Opinione

Shqipja - Dialekte dhe Standarde-Pj. 2

Nga: Arben Kallamata

Argumentet që përdoren edhe sot, për të mbajtur ndezur debatin për legjitimitetin e Shqipes Standarde, janë dy llojesh – politike dhe gjuhësore/kulturore.

Parësor është pa dyshim argumenti politik. Sipas tij përcaktimi i Toskërishtes si mbizotëruese u bë për t’i bërë qefin Enver Hoxhës. Mua kjo më duket pak e vështirë për t’u kapërdirë. Jo sepse shumë shqiptarë, duke përfshirë edhe gjuhëtarët në atë kohë nuk përpiqeshin t’i bënin qefin Enver Hoxhës. Por thjesht sepse Enver Hoxha fliste dialekt Gjirokastrit të theksuar, që ishte larg asaj që u miratua si Gjuhës Standarde. Të folurën e Hoxhës mund ta gjeje më kollaj te gjuha e Ramiz Alisë se sa te Shqipja Standarde. Ndoshta, për një verior, të gjithë dialektet e Jugut tingëllojnë pothuajse njëlloj. Por, le të vemë re: nëse përshkruajmë duke folur, një rrugëtim përgjatë gjithë vendit, nga veriu në jug dhe anasjelltas, fshat pas fshati, krahinë pas krahine, bindemi se diferencat janë pothuaj të papërfillshme! Askund nuk gjen dot vijë ndarje gjuhësore! Kjo, më duket se na shërben si provë e qartë se shqipja është një gjuhë e vetme, qartësisht e pasur, deri në atë shkallë sa pikërisht për shkak të kësaj larmishmërie, shfaqet si një ylber gjigand. Praktikisht, e folura e Gjirokastrës ka po aq dallim nga e Shqipja Standarde sa ç’mund të ketë e folura e Kukësit nga ajo e Shkodrës. Nëse Kongresi i Drejtshkrimit do të kishte pasur si synim kryesor t’iu servirte gjithë shqiptarëve të folurën e Enver Hoxhës, ne tani do të ishim të gjithë duke folur e shkruar gjirokastritçe.

Sidoqoftë duhet pranuar se animi nga Toskërishtja ka pasur një farë shtytjeje politike. Ose të paktën ishte pasqyrim i mbizotërimit të pjesës jugore në jetën politike, akademike dhe kulturore të vendit, në një periudhë kur pjesa veriore (veçanërisht Shkodra) ishin goditur më rëndë nga komunizmi.

Pavarësisht prapaskenave që mund të kenë ndikuar në përcaktimin e standardit, shqiptarët u bënë me një gjuhë zyrtare. Zyrat e shtetit filluan të komunikojnë me gjuhë të njësuar. Fëmijët e shkollave në klasën e parë në të gjithë territoret e banuar me shqiptarë filluan të mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë gjuhë të njësuar. Mjetet e medias dhe të komunikimit filluan të përdorin gjuhë të njësuar. Librat shkollorë dhe, më vonë, edhe ata artistikë, filluan të shkruhen me gjuhë të njësuar. Mua më duket se kjo nuk është e pakët, dhe pavarësisht nga motivet e përzgjedhjes, gjuha e njësuar ka luajtur një rol të shkëlqyer në njësimin e kombit.

Meqë jemi në planin politik, ia vlen të përmenden dy reagime politike që janë tepër të rëndësishme, pavarësisht se diametralisht të kundërta.

  • Nuk besoj të ketë pjesë tjetër të Shqipërisë ku njësimi i Gjuhës Standarde Shqipe të jetë pritur me më tepër armiqësi se sa në Shkodër. Djep i një kulture tepër të lashtë, krenarë për një ndihmesë të pazëvendësueshme në letërsinë dhe kulturën e vendit, përdorues të një dialekti qytetar të përpunuar dhe të sofistikuar, qendër e anti-komunizmit, Shkodra dhe shkodranët nuk kishin se si të mos e shihnin hapin e vënies së Toskërishtes në bazë të Gjuhës Zyrtare si një sulm të drejtpërdrejtë kundër tyre. Aq më tepër që ky hap kryhej krahas raprezaljeve të tjera ndaj kulturës dhe qytetërimit shkodran – shkatërrimit të kishës, nëpërkëmbjes së dinjitetit, mohimit të figurave të shquara, rrënimit ekonomik, dënimit të intelektualëve. Reagimi i tyre ishte i hapur dhe i vendosur. Shkodranët, më shumë se gegët e tjerë, nuk e pranuan Shqipen Zyrtare. Ky reagim ishte thjesht politik dhe ishte shenjë qëndrese ndaj komunizmit. Edhe sot e kësaj dite, shkodranët e kanë më të vështirë se kushdo tjetër të flasin Shqipen Standarde. Kjo ndodh sepse, me ndërgjegje apo jo, ata e konsiderojnë si një gjuhë jo të tyren, por jo për ndonjë arsye biologjike.
  • Gjithashtu politik, por me një drejtim të kundërt ishte reagimi i shqiptarëve të trevave të Kosovës. Ata panë te Shqipja e Njësuar një rast të përsosur për të deklaruar identitetin e tyre. Prej kohësh shovinizmi serb bënte përpjekje për të përhapur idenë e dallimit midis shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë. Madje edhe emërtimet e përdorura për t’iu drejtuar atyre janë të ndryshme. Kjo bëhet me qëllim. Është i njëjti qëllim që i bën shovinistët grekë të thonë se shqiptarët toskë janë të ndryshëm nga ata gegë. Dhe një nga argumentet që përdoret është dialekti i ndryshëm, duke pretenduar se dialekti flet për popullsi të ndryshme, dhe jo, siç është e vërteta historike dhe shkencore, që dialektet rrjedhin nga njerëz me origjinë të përbashkët të cilët, si rezultat i izolimit dhe jetesës në rrethana të ndryshme e kanë përdorur gjuhën në mënyra të ndryshme.

