Opinione

Pushtetomania si reminishencë totalitare - Nga Ndue Dedaj

Udhëheqësit shqiptarë të tranzicionit vetëm një gjë nuk e mendojnë asnjëherë: si do të jetë dita kur do të bien nga pushteti? Për ta ka strategji politike, taktika elektorale, marifete për t’u ngjitur, por jo dhe një “ashensor” për t’u ulur. Për të kapur pushtetin është përdorur prej tyre çdo mjet i ligjshëm e i paligjshëm, kulisat, pazaret, paratë e pista, krimi politik elektoral, ngaqë atje është kazani, tepsia, timoni… sado e hidhur të duket kjo.

Kryeministri Rama ka shpallur ambicien për një mandat të tretë qeverisës, ndërkohë që dikur ka bërë fjalë për një jetë të tretë të tijën pa politikën. Deri tani kemi parë se si ai ka ditur të hipë në pushtet, por jo dhe se si mund të zbresë prej tij. Pasi bëri tri mandate në krye të Bashkisë së Tiranës, kërkoi dhe një të katërt. Lideri i së majtës nuk e ka për zakon të votohet në partinë e tij, me argumentin se ai është më i votuari, përderisa është në krye të maxhorancës.

Vetëm me një fjalë goje të premten e kaluar ia zgjati dhe për një vit mandatin kryesisë dhe sekretariatit të PS-së. Nëse zoti Rama zgjidhet sërish Kryeministër në prill të vitit të ardhshëm, i bie që të jetë në pushtet deri në vitin 2025, pse jo duke u bërë gati për të kërkuar një mandat të katërt!?…

Presidenti Meta është i vetmi nga udhëheqësit e tranzicionit që në njëzet vite i ka konsumuar të tri postet më të larta të shtetit, përfshi dhe Kryeministër e Kryetar i Kuvendit dhe prapë është aktiv në politikë si ditën e parë, i gatshëm për të vijuar sërish në pushtet. Sipas jo pak analistëve, zotëria e tij, me opozitarizmin e tij presidencial ndaj qeverisë, jo vetëm i ka hyrë në hak kryetares së LSI-së, Kryemadhi, po sikur konkuron (pa dashje) dhe vetë kryeopozitarin Basha.

Doemos njeriu më i fortë në politikën e tranzicionit është Berisha, i quajtur dhe lideri historik i PD-së, në një marrëdhënie herë-herë dramatike me pushtetin, i betuar dy herë si President dhe dy herë si Kryeministër, me ndikim dhe sot në PD, duke i bërë disi hije kryetarit aktual. Aty, në kupolën e politikës e pushtetit, ka qenë gjithnjë faktor njeriu i fortë i së majtës tradicionale, Kryetari i Kuvendit, Ruçi, ani se vjen nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës, si për të na thënë se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë vend këto tridhjetë vjet dhe se “yjet” në spaletat e vjetra të shërbimit të fshehtë ende nuk janë shuar.

Nga udhëheqësit e lartë vetëm ish-Kryeministri Fatos Nano, i quajtur lideri historik i së majtës së reformuar, është larguar vetë pas një karriere politike 15-vjeçare, kurse të tjerë njerëz të pushtetshëm të tranzicionit janë larguar me pahir nga politika, nga lidershipi i saj, si Jozefina Topalli, ish-Kryetare e Kuvendit etj.

Ka jo vetëm drejtues të niveleve të larta, por dhe kryetarë bashkish që janë në atë post prej pesë mandatesh. Ashtu siç kemi një rokadë të vazhdueshme njerëzish me pushtet, që herë bëhen deputetë e herë kryetarë bashkie. Nuk është aspak e habitshme kjo mbijetesë e udhëheqësve të tranzicionit, këtu, në Kosovë, po dhe rajon.

Ikin presidentët e Amerikës pas dy mandatesh, ikin liderët europianë sipas rregullave të lojës që luhen në botën demokratike, por jo udhëheqësit shqiptarë të betonuar në pushtet. Ama, ata nuk janë të vetmit të tillë në Europë e rreth e qark, i kanë disa modele në botën e Lindjes, si Putin, Erdogan e gjer Gjukanoviç në Malin e Zi, prej njëçerekshekulli në pushtet. Këto i dinë të gjithë, por askush nuk reagon qytetarisht, si të jetë një gjë normale që udhëheqësit të vazhdojnë të qeverisin deri në fund të jetës, a thua se kjo është për ta një “tapi” prej vetë Zotit.

Byroja Politike e djeshme nuk kishte brirë, prej saj mund të të shkulte vetëm kreu i saj me akuzën si komplotist. Kurse tani byroja e re politike është laramane, shumëpartiake. Si është e mundur, që një dorë shtetarësh t’i njohin vetes të drejtën të firmosin për tridhjetë vjet projektet e zhvillimit të këtij vendi, ku jo rastësisht ka aq shumë ikje të njerëzve jashtë. Populli ikën andej kufirit, kurse udhëheqësit rrinë këtu dhe majmen mbi të mirat publike.

Dy janë shkaqet që ky vend nuk i “zbon” udhëheqësit e tij të kalcifikuar në llogoret e pushtetit. Së pari, sindroma e udhëheqësve të përjetshëm ende nuk ka kaluar; së dyti, në kushtet e një qeverisjeje që nuk favorizon progresin ekonomik dhe iniciativën e lirë, shumë individë janë lidhur me pushtetin për përfitime që do të thotë se ka një korruptim dhe të votuesve. Pushteti ende është pronar i punësimit, tenderave, koncesioneve etj.

Prandaj njerëz aspak të majtë për nga bindjet janë shkrirë me të majtën në pushtet, ashtu si dje individë aspak të djathtë kanë flirtuar me pushtetin e doktorit. Pa bërë fjalë për një kategori pragmatiste që kolovitet sa majtas-djathtas pas pushtetit të aferave, tarafeve, sekserëve.

Po qe fjala për të “prodhuar” pushtet, disa pushtetarë nuk të falin, e flakin mantelin e zyrtarit të shtetit dhe veshin atë të partiakut, duke i ashpërsuar tonet me kundërshtarët politikë. Mjafton të vini re se si kryebashkiaku kryeqytetit, Veliaj, ka nisur të bëjë politikë elektorale.

Thuajse askush nga ministrat apo deputetët e Partisë Socialiste nuk flet për mangësi, mosrealizime apo dështime në sektorë të ndryshëm, por vetëm për arritje spektakolare gjatë qeverisjes së tyre këto shtatë vjet. Natyrisht, gjithmonë ka se ç’të thuhet pozitivisht gjatë një qeverisjeje, edhe këtë herë: një arsim hap pas hapi më i reformuar e më i pakorruptuar, një tjetër pamje urbane e qendrave të banuara në të gjithë vendin, koncesione të mirëpritura si Rruga e Arbrit, hapa të admirueshëm të turizmit të detit e deri diku dhe atij malor etj., por Republika, ndërkohë, lëngon nga krimi i organizuar, droga, vrasjet për motive nga më të ndryshmet, trafiqet, korrupsioni, duke marrë peng qytete djepe të qytetërimit dhe kulturës shqiptare, si Elbasani, Shkodra, Durrësi etj.

Kronika e lajmeve është përditë tronditëse, që të bën të mbash frymën. Kjo situatë jo vetëm që nuk lë vend për eufori elektorale, përkundrazi, kërkon ndryshim rrënjësor të paradigmave zgjedhore, si nga pozita, ashtu dhe nga opozita. Ka shumë probleme që kërkojnë një strategji kombëtare, si mbrojtja dhe miradministrimi i burimeve natyrore, ujore, minerare etj., që kanë të bëjnë me pasurimin e shqiptarëve.

Nëse bosët e lidhur me pushtetin, oligarkët, kanë përlarë minierat dhe lumenjtë për hidrocentrale pa fund, njerëzit pa pushtet u janë sulur ngastrave të kanabisit, që nuk prodhojnë “bereqet” për ta. Të thuash në Shqipëri, apo vendet e rajonit, se në pushtet vihet vetëm për të shërbyer dhe jo për të përfituar, askush nuk e beson. Mjafton të dëgjosh liderët tanë të pushtetshëm si i drejtohen njëri-tjetrit me një fjalor rrugaçëror, ku fjalët “hajdut”, “palaço” etj. janë zhargoni i ditës.

Votuesit të thjeshtë s’i mbetet tjetër veç t’i besojë në këtë rast burrat e shtetit të vet, pasi ata ia dinë zullumet njëri-tjetrit më mirë se askush, vjedhjet nën petkun shtetëror, ku deri tani drejtësia, në proces vettingu dhe reformimi, ende nuk ka trokitur. Në një klimë elektorale të mbarsur me akuza për abuzim me pushtetin, problematika socialekonomike dhe “stuhi” politike, opozita, por dhe qytetarët e paangazhuar politikisht, shohin rotacionin e pushtetit si zgjidhjen më të mirë, pasi shmang autokracinë dhe arrogancën e pushtetarëve.

Në politikë ka nevojë si për pjesëmarrje dhe konkurrim të vazhdueshëm të individëve kontribuues, ashtu dhe për tërheqje në kohën e duhur. Kjo do të ishte normalja, kurse pushtetomania dhe kacafytja për pushtet e të njejtëve, siç ndodh në Shqipëri për vite e vite, është një sindromë që çrregullon shoqërinë dhe shtetin, shoqëruar herë pas here me kriza politike./Panorama.al