Opinione

SPAK-u patronazhist si sëpata pa bisht - Nga Ilir Gjini

Për herë të parë fjalën patronazhist, e dëgjova në Lukovë në Shtatorin e vitit 1986.  Isha student dhe gjithë muajin Shtator ne bënim aksion. Të pamësuar me punët e bujqësisë, grupi im prej tre vetë nuk e realizoi dot normën. E ndërsa shokët e tjerë e lanë punën dhe shkuan për të ngrënë drekën, ne të tre vazhduam punën dhe vakti i drekës na erdhi aty ku punonim për nivelimin e tarracave me ullinj. Të nesërmen brigadiere Rita, na solli në grup një student që e tejkalonte normën.

Ky ishte patronazhisti ynë. Nën shembullin e tij edhe ne do të bëheshim aksionistë të mirë.

Kurrë nuk e kisha menduar që edhe sot 31 vite pas rënies së komunizmit, unë sërish do të kisha një patronazhist që do më “përmirësojë” bindjet e mia politike!? Ky megaskandal që shpërtheu nga “Lapsi” i medias, po kalon pa shumë zhurmë pasi kur skandalet vijnë me breshëri, fillojmë të mësohemi dhe na duken të zakonshme. Nga Becchetti te Nustreti. Nga Vilma që bën “bamirësi” e check up, te Tirja që xhepat xhvat. Nga Sajmiri i Habilajve te Fatmiri i Geronit.  

Në çdo vend me një demokraci normale, nëse të dhënat personale të votuesve do të gjendeshin në zyrat elektorale të partisë në pushtet, qeverinë nuk do ta zinte e nesërmja në zyra. Në Kanada ku unë banoj, ditëlindja, adresa dhe numri i telefonit janë të dhëna shumë sensitive. Përmes tyre mund të të vjedhin identitetin (steal identity), të boshatisin llogarinë bankare apo marrin karta krediti në emrin tënd. Me pak fjalë, vjedhja e tyre përbën një vepër të rëndë penale.

Po ç’po ndodh në Shqipëri? SPAK-u ka humbur si sëpata pa bisht. Dhe kur sëpatës i humb bishti, me të mund të presësh vetëm dorën, por jo pemën e lartë të korrupsionit që lulëzon në çdo stinë me paratë publike. Në tenderat e Ministrisë së Shendetësisë, pasi u dha tre javë kohë për të sekuestruar dokumentat, SPAK gjeti fajtorë vetëm ca nëpunës ofertash, të cilët ia kaloi për hetim Prokurorisë së Tiranës. Për dosjen e Dibrës ia la pataten e përvëluar Prokurorisë së Dibrës, ku gjysma e prokurorëve nuk mund të bënin hetime se të pandehurit i kanë kushërinj. Për inceneratorët e plehrave po presin udhëzime nga patronazhisti. Për gjobën “Becchetti 110”, do t’ia kalojnë Prokurorisë së Durrësit, ngaqë është binjakëzuar kohët e fundit me Prokurorinë e Siçilisë.

Pra drejtësia e re e shumëpritur, është marrë në patronazh nga pushteti. Për të gjithë ka një patronazhist. Për policinë, për arsimin, për mjekësinë që ka xhveshur bluzën e mjekut për t’i bërë spote pushtetit, për artin e median. Madje kjo e fundit është në pararojë të procesit të patronazhimit. Duket që patronazhisti ka punuar mirë dhe meriton lavdërime. Dje, duke injoruar skandalin e patronazhistit, pashë një analist dikur me profesion të fshehtë patronazhist që na dha “scoop” -in e radhës: Forcat e NATO-s do arrestojnë Presidentin Ilir Meta si organizator të grupit puçist të Rinasit.

Që njerëzit edhe mund të lajthisin, helbete kohë pandemie është. Po që këto “lajthitje patronazhiste” të zënë vend në media, kjo është për të ardhur keq. Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve patronazhiste të 25 Prillit, ku rezultati është i patronazhizuar me kohë. Llogaritë janë bërë pa hanxhinë popull që për një thes miell, një legalizim, një falje gjobe apo një vend pune si patronazhist nesër, do t’ia japë votën shtetit. Po arbitri ndërkombëtar është i patronazhizuar?

A është Ambasadorja Kim patronazhiste e Qeverisë Rama?

P.S. Në ditën e fundit të aksionit, të irrituar me rojen që i binte çangës që në orën 5 të mëngjesit për të na zgjuar, vendosëm ti bënim një reng. Me në krye Nand Kërpin dhe Ner Boçarin iu turrëm rojes dhe pas një vrapi që zgjati një rrethrotullim të kapanonit ku flinim, e kapëm. Bëmë një rreth me duar dhe e hidhnim përpjetë. Ai i shkreti ulurinte kurse ne thoshim: mlidhni duart mbrapa që të bjerë në tokë. Por nuk e hodhëm, vetëm se i dhamë një mësim të mirë. Po populli sot a do ti japë qeverisë një mësim të mirë?