Opinione

Auron Tare ridënon viktimat e regjimit totalitar Hoxhist - Nga Elida Buçpapaj

Auron Tare ka një profil sportisti. Janë familje sportistësh, që shkojnë me trashëgimi, sikur mjekët, avokatët. Talenti i familjes Tare është sporti. Njëri nga dy vëllezërit e tij është Igli Tare. I ati, Isa Tare, rekordmen në “Hedhjen e Diskut”, që mbaroi studimet në Institutin “Vojo Kushi”, ka dhënë edukatën fizike në Shkollën e Bashkuar dhe Akademinë Ushtarake, pikërisht në shkollat ku mori edukatë Auron Tare. Auron Tare ishte basketbollist me Partizanin, jo hedhës disku si i jati, por shumë larg talentit të Agim Fagut, Zaçes, Mushit etj.

Është i datëlindjes 1968. Viti 1991-1992 e gjeti Auron Taren në moshën 23 vjeçare, në të njëjtën moshë kur Martin Camajt më 1948 do t’i duhej të arratisej nga Shqipëria për t’i shpëtuar represionit të egër të sistemit totalitarist komunist, që kishte nisur një fushatë terrori sidomos në Veri të Shqipërisë, ku ishte i përqëndruar kleri katolik.

Nuk e di se çfarë ka bërë në moshën 23 vjeçare Auron Tare. Portreti i tij gjatë këtyre 30 viteve i ngjan një lloj dandy, në kërkim të zbulimit të vetvetes. Nga infot që marr në rrjetin social, të cilat ai i ka publikuar vetë, del se nuk është as historian, as studiues i letërsisë, nuk është as arkeolog apo arkeolog i nënujit si i madhi Moikom Zeqo. Në Wikipedia në shqip del si drejtues i një shoqate në kërkimet dhe ekspeditat arkeologjike nënujore. Po sipas Wikipedia në shqip, prej 1994-2005 del të ketë qenë përfaqësues i Fondacionit Kulturor Butrinti i themeluar nga Lord Jacob Rothschild dhe Lord Sainsbery of Candover. Ndërsa në Wikipedia në anglisht, ndryshe nga ajo në shqip, shfaqet si historian, gazetar dhe “menaxher i trashëgimisë kulturore”.

Nuk e kuptoj fare këtë emërtesë që nuk gjendet tek biografia e tij në shqip. Kohët e fundit kam lexuar një shkrim të Profesor Moikom Zeqos që vinte alarmin se qyteti antik i Butrintin, një thesar i trashëgimisë kombëtare dhe botërore, kishte rënë në duar të një shoqate të huaj. Pronat e trashëgimisë kombëtare bien në duart e shoqatave të huaja!!! “Kur pashë rrënojat e Trojës”, shkruan Moikom Zeqo, “e kuptova se çfarë thesari është Butrinti”.

E bëra këtë parantezë, për të treguar se nga formimi, profili i Auron Tares lidhet kryesisht me sportin. Basketbollist mediokër. Ndërsa fotoja që ka vendosur në rrjetin social, të kujton ato të oficerëve anglo-amerikanë mbi kuaj gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët kur u vendos diktatura, regjimi brutal i Enver Hoxhës i dëboi nga Shqipëria, ndërsa ata shqiptarë që kishin punuar nëpër zyrat e misioneve britanike apo amerikane i burgosi dhe shumicën e tyre e pushkatoi dhe vrau.

Në CV e Auron Tares do të shtoja se ai ka qenë deputet i PS, zyrtar i lartë i emëruar nga PS deri vjet si Drejtori i Agjencisë së Bregdeteve, ndërsa i vëllai i tretë, Agroni, ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll 2014-2019, pastaj Drejtor i Portit të Durrësit dhe aktualisht Zv. Ministër i Jashtëm i Republikës. Siç shihet, familja Tare, ka fituar besimin e plotë të Edi Ramës, përfshi Igli Taren, drejtor sportiv i Lazio-s, që po ashtu është një PR i vërtetë i kryeministrit shqiptar në Itali.

Pra, nga e gjithë kjo sa thamë, unë nuk e di se ku mbaron zyrtari i lartë publik me angazhime politike dhe ku fillon njeriu me kërshëri investiguese si Auron Tare.

