Të zhytur në pellgun e komplekseve të inferioritetit
- Nga: Ardian Muhaj
Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të shprehur kompleksin e inferioritetit. Nganjëherë nuk ka nevojë as të shprehet sepse është i dukshëm qartë. Herë të tjera shprehet edhe pa e ditur, madje ka raste kur kompleksi i inferioritetit del në pah duke u përpjekur të dëshmojmë të kundërtën e tij, kompleksin e superioritetit. Nëse keni parë e dëgjuar njerëz që nuk denjojnë të shprehen për çështje aktuale por u thurin lavde epokave me emërtime të llojllojshme, mundësisht sa më të hershme para erës sonë, po e po, por edhe para erës së fqinjëve, atëherë jemi në mbretërinë e kompleksit të së tashmes së mjerë që synon të ç’kompleksohet me madhështinë e imagjinuar të dikurshme. Ky është lloji më i padëmshëm i shfaqjes së këtij kompleksi të vetes inferiore në të tashmen inferiore.
Ka shprehje më të dëmshme, agresive e destruktive të inferioritetit që marrin formë e përmbajtje konkrete, kundërvetvetore dhe kundërbashkëkohore. Nuk ka qenë e lehtë dhe as e menjëhershme futja e këtij kompleksi në shoqërinë shqiptare. Para një shekulli kjo konsiderohej punë e vështirë edhe nga akademitë fqinje të cilave pushteti politik u kishte besuar hapin e parë dhe më të rëndësishëm të pushtimit politik. Sa më shpejt të përhapej kompleksi i inferioritetit të shqiptarëve ndër shqiptarë aq më shpejt dhe aq më pa humbje mund të bëhej de-shqiptarizimi i Ballkanit. Përpara se të niste agresioni politik dhe ushtarak i shteteve fqinje që vetëm dekada kishin që ishin ngritur me mundime të mëdha, duke shkelur mbi eshtrat e miliona njerëzve të vrarë e masakruar, kishte nisur përpunimi i mënyrave dhe metodave më të mira se si popullsitë e shënjuara për t’u masakruar, të ndjenin epërsinë e agresorëve që qëndronin krenarisht mbi lartësitë e eshtrave të viktimave të tyre.
Shtypshkronjat flakë të reja shumëfishonin në gjuhët e fqinjëve dhe në ato europiane stereotipet dhe fyerjet e gjykuara më efikase për t’ua mveshur shqiptarëve. Gjithçka e keqe që mund t’i mveshej një populli apo një qënieje njerëzore ishte e mirëpritur dhe nxitej që t’u mvishej shqiptarëve. Deformimi i shqiptarit arrinte deri aty sa që edhe revistat shkencore gjeografike në Londër e Paris, i konsideronin këta shqiptarë të sapozbuluar nga propaganda ballkanike dhe tejadriatike, si populli më i panjohur në Europë edhe pse lashtësia nuk u mohohej. Të lashtë e të panjohur. Paradoks.
Për t’u theksuar është se lista e fyerjeve dhe stereotipeve nuk ka ndryshuar që prej shek. XIX. Thjesht është shpërndarë dhe ka kaluar nga akademitë e kryeqyteteve fqinje, fillimisht tek popujt fqinjë e tani gati dy shekuj më vonë, po përvetësohet shumë mirë e me ritme mjaft të shpejta edhe nga intelektualë shqiptarë. Këta nga ana e tyre, si shenjë që akoma ekzistojnë, ngazëllehen kur vërejnë se kompleksi i inferioritetit që mbartin në vetvete transmetohet edhe tek masa më të gjera, të cilat rrjetet sociale po i bëjnë edhe më të gjera. Kjo është edhe forma më e përhapur e kompleksit të inferioritetit dhe më e dëmshmja. Përmes këtij përvetësimi të stereotipeve të përbotshme, por që përhapësve të tyre u duken të përveçme, po e zhysim veten në pellgun e kompleksit të inferioritetit, bash në kohën kur edhe popujt afrikanë po dalin përditë e më tepër prej atij pellgu.
Aspekti tjetër dhe më i papërceptueshëm i zhytjes sonë në pellgun e kompleksit të inferioritet është se zhytja rrezikon të na mbysë. Në këtë pellg mbytet kushdo që nuk ka shpresë se del nga pellgu. Ne mbartim jo vetëm kompleksin e inferioritetit ndaj të huajve por edhe ndaj paraadhësve tanë. Stërgjyshat tonë para shek. XIX nuk vuanin nga këto komplekse inferioriteti. Nuk kishte kompleks inferioriteti që guxonte t’u ndalte rrugën për t’u bërë komandantë, gjeneralë, sadrazemë e pashallarë. Nuk ndjeheshin inferiorë as kur vendosnin rendin e qetësinë në Skocinë e largët, as kur shoqëronin një palë mbretin e Anglisë e një palë tjetër perandorin e Spanjës në përpjekje për të shtruar rebelët holandezë e belgë. Nuk ndjeheshin inferiorë as kur ndërmerrnin lundrime në Mesdhe e në Oqean, as kur shkruanin traktate filozofike e vepra historike, as kur bëheshin vetë aktorë e faktorë të historisë në krye të flotave e ushtrive më të mëdha të kohës, as kur administronin hapësira të pamata, as kur ua gjenin gjuhën e përbashkët popullsive me gjuhë të ndryshme, e as kur përpiqeshin me zemër që në krye të punëve, në krye të flotave, në krye të ushtrive, në krye të provincave anëkënd Mesdheut, të vendosnin bashkëatdhetarët e tyre. Jo për gjë, por sepse nuk i shihnin shqiptarët si inferiorë. Sot, ngaqë jemi të zhytur deri në fyt në kompleksin e inferioritetit, i nënçmojmë edhe stërgjyshat tanë të cilët i çmonin të gjithë.
Një kronist osman që ka shkruar në vitet 1590 na thotë se kur një “kryeministër është sllav është e sigurt se prestigji i funksionarëve që janë sllavë do të shtohet dita ditës përmes ngritjes në detyra më të larta. Mirëpo kur kryeministri është shqiptar, grupimi i tij bëhet fatlum sepse është e garantuar se ai do të ngrejë në detyra të larta njerëzit e tij të afërt, duke caktuar në pozita me rëndësi njerëzit nga qyteti dhe vendi i vet.”












