Opinione

Fjalët: A nxisin dhunë apo sjellin paqe? - Nga Endrit Mullisi

Reflektim mbi sulmet, gjenocidin dhe përgjegjësinë tonë individuale

Kur mendoj për sulmin ndaj kishës mormone e më pas ndaj sinagogës, kryer nga njerëz të ndryshëm me ideologji të ndryshme, më duket e rëndësishme të reflektojmë se sa të rëndësishme janë fjalët që dëgjojmë, themi, përçojmë dhe përkrahin të tjerët. Fjalët dhe qëndrimet tona shpesh bëhen mbështetëse për veprime, qofshin ato të dhunshme ose jo.

Për shembull, vrasjet në shkolla ose sulmet në një kishë dënohen gjerësisht nga publiku. Por kur vriten njerëz të përkatësive të caktuara, si hebrenjtë, reagimi nuk është gjithmonë i njëjtë. Pas vrasjes së Charlie Kirk në USA së fundmi, apo sulmit në redaksinë e Charlie Hebdo, Francë, për karikaturat para shumë vitesh, pati njerëz që thanë “e meritonte”, sepse nuk pajtoheshin me çfarë përfaqësonin apo mënyrën se si shpreheshin. Po nëse një fanatik hyn në një sinagogë dhe vret apo lëndon hebrenj, a je ti i lumtur? A mendon se njerëzit e pafajshëm që jetojnë larg Izraelit duhen vrarë vetëm sepse janë hebrenj? Nëse po, atëherë ka diçka shumë të gabuar me ty. Vrasja nuk mund të jetë përgjigja që duhet të promovojmë, pavarësisht se sa e “arsyeshme” mund të na duket.

Kur dhuna ndodh, shpesh nuk e dimë gjithë historinë, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm për t’u shprehur në publik pro apo kundër. Për disa, fjalët fyese ndaj një grupi mbeten vetëm fjalë; për të tjerë, veçanërisht ata të radikalizuar ose me probleme mendore, ato fjalë mund të jenë udhëzim për t’u marrë fjalë për fjalë. Prandaj, kur je i zemëruar për vdekjet dhe vuajtjet që po ndodhin në Gaza, duhet të dish se reagimi yt ndaj një gabimi ka rëndësi të barabartë me gabimin vetë. Kushdo që kryen një krim duhet të konsiderohet përgjegjës; kush e nxit apo përkrah atë, është pjesërisht përgjegjës.

Nëse ti përkrah slogane diskriminuese e gjenocidale si “Palestina të jetë e lirë nga lumi në det”, ti po nënkupton që të gjithë hebrenjtë, ose të tjerë që nuk janë myslimanë, duhet të largohen nga ajo copë toke. Duke qenë se për shumicën e hebrenjve largimi nuk do të jetë vullnetar, kjo do të thotë gjenocid, zhdukje e tyre fizike. Një person që mendon kështu ka nevojë për kontroll mendor dhe shpirtëror.

Konventa e Gjenocidit e vitit 1948 përcakton qartë se gjenocid është çdo akt i kryer me qëllim të shkatërrojë pjesërisht ose plotësisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar. Kjo përfshin: vrasjen e pjesëtarëve të grupit; shkaktimin e dëmtimeve të rënda trupore ose mendore; imponimin e kushteve që synojnë shkatërrimin fizik të grupit; marrjen masave për të parandaluar lindjet brenda grupit dhe transferimin me forcë të fëmijëve të grupit te një grup tjetër.

Disa do të interpretojnë ngjarjet në Gaza si pjesë të një lufte midis një shteti dhe një organizate të armatosur, madje si luftë kundër një grupi terrorist që mbështetet nga një pjesë e popullsisë. Të tjerë do ta shohin ato si akte që kanë elemente gjenocidi. Unë do të ftoja lexuesit e mi të konsiderojnë faktin që nëse Izraeli do planifikonte dhe dëshironte të bënte të njëjtën gjë që Hamas apo Hezbollah duan të arrijnë, popullsia palestineze nuk do të lajmërohej kur do të goditej një objekt, por thjesht do ekzekutohej plotësisht. Pra nëse do konsiderojmë Izraelin që bën gjenocid, le ta analizojmë dhe le të marrë përgjegjësinë që duhet të marrë dhe të dënohet për atë gjë që nuk po e bën sipas ligjeve të luftës.

Ka shumë raste të tjera në botë kur vuajtjet dhe gjenocidet nuk kanë shkaktuar reagime të njëjta publike: Rohingyat në Myanmar (ku prej 2016 është raportuar vrasja masive dhe dëbimi i qindra mijëra njerëzve), ujgurët në Kinë (me raporte për internime, tortura dhe sterilizime të detyruara), apo vuajtjet e Jezidëve nën ISIS, dhe për këto ngjarje reagimet publike kanë qenë të ndryshme dhe shpesh të pamjaftueshme.

Hamasi, i zgjedhur lirisht apo forcërisht për të qeverisur në Gaza, është grup i deklaruar si organizatë terroriste dhe ka kryer akte që e bëjnë atë përgjegjës për vuajtjet e palestinezëve dhe hebrenjve. Është e habitshme se shumë prej atyre që janë kundër Izraelit nuk dënojnë edhe Hamasin; shumë dalin në mbrojtje të popullit palestinez por heshtin për veprimet e organizatave të armatosura që i dëmtojnë të njëjtët njerëz. Mediat shpesh fokusohen strategjikisht dhe formësojnë perceptimet; shumë njerëz marrin informacionin e tyre thjesht nga burime që përshtaten me bindjet e tyre, duke u bërë kështu përsëritës të propagandave.

Gjendemi në një kohë kur është e vështirë të gjesh lajme të paanshme. Por duhet të ushtrojmë zakonin e të kërkuarit të së vërtetës dhe të shmangim statusin e “papagallit” që përsërit pa menduar. Duhet të jemi të vetëdijshëm se fjalët tona ndikojnë dhe mund të kenë pasoja reale, pozitive ose negative, për grupe të vegjël ose të mëdhenj.

Lutemi që Princi i Paqes të na ndihmojë të sjellim paqe me fjalët tona!

© Endrit Mullisi - Toronto