Angazhimet politike e komprometojnë kërshërinë e Auron Tares, që nuk është as shkencore, as profesioniste, por e një njeriu që duke shfrytëzuar politikën ka krijuar lidhje me të huaj. S’ka asgjë të keqe. Por këto lidhje, do të duhej ta bënin Auron Taren më tolerant ndaj kryefigurave të kulturës shqiptare në emigracion gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Auron Tares i ka ecur vaj, nuk ka vuajtur në komunizëm, përkundrazi. Por mosvuajtjet e tij gjatë sistemit totalitar nuk mund të eleminojnë vuajtjet e qindramijëra shqiptarëve. Mosvuajtjet e tij po ashtu nuk e lejojnë që Auron Tare të bëhet “portavoçe” i stilit të prokurorëve të diktaturës, për t’i gjykuar e dënuar rishtas me të njëjtat akuza që i kishte dënuar Martin Camajn dhe Ernest Koliqin regjimi genocidal i Enver Hoxhës.

Unë nuk e di që Auron Tare të ketë shprehur dikund kërshërinë për letërsinë shqipe. S’ka lidhje fare me letërsinë. Po të kish, do ta kuptonte se Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kushtuan jetën e tyre kulturës shqiptare, gjuhës shqipe dhe vepra e tyre është po aq madhore sa monumentet e kulturës. Sot është hapur një debat nëse Bylisi është grek apo ilir, ndërsa Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nuk lejojnë të krijohen dyshime të tilla, sepse vepra e tyre është gur themeltar në kulturën kombëtare.

Auron Tare, megjithëse thotë se është adhurues i Shvejkut, është profan nga letërsia. Nuk e di se gjuhë dhe letërsi do të thotë ekzistencë kombëtare, nuk e di se historia e kulturës është pjesë e historisë së kombit.

Unë mendoj se e gjithë kjo histori nuk është produkt kërshërie, pēr të marrë avionin me paratë e tij që të kërshërohet. Aq më tepër kur kërshëria e tij është e mbrapshtë, diabolike. E ka thënë Visar Zhiti, një tjetër monument i tragjizmit të njerëzve të kulturës shqiptare. Përse të hulumtohen viktimat, thotë Visari, dhe nuk hulumtohen xhelatët?

Përse Auron Tare nuk hulumton për ish-Oficerët e Sigurimit të Shtetit që kanë marrë shtetësi dhe azil politik në SHBA dhe Perëndim me dokumenta fallco si të persekutuar, sikur ai oficeri Edmond Caja, sot me pasaportë gjermane, që i masakronte në burg të vuajturit e ndërgjegjes?

Kjo temë është e gjatë dhe preston për thellim, por unë do të ndalem të vërtetoj se Auron Tare e nis me një gënjeshtër hulumtimin e tij. Kjo gënjeshtër qëndron në themel dhe e rrëzon ngrehinën e Tares.

Auron Tare tek Provokacja e Mustafa Nanos tha se e nisi këtë hulumtim për qejf, duke marrë e zbritur avione, shko nga njëri Arkiv tek tjetri, shko nëpër Arkiva të botës dhe zbulo fakte që hedhin baltë për korifej të kulturës kombëtare shqiptare. Hulumtimi i tij është cinik, brutal, pa pikë humanizmi, paçka se ky lloj zotërie është pjesëtar i disa dhjetëra shoqatave humaniste!

Tek Provokacja, Auron Tare, me kollare, me lap top dhe pa kalë gënjen kur thotë se “është përpjekur të mos gjykojë njeri”, sepse kur Mustafa Nano i thotë se, nëse Koliqi nuk do të largohej nga Shqipëria, regjimi Hoxhist do ta pushkatonte, Auron Tare kërcen si plesht dhe përgjigjet: “Po Koliqi ishte Ministër fashist”, pra e justifikon aktin makabër nga regjimi totalitarist, duke shtuar pastaj gjepura të tilla se “Franca pushkatoi mijëra fashistë!” Po të isha unë në vend të Nanons, do të pyesja: “Përse nuk e burgosën apo pushkatuan italianët apo amerikanët Koliqin, por përkundrazi e bënë agjentin e tyre? Për faktin e ditur se Ernest Koliqi nuk kishte kryer krime. Jo vetëm kaq, por gjatë periudhës të pushtimit kolaboracionistët kanë shpëtuar qindra e qindra jetë hebrejsh, i vetmi vend në Europë.

