publikut si publike, japin fjalën, premtojnë, nën ndikimin e emocioneve, për të krijuar një identitet moral, por mesa duket pa një angazhim të vërtetë për ta mbajtur. Të tjerë ndodhen në një konflikt të brendshëm midis parimeve të shpallura dhe tundimit për pushtet, ndikim apo vendimmarrje. Kjo krijon një tension të brendshëm që lind nga mospërputhja mes asaj që thonë dhe asaj që bëjnë. Për ta zbutur këtë tension, individi kërkon justifikime: rrethanat kanë ndryshuar, konteksti është tjetër, nevoja është më e madhe. Por publiku e njeh këtë gjuhë. E ka dëgjuar më parë. E ka dëgjuar nga shumë të tjerë që kanë ardhur me flamurin e ndershmërisë dhe janë tretur në të njëjtën çorbë kalkulimesh politike.

Këta edhe mund të mos e marrin seriozisht fjalën që japin se ashtu janë edukuar, dhe këtu nuk kam parasysh shkollimin. E shohin fjalëdhënien si mjet për të ndërtuar një imazh, për të fituar simpatinë e momentit, por jo si një zotim që duhet mbajtur me çdo kusht, duke shfaqur më në fund mungesë përgjegjësie. Dhe në marrëdhëniet publike, përgjegjësia është themel. Këta syresh nuk e mbajnë fjalën e dhënë edhe nën maskën e të qenit pragmatist apo fleksibël, që në thelb është mungesë karakteri, burracakëri ose gracakëri, sipas gjinive.

Por sigurisht, këta soje mund ta përjetojnë besën si një kufizim të lirive të tyre. Për ta, mbajtja e fjalës është e barasvlefshme me humbjen e kontrollit. Nëse i thonë dikujt publikisht “po”, dhe më pas ndihen të detyruar të qëndrojnë në atë pozicion, e përjetojnë këtë si robërim prej pritshmërive. Kjo i shtyn të thyejnë premtimin për të rifituar ndjesinë e kontrollit dhe të pavarësisë.

Dhe në fund fare shohim se në të gjitha rastet e besëprerjes me publikun nuk thyhet vetëm një marrëdhënie, thyhet ideja e përgjegjësisë publike. Dhe si rrjedhojë, një njeri besëprerë duhet të humbasë legjitimitetin moral për të përfaqësuar të tjerët. Të paktën kështu duhet të jetë!

© Jeta Dedja/Flasshqip.ca