Shqiptarët e Kosovës e përqafuan Shqipen Standarde me një pasion të admirueshëm. Duke jetuar jashtë kufijve të vendit, për ta dallimet e brendshme politike në Shqipëri (komunistë - antikomunistë) nuk kishin nuk kishin më shumë rëndësi afatgjatë se sa dallimet etnike. Të kërcënuar nga asimilimi sllav, ata kërkonin mjete për të forcuar identitetin kombëtar shqiptar. Kjo shpjegon edhe popullaritetin që pati dhe vazhdon të ketë Shqipja Standarde edhe sot e kësaj dite në Kosovë. Për shqiptarët e Kosovës, të flasësh Shqipen Standarde ishte gati shenjë patriotizmi dhe atdhedashurie. Pak rëndësi kishte nëse kjo gjuhë ishte bazuar te dialekti verior apo jugor. Madje pak rëndësi kishte që për ata vetë, dialekti i Veriut do të ishte më i kapshëm dhe më i lehtë për t’u pranuar si Standard. Rëndësi kishte dhe ka që gjithë shqiptarët përdorin një gjuhë të përbashkët.

Argumentët e tjerë që përdoren për të sulmuar Shqipen Standarde janë gjuhësorë, dhe kulturorë. Sillen shembuj të pasurisë së fjalëve në Veri, dhe kjo ia vlen e duhet përshëndetur, por bëhen përpjekje për të argumentuar se dialektet e Jugut nuk e kanë një pasuri të tillë, gjë që më duket investim i pakuptueshëm. Nëse merr qëndrim përjashtues midis dy dialekteve, ky është nga ato lloj argumente që hapin debate pafund. Të gjithë dialektet janë të pasura dhe të afta të shprehin vetveten. Mbrojtja e njërit në kurriz të tjetrit nuk të çon kërkund. Është e vërtetë që gegërishtja ka pasuri të rralla leksikore, po aq sa është e vërtetë që shqipja e Jugut ka qënë në gjendje të shprehë shkëlqyeshëm vlera të mirëfillta letrare. E keqja ka qëndruar dhe qëndron pikërisht te pozicioni përjashtues. Siç e shpreha edhe më lart, prania e një Gjuhe Standarde nuk ka përse të përjashtojë dialektet. Përkundrazi, ato janë pjesë dhe pasuri e gjuhës shqipe.

Përjashtimi çohet pastaj më tej, në planin kulturor. Përmenden shkrimtarë dhe figura të shquara me prejardhje nga trevat e Veriut dhe bëhen përpjekje për t’ua kundërvënë ata shkrimtarëve me prejardhje nga trevat e Jugut. Kjo është vërtet e shëmtuar dhe e pafrytshme. Asnjë shkodran nuk ka të drejtë ta pretendojë Fishtën ose Mjedën si poetin e vet dhe t’ia mohojë atë vlonjatëve apo korçarëve. Kadareja nuk është shkrimtar gjirokastrit, ashtu si as Naimi nuk është poet frashërlli apo nga Stambolli, dhe as Fan Noli nuk i përket Ibrik Tepesë apo Bostonit. Të gjithë këta i përkasin Shqipërisë dhe Shqiptarëve kudo që janë, nga Preveza në Preshevë, madje, në kushtet moderne, nga Pekini në Vancouver.

Si përfundim dua të përsëris se Standardi i Shqipes as duhet t’i përjashtojë dhe as t’i mohojë dialektet. Përkundrazi, ai duhet të jetë një mjet njësimi, mjet bashkimi për kombin. Pavarësisht rrethanave në të cilat u vendos, ai ka luajtur dhe luan një rol që në përgjithësi është provuar se është pozitiv.

Të kërkosh ta zëvendësosh atë në këtë kohë është humbje e kotë energjish. Të vihemi në lëvizje për ta ndryshuar, përmirësuar, plotësuar, po. Por kjo nuk është mision vetëm i veriorëve. Mungesat janë të gjuhës shqipe, jo të banorëve të njerës apo tjetrës trevë. Për më tepër, përpjekja si revansh, mund të kthehet në një aventurë të rrezikshme dhe me pasoja. Argumentët politikë për ta kundërshtuar atë - urrejtja për komunizmin dhe komunistët – pothuajse nuk ekzistojnë më, së paku zyrtarisht. Argumenti politik për ta ruajtur gjuhën e njësuar – në kuadër të njësimit të kombit, vazhdon të jetë jo më pak i mprehtë se më parë. Sa për argumentat gjuhësorë - shqipja do të vazhdojë të mbetet pasuri për aq kohë sa të gjithë dialektet, pavarësisht nga Standardi, do të vazhdojnë t’i sjellin asaj vlera. Dhe këtu kam parasysh të gjitha dialektet, ato të Kosovës, të Shkodrës, të gjithë Veriut, por edhe dialektet e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.