Megjithatë, Primo Shllaku thotë me të drejtë, hapini Arkivat! Të hapen arkivat që të hulumtohet historia por jo të rivriten martirët e kulturës që iu kundërvunë sistemit totalitarist! Të dy, si Koliqi ashtu dhe Camaj u identifikuan në Perëndim me kulturën shqiptare, Koliqi hapi Katedrën e Gjuhes Shqipe në Romë, që u kthye në Institut të Studimeve Shqiptare ndërsa Camaj krijoi qendër të Albanalogjisë në Münich. Plus që vepra e tyre letrare është kontribut në fondin e kulturës kombëtare sepse që të dy nuk iu nënshtruan socrealizmit. Nuk iu bindēn diktatures së regjimit dhe as letērsisē që imponoi ajo. Ernest Koliqi është një nga themeluesit e tregimit modern, ndërsa “Rrathë” i Camajt i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe.

Po ashtu Mustafa Nano duhej t’i thosh Auron Tares, se ndërsa korifejtë e kulturës ishin spiunë të agjencive të zbulimit Perëndimor, familjet e tyre në Shqipëri masakroheshin nga regjimi enverist. Një vëlla i Martin Camajt u dergj 30 vjet në burgjet komuniste, po ashtu edhe Mikel Koliqi, i pari kardinal shqiptar, vëllai i madh i Ernest Koliqit, kaloi 42 vite të jetës nëpër burgje dhe internimet komuniste.

Auron Tare është tendencioz, sikur Pëllumb Xhufi kur u mor me Kampin e Tepelenës ku humbën jetën 400 fëmijë të pafajshëm, të cilin nuk pranonte kurrsesi ta quante Auschwitz shqiptar, deri kur Lek Pervizi, një tjetër Monument i gjallë, nga ata që rrnojnë për me tregue, solli vizatimet reale që, po t’i shihje, të kujtonin pikërisht kapanonet e kampeve të përqendrimit nazist.

Auron Tare, gënjen, kur thotë se gjithçka e nisi për turizëm qejfi dhe kërshërie, sepse që në hapjen e pseudoinvestigimit shkruan me dorën e tij: “Tre vite të shkuara, dy Ministrat e Kulturës, ai i Kosovës dhe ajo e Shqipërisë organizuan një Konferencë për shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Nuk e di qëllimin e vërtetë të kësaj Konference, por nga ato që lexova, m’u krijua përshtypja se dy Ministrat promovuan Camajn dhe Koliqin, si dy kalorës të mohuar të letrave shqiptare. Dy kalorës që mbi veten vunë gjithmonë atdheun dhe letërsinë por që fatkeqësisht Atdheu nuk i kuptoi kurrë. E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.”

E shihni pra se si për fushë, me scripta manent, Auron Tare që shtiret se nuk bën gjykime dhe gjykatësin pa e patur idenë nga letërsia, duke qenë zero në fushën e kulturës letrare “akuzon” Ministrat e Kulturës se kanë promovuar “mite të rrema”. Pra Auron Tare me stilin e ish-oficerëve të sigurimit e sjell këtë “investigim” për t’i shembur këto Mite si Teatrin Kombëtar, por nuk mundet sepse ata i kthyen në Mite vepra letrare dhe veprimtaria jetësore.

Shfaqja cinike e Auron Tares ishte fund e krye një provokim. I një njeriu të veshur me kostum privat, sikur e pohoi vetë, ndërsa de jure është edhe një zyrtar i lartë politik i PS, çka bie ndesh si me integritetin ashtu dhe pavarësinë e shkencëtarit, të cilit për të shpërndarë helmin ndaj korifejve të kulturës në periudhën e diktaturës, si me shkop magjik i hapen dyert e televizioneve.

Kë donte të provokonte Auron Tare, tamam-tamam?

Të vdekurit? Jo?

Është cinik dhe burracak pasi as Martin Camaj edhe Ernest Koliqi nuk i kthejnë dot përgjigje!

Auron Tare provokon të gjallët.

Të gjallëve u bëj një lutje që të mos bien kurrë në rrjetën e një profani si Auron Tare që lexon Shvejkun, por nuk e ka as zgjuarsinë e personazhit të Hashekut dhe as dokumentat për t’i rikthyer në armiq të Shqipërisë ata të cilët i kishte shpallur armiq sistemi totalitar i Enver Hoxhës./VOAL