Opinione

Teatri Kombëtar dhe abuzimi me “shumicën parlamentare” - Nga Arben Braçe

Dje Kryeministri deklaroi se vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar i takon shumicës. Çudi…!?

Shumicat edhe një shekull më parë, nuk e kanë patur kurrë këtë forcë, të paktën në vendet me pluralizëm. Se çfarë force pati “shumica” totalitare për 45-vjet besoj se nuk ka nevojë t’i referohemi…

Me qindra objekte kulti, kisha dhe xhami, një trashëgimi e gjallë, u prishën brenda një kohe të shkurtër dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për gjithë atë masakër.

Përkundrazi ne i shpërblyem pothuaj të gjithë autorët dhe projektuesit me poste të larta shtetërore, gjatë gjithë periudhës postkomuniste.

Kudo ku është shkatërruar një e tillë, sot do të ishte një vend pelegrinazhi, përpos atij shpirtëror, por edhe një vlerë materiale, sepse do të afroheshin me mijëra turistë, pelegrinë, studiues, kureshtarë, sikurse ndodh në kishat dhe objektet e trashëgimisë së europës dhe të botës.

Vlerat e trashëgimisë kulturore nuk i përkasin “shumicës” parlamentare, bile as shqiptarëve në tërësinë e tyre, sepse në qoftë se do të ishim më të saktë, në vend që ti shkatërrojmë, duhet të përpiqemi t’i restaurojmë dhe ti promovojmë si vlera të trashëgimisisë botërore.

Po të ishte për “shumicën”, Teatri Kombëtar, sot do të ishte kthyer në restorant apo palestër, a ku di çfarë, mjaft të kujtojmë se në çfarë u kthyen ato pak objekte kulti që nuk u prishën gjatë komunizmit.

Ne shqiptarët që vijmë nga shteti totalitar e dimë mirë se çfarë është shteti ligjor, drejtësia, “shumica parlamentare”, sepse jo më kot në të gjithë vendet e Lindjes gjatë kohës së ndryshimit askush nuk kërkonte; “Duam rend ligjor”, “Duam drejtësi”, por “Duam demokraci”, pra shtet të të drejtave të njeriut, ku të respektohen dhe të dëgjohen të gjithë grupet shoqërore.

Abuzimi me “shumicën parlamentare”, sot na ka çuar në një shtet që ka grumbulluar të gjithë pushtetet dhe po rrënon dhe pronat e fundit, objekte të trashëgimisë kulturore në emër gjoja të shumicës.

Politika tiranike, që nuk pyet për askënd, ka krijuara modelin e përuljes karshi më të fuqishmit dhe njeriun e ndershëm e ka kthyer në një eremit social, emigrant brenda vendit të vet.

Sot të gjithë kushtetutat europiane përmbajnë një konsensus themelor. Ato kanë konsensus detyrues, por njëkohësisht i vënë kufij edhe veprimit politik, pra nuk mjafton vetëm që të kesh shumicën dhe mund të bësh çfarë të duash.

Shumica nuk ka të drejtë të bëjë gjithçka, ajo s’ka të drejtë të bëjë asgjë çfarë pakica, mund ta konsideronte si “mohim qënësor”, sepse nga mohimi qënësor i një ekzistence tjetër, i grupeve shoqërore, i komunitetit të artistëve në rastin tonë, buron armiqësia e cila eleminohet vetëm me armë…!

Kështu që shmangia e një veprimi të tillë, duke abuzuar me shumicën, është detyrë e të gjithë kushtetutave demokratike dhe politikave që kanë minimunin demokratik.

Të abuzosh me “shumicën parlamentare” është një e vërtetë po aq banale, sikur fakti i deklarimit që oligarkia nuk ekziston dhe të paktën Kryeministri, nuk ka njohur deri më sot një të tillë…!?

Janë pa fund deklarimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi abuzimet me tenderat dhe pronat shtetërore si dhe PPP, pas të cilave ndodhet pothuaj përherë një oligark.