Opinione

Atdhetarizëm është ndreqja e imazhit-Nga Vangjush Saro

Shtyhet për në shtator vendimi për hapjen e negociatave me BE-në. Është publikuar pak kohë më parë indeksi i lirisë së mediave - Indeksi Botëror i Lirisë së Medias - sipas të cilit Shqipëria ka humbur shtatë pozicione. Kemi votimin me ¾, nga Parlamenti Hollandez, të një rezolute për vendosjen sërish të regjimit të vizave për Shqipërinë. Ka qarkulluar në medie një memo e Ministrisë së Jashtme të Kanadasë ku shkruhet (njëfarësoj) me një gjuhë dyshuese për Shqipërinë. Kalendari politik i vendit vazhdon të mbushet me protesta (deri të dhunshme) nga opozita dhe me abuzime të dukshme nga qeveria. Regjistrohen vjedhje alarmante, por edhe akte të veçanta dhune e banditizmi të shqiptarëve të ‘rrugës’. Kemi më në fund përpjekje të dëshpëruara për të mohuar kontributin e vendit në Luftën e Dytë Botërore…

Pa u zgjatur më tej e në episode të tjera, duket se jemi, sikundër herë pas here kemi qenë, në një ‘fushatë’ denigrimi ndaj vendit tonë; nga jashtë dhe nga brenda; nga dje dhe nga sot. Pavarësisht rrethanave në të cilat gjendemi e argumenteve që përdoren, pavarësisht cilësimeve të njërit apo tjetrit politikan a vëzhgues, i yni qoftë a i botës, mendoj se e kanë një gjysmë të drejte të na shohin me skepticizëm. Duke shprehur keqardhjen për imazhin e paqartë (e zbuta pak) të Shqipërisë, por edhe për interpretimin (pothuaj) ekstremist të zyrave a politikanëve të caktuar në disa vende, gjej rastin t’i kthehem edhe vetes, bashkëkombasve të mi gjithashtu. Është tjetër gjë çfarë bën bota, Evropa, Hollanda, Rusia, Serbia; po i marr si gjysmë të vërteta aktet e tyre, të konfirmuara ose jo. Në këtë realitet disi të trishtë, ne duhet të hapim sytë edhe për ‘pjesën’ tonë të fajit; si institucione dhe si qytetarë.

Unë mendoj se në gjendjen që jemi, duhet të kërkojmë mundësi për të rikuperuar pamjet dhe për të kuruar imazhin e vendit. E kemi marrë ca më të ‘përpjekur’ demokracinë… Shikoni se si përmbysen jetët e dekadave të shkuara, si përqeshet gjaku i të rënëve dhe djersa e atyre që rindërtuan dhe ndërtuan vendin, me to edhe arti, sportet, gjithçka; një prolektkult alla shqiptarçe. Shikoni se si kërleshen shqipfolësit me fjalët më të ndyra, në prapaskena të disa gazetave apo në rrjetet (me nder… të lira) ku gjithkush, gjithsesi, tregon fytyrën e vet, por sadopak edhe stadin ku gjendemi. (“I pasur bëhesh, elegant lind.” Balzak) Duke bërë këto, shumëkujt i duket sikur shpëton nga vreri që ka përbrenda, por ndërkaq, vazhdon mjerueshëm procesi i vrerderdhjes…

Basha. Rama. Partizanët. Ballistët. Serbët. Grekët. Poshtë ai e rroftë ky! Askush nga ne nuk merret me punët e veta; kanë dalë të gjithë në sheshin e ‘luftës’ e të demagogjisë. Të gjithë kundër të gjithëve, si askund. Politikën e madhe bëjmë të gjithë, në vend të ndreqjes së këtij imazhi. E ‘qajmë’ historinë, nga epoka e gurit, te ‘prishja’ me ndërkombëtarët (!) Gjuhën po ashtu. Artin. Jetët e të tjerëve. Të gjitha i dimë; vetëm qytetarisë nuk ia themi si duhet…  Ndoshta për disa argumente, flas me sinqeritet e modesti, duhet të verifikoj ndonjë gjë në veten time. Por nuk fshihem dot dhe as nuk dua të fshihem: Ma shpifin këto grindje të ulëta, këto lloqe Shqipërie a diaspore, këto përkëdhelira nacionaliste e provincialiste, këto mbrëmje gala me personazhe që na shtiren pa le ç’janë, por në fakt duan vetëm paratë e tyre, këto sforcime prej karagjozësh për t’u dukur patriotë… Ndoshta ngaqë vetë nuk jam një i tillë: ‘i angazhuar’, ‘patriot’, ‘shqiptaromadh’, ‘revolucionar’, s’di ç’tjetër jo. (“Jam gati që kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë.” Esenin)

Përpara shtirjeve gjithfarë, politikës së ‘madhe’ e ‘atdhetarizmit’ bërtitës, ka shumë gjëra të tjera për të bërë. Duhet përmirësuar dhe mbrojtur imazhi i vendit dhe kjo bëhet nga institucionet-që ua dimë ‘frymëzimin’-por them se bëhet, gjithashtu, edhe qytetarisht: Rrit fëmijë të mirë; edukoji dhe shkolloji ata; tregoju rrugën e nderit, nëse e di; bëj më të mirën në profesionin tënd; folë dhe shkruaj në mënyrë korrekte gjuhën amtare; vlerëso trashëgiminë, me drejtësi dhe pa emocione a fiksime; mos i fut hundët vend e pa vend në punët e historisë e të politikës; shprehu me votë, në zgjedhje a në referendume… I bën dot këto, në vend të klithmave e shtirjeve patriotike? (“Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve.” S. Xhonson)

Pauzë. Mund të dukem a të jem disi i ngurtë; por gjykojeni vetë: Jemi duke bërtitur gjithë kohës për komb e politikë e, ndërkaq, nuk dimë të bëjmë detyrën elementare, atë të të qenit qytetar. Po tallen me ne, ata brenda dhe ata jashtë, ata të djeshmit dhe ata të sotmit; po na kanosin me viza, me memo ku iu thuhet njerëzve të hapin sytë mirë kur të jenë në Shqipëri… Atëherë? Duhet të vazhdojmë të bërtasim për ‘virtyte’ e ‘madhështira’ që s’i kemi? Ç’më duhet ‘atdhetarizmi’ i shtirur e patetik, nëse për diversitetin më të parë (mendësinë ndryshe) shumëkush e fyen, e rreh, e vret gruan a vajzën, ndërsa duhet t’i adhurojë ato qenie! Ç’më duhet, me nder ‘patriotizmi’ i dikujt a shumëkujt, nëse aksh bir a nip iu merren me punë të pista, duke ia nxirë faqen dhe emrin Shqipërisë, kurse ‘patrioti’ i rrjeteve jo vetëm mbyll sytë dhe gëzon paratë e siguruara në mënyrë të dyshimtë, por bërtet edhe për atdhe e Shqipëri të madhe, për pellazgë e pellazgjishte, nga s’merr vesh fare!…  Ç’më duhet rrahja e gjoksit për atdheun e dikujt a shumëkujt, nëse aksh bijë a mbesë e tyre mbulohen kokë e këmbë me çarçaf apo, në rastin tjetër ekstrem, zbulojnë të gjitha hiret e tyre, gjer në episodet më intime! Ç’më duhet grinta politike, nëse atdhetari e shqiptaromadhi e flet dhe e shkruan gjuhën e vet shatra-patra dhe me atë (të përçudnuar gjuhë) shan e kërdis pareshtur të tjerët dhe të vetët e, ndërkaq, nuk di të dëgjojë qoftë edhe një herë të vetme!

Nuk them se të tjerët po shkëlqejnë në këto kohë të vështira e në këtë botë plot probleme. Natyrisht që jo. Por neve na duhet të shikojmë, më së pari e me doemos, hallin tonë, imazhin tonë. Dhe imazhi nuk përmirësohet me demagogji, me gënjeshtra, me luftë të paprerë për të shpëtuar kolltukun, pasurinë a pleqërinë e njërit e të tjetrit… Imazhi përmirësohet duke ikur nga politizimi i skajshëm dhe histeria e fiksuar. Ndryshimet ndodhin sipas parimeve dhe ligjeve që (ne të gjithë) i kemi kërkuar në ‘90-tën. Nëse ka një punë e një detyrë që sot thërret, është ajo për përmirësimin e imazhit të vendit. Të tjerat janë pokeri./Telegraf

 

Tagged under Vangjush Saro