Opinione

Mbrojtja në Hagë dhe dy alternativat e brëndshme pas arrestimeve në Kosovë - Nga Lisen Bashkurti

Lisen Bashkurti

Arrestimet e ditëve të fundit në Kosovë nuk kanë qënë të panjohura dhe për pasojë të papritura. Dorëheqja e ish-presidentit Thaçi, drejtuesit të PDK, Kadri Veselit, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit dhe kryetarit të Grupit parlamentar të VV, Rexhep Selimit, në një farë mënyre janë ngjarje të paralajmëruara prej kohësh. Së paku, prej vitit 2000, ish-prokurorja e Hagës, Karla del Ponte, e një vit më pas, prokurori i Zvicrës, Dik Marti, bënë publike akuzat kundër eksponentëve të lartë të UÇK.

Në vitin 2015, Bashkimi Evropian dhe SHBA rritën presionin për krijimin e dhomave speciale, respektivisht të prokurorisë dhe gjykatës speciale për Kosovën. Mbas shumë debateve, hezitimeve, qëndrimeve pro dhe kundra, Kuvendi i Kosovës, në 2015 bëri amendamente kushtetuese dhe më pas u miratua ligji dhe statuti i krijimit dhe funksionimit të dy dhomave speciale për Kosovën. Mbas pesë vitesh investigime, në Qershor 2020, dhoma speciale e prokurorit bëri publike akt-akuzën kundër z. Thaçi. Në Nëntor po të këtij viti, akt-akuza e prokurorit special u konfirmua nga gjykatësi special. Pas këtij konfirmimi, ish-presidenti Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt të luftës dhe të punës, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u arrestuan dhe u nisën për në Hagë.

Kështu, Kosova është futur në një situatë krize që ka dy dimensione: së pari, është krizë që ka të bëjë me drejtësinë, ballafaqimin me akuzat dhe me ligjin, pra një proces hetimi dhe gjyqësor dhe së dyti, është krizë politike dhe institucionale, që duhet adresuar me qetësi, maturi dhe përgjegjësi të lartë. Të dy krizat janë të ndërlidhura dhe me ndikime ndërmjet tyre. Ndonëse ballafaqimi me drejtësinë është proces juridik i pavarur, sërish, konseguencat e tij do jenë edhe politike e shtetërore për Kosovën e fatin e saj.

Akt-akuzat dhe arrestimet një grupi relativisht të madh eksponentësh në nivele të larta që kanë përfaqësuar për shumë vite shtetin e Kosovës, pa pikë dyshimi krijojnë probleme të mëdha brënda dhe jashtë Kosovës, lënë pas një vakum në lidershipin e vëndit dhe trondisin imazhin dhe reputacionin ndërkombëtar të saj. Kjo situatë lypet të përballohet në dy dimensionet e saj: në aspektin gjyqësor dhe në aspektin politik e shtetëror.        

Të zbardhet e vërteta për individët, të mbrohet UÇK     

Askush nuk mund të zhbëjë tanimë ekzistencën e dhomave speciale dhe veprimtarinë e tyre për Kosovën. Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës i kanë bërë ato legjitime. Dy dhomat janë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, por që kanë trupë prokuroriale, gjyqësorë të huaj, kanë qendrën në Hagë dhe dëshmitarët e lidhur me proceset e tyre do të gëzojnë mbrojtje të veçantë jashtë Kosove.

Tani që procesi ka nisur gjerësisht, nuk është koha as për mburrje historiko-patriotike, për qarje dhe ankime dhe as për zhurmë propogandistike të brëndshme, as për protesta e manifestime të çfarëdo lloji. Kosova është përballë një procesi që e ka pranuar me vullnetin e vet. Tani ky proces kërkon përballje. E përballja ka nevojë për mbrojtje të fuqishme, të dinjitetshme dhe profesionale.

Mbrojtja nuk i duhet lënë rastësisë dhe as vetëm individëve të veçantë. Duke qenë një rast që lidh pashqitshëm individë me historinë e Kosovës, UÇK dhe luftën e saj është e domosdoshme që të krijohet një studio e kompletuar mbrojtjeje me avokatë vëndas dhe të huaj, ekspertë të së drejtës penale të Kosovës dhe asaj ndërkombëtare. Krijimi, mbështeja dhe financimi i mbrojtjes lypet të mendohet mirë dhe me kujdes. Procesi do jetë relativisht i komplikuar dhe i gjatë.

Në akt-akuzën e publikuar ditën e e arrestimit të ish-zyrtarëve të lartë të Kosovës ka parashtrime të shumta, të komplikuara, kontraverse, por edhe shumë të rënda. Diku në mes rreshtave akt-akuza e quan grupin e arrestuar si ‘Joint Criminal Enterprise”, pra një “Sipërmarrje Kriminale të Përbashkët’ ose një ‘Grup të Strukuruar Kriminal’, një formulim akuze që hedh dyshime të rënda mbi një grup të madh drejtuesish të UÇK dhe më pas të udhëheqjes së Kosovës.

Përmenda këtë pjesë nga akt-akuza publike për të bërë me dije se kemi të bëjmë me një proces ku eshte bërë mpleksje e akuzave individuale me akuzë në grup, çka e rëndon shumë më tepër këtë proces, duke implikuar udheheqjen e UÇK, politikat, qëndrimet dhe vendimet e saj si organizatë. Prandaj, mbrojtja është përballë një sfide të konsiderueshme për të hedhur dritë mbi të vërtetën dhe për të mbrojtur përballë gjykatës individët dhe UÇK, e historinë e saj të lavdishme njëkohësisht.

 Jo instrumentalizim politik, por zgjidhje e krizës              

Në Nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës, paragrafi 1 thuhet: “Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”. Në paragrafin 2 thuhet: “Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta… Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës” dhe në paragrafin 3 thuhet që “Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”.

Sikundër shihet Kushtetuta e Kosovës nuk ka parashikuar posaçërisht dorëheqjen e presidentit të Kosovës specifikisht. Por, kjo mangësi, nuk e pengoi Kosovën në rastin e dorëheqjes së z. Thaci dhe arrestimit dhe dergimit të tij në Hagë, për të ngarkuar në ushtrimin e detyrës së Presidentit të Kosovës për 6 muaj, Kryetaren e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani.

Brenda 6 muajve Kosova është përballë dy alternativave: ose të arrijë një kompromis politik dhe institucional të gjërë dhe gjithëpërfshirës, ose të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Të dy këto alternativa kanë avantazhet dhe dizavantazhet e tyre. Alternativa e parë, pra kompromisi i gjërë politik dhe institucional ka avantazh sepse do të mund të sigurontë një stabilitet dhe qëndrueshmëri politike, institucionale dhe shoqërore në Kosovë, duke shmangur vakumet, tensionet, polarizimet dhe instrumentalizimet politike për proceset e Hagës. Dizavantazhi është se ky kompromis do të dobësonte pluralizmin politik, debatin dhe në një farë mënyre edhe legjitimitetin e inastitucioneve qeverisëse në vënd.

Alternativa e dytë, pra që lidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme brënda 6 muajve të ardhshëm do kishte avantazh se do të sillte një ri-legjitimim të institucioneve qeverisë të Kosovës në të gjitha institucionet e saj, në Kuvend, Presidencë dhe Qeveri. Zgjedhjet legjitimojnë institucionet dhe drejtuesit e Kosvës me votën e lirë dhe të ndershme të qytetarëve të Kosovës. Natyrisht, legjitimiteti do ishte edhe një stabilitet e demokratizim më afatgjatë institucionalisht.

Dizavantazhi i alternativës së zgjedhjeve të parakohëshme është rreziku i lartë i instrumentalizimit politik të procesit të nisur në Hagë, instrumentalizim, i cili në procesin zgjedhor e më pas do rriste tensionet, polarizimin, ndarjen dhe pse jo, edhe konfrontimet në politikën dhe shoqërinë kosovare për momentet kritike që kalon vëndi. Konjukturalisht zgjedhjet i kanë këto rreziqe.

Mbetet në dorë të politikës dhe të institucioneve aktuale të Kosovës të vendosin për zgjedhjen e njërës prej këtyre dy alternativave: kompromis të madh politik e institucional ose zgjedhje të parakohëshme për konstituimin e legjitimitetit të organeve qeverisë në Kosovë. Nga altërnativa e zgjedhur do varet shumë stabiliteti dhe zhvillimi në Kosovë, ecuria e procesit të Hagës si dhe vijimi i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.

©Lisen Bashkurti