Opinione

Shqipëria si një këngëtare gjoksmadhe që stonon - Nga Alfons Zeneli

Rasti i gjyqtares së Elbasanit është thjesht një mesatare në panoramën e përgjithshme të atmosferës estetike që mbizotëron sot në Shqipëri. Ai nuk është rast i jashtëzakonshëm, nuk përbën një rast egzemplar dhe pikërisht këtu e ka fillin tragjedia që po ndodh.

Hidhini një sy televizioneve. Spikeret duhen medoemos të bukura dhe me gjoks të madh. Prezantueset po ashtu. Moderatoret e rubrikës së parashikimit të motit po e po. Te gjithë televizionet janë në një garë të shfrenuar për buzë, gjoks dhe prapanica (ndjesë për termat).

Për të kuptuar se sa vlerë përmbajtësore ka kjo mani le të shtrojmë pyetjen: a ka bukuroshe me gjoks të madh në vendet e tjera evropiane dhe përse në televizionet e tyre numri i gjoksit nuk është kriter?

E njëjta psikozë e frikshme mbizotëron dhe muzikën, këngën. Një rol destruktiv të frikshëm luajnë mediat në prezantimin që iu bëhet këngëve dhe këngëtareve.

Në momentin që në media thuhet se këngëtarja X ndez e tërbon fansat, pasi nuk kishte të mbathura nën fustan, të gjitha vlerat marrin fund. Vetëm analizimi i një fraze të tillë mjafton për ta diagnostikuar shoqërinë si të çmendur.

E njëjta gjë ndodh dhe në administratë. Probabiliteti që një femër “sexy” të punësohet është 100% më i madh se sa për një femër të shkolluar, por normale nga paraqitja.

Në një mori të konsiderueshme rastesh publike, në intervista, shkrime, kronika, prezantime etj., mund të dëgjosh apo lexosh “sekreti për t’u dukur e bukur apo e re”. Gjithmonë e më rralle, apo aspak, mund të ndeshesh me analogen “sekreti për t’u bërë më e ditur”.

Sigurisht kjo është gjithësociale si pandemi dhe për pasojë, as burrat nuk ngelen pas. Shikoni deputetët, politikanët. Kujdesi ekstrem për paraqitjen është një tregues i trishtueshëm, i frikshëm, që na bën me dije mbi rënien e lirë drejt injorancës dhe bjerrjes kulturore.

Nëpër TV, në forume politike, në ambiente të ndryshme të administratës, nuk ndodh pothuajse kurrë të gjesh një femër të veshur bukur, por thjesht. Zakonisht ambientet e lartpërmendura konsiderohen si pista e vallëzimit të një dasme ku gratë “përleshen” për fustanin më të bukur, për modelin më të bukur të krehjes së flokëve, për çantën apo varësen më të kushtueshme.

E gjithë kjo pamje e dhimbshme nuk ka shoqe në asnjë vend të Perendimit. Asnjë politikane evropiane nuk shkelqen nga luksi.

Një tjetër pyetje e thjeshtë: si ka arritur në majat më të larta të politikës evropiane Ursula von der Leyen pa patur anjë aset joshës trupor? Përse ajo vishet thjesht? Çfarë vlerësojnë gjermanët nëse jo modelin e flokeve dhe numrin e gjoksit? Pergjigja vjen po aq thjesht: sepse atje vlerësohet dituria, karriera, morali dhe etika.

Ndaj dhe rasti i gjyqtares së Elbasanit është vertet skandaloz, në veçanti, por në kontekstin e përgjithshëm të zhvillimeve në Shqipëri, rasti është thjesht një sekuence e filmit me metrazh të gjatë i cili iu serviret shqiptarëve dhe kontribuon suksesshëm në degradimin e tyre estetik, që është shprehje e degradimit kulturor.

Rasti i gjyqtares nuk është as i pari, as i fundit, po të kemi parasysh trendy-n e kohës ku lider i kaosit dhe katrahurës etike dhe estetike është vetë kryeministri. Përderisa kryeministri i Surrelit luan basketboll dhe pikturon në zyrën e shtetit, nuk ka pse të mos bëjë sfilatë dhe gjykatësja e Elbasanit.

Kjo epokë është e plastikës, e botoksit, e silikonit. Ndonjë ditë do të jetë shumë e vështirë te dallosh ku mbarojnë humanoidët dhe ku fillojnë manekinët. Sfida para së cilës ndodhemi, beteja e vërtetë për mbijetesë dhe për të ardhmen e shoqërisë shqiptare është beteja midis dijes dhe injorancës, midis sipërfaqes dhe përmbajtjes.

Për sa kohë, babëzia për trupa do të jetë në avantazh, do të jemi të destinuar të notojmë në batak dhe terr. Për sa kohë, babëzia për trupa do të jetë në avantazh, reformat në drejtësi, në arsim, kulturë e shëndetësi nuk do të kenë asnjë vlerë.

Me këto ritme, Shqipëria brenda një kohe të shkurtër do të jetë si një këngëtare “sexy” gjoksmadhe, që e ka të dashurin biznesmen, por që stonon si derr.

©Alfons Zeneli