Opinione

Pse zona e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë është ide e gabuar - Nga Dritan Goxhaj

Dritan Goxhaj

Pothuajse menjëherë sapo ishin bërë disa ditë nga fillimi i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, presidenti i saj nuk ka reshtur së thirruri NATO-n dhe SHBA për të krijuar/ushtruar një Zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Që nga ajo ditë, janë të shumtë ata që shpesh shkruajnë dhe shtrojnë pyetjen: Pse nuk është krijuar akoma një zonë ndalim-fluturimi? Por për t'u munduar t’i jepet përgjigje kësaj pyetje, në fillim duhet t’u japim një përgjigje disa pyetjeve të tjera në raport me zonën e ndalim-fluturimit.

Pyetja e parë që lind është: Ҫfarë është saktësisht një zonë ndalim-fluturimi?

Thënë thjesht, një Zonë ndalim-fluturimi është në vetvete një pushtim ajror i një hapësire të caktuar gjeografike, tredimensionale, ku ndalohen disa lloje fluturimesh.

Zona e ndalim-fluturimit do të thotë një angazhim i një force për të ushtruar patrullime ajrorë dhe, nëse është e nevojshme, për të rrëzuar avionët ushtarakë që fluturojnë në këtë zonë të përcaktuar ajrore.

Duhet të kemi parasysh që një Zonë ndalim-fluturimi nuk mund të ndodhë në mënyrë magjike, vetëm duke e shpallur atë.

Ndaj këtu lind pyetja e dytë: Si ushtrohet dhe funksionon Zona e ndaluar e fluturimit?

Në pamje të parë të duket se kjo është thjesht një gjysëm masë ushtarake, por në realitet është një operacion i mirëfilltë ushtarak për të ndaluar ose privuar armikun ose agresorin nga fuqia e tij ajrore dhe si rrjedhojë mund të përfshijë edhe luftime të drejtpërdrejta dhe të qëndrueshme e të vazhdueshme.

Në këtë rast kemi të bëjmë më një fushatë ajrore të mirëfilltë. Dhe si e tillë shpesh herë llogaritet edhe gabim, sikur fuqia e një fushate ajrore do të jetë metoda e vetme e zgjidhjes së një konflikti. Nga ana operacionale, Zona e ndaluar e fluturimit kërkon një angazhim forcash në raport me madhësinë gjeografike që ajo do të mbulojë, si dhe në raport me fuqinë e kundërshtarit të cilin duhet ta mbajë larg kësaj zone të përcaktuar.

Në rradhë të parë do të kërkonte krijimin e një komande të përbashkët ajrore e cila në këto raste njihet si Komanda e Bashkuar e Forcave Ajrore (Joint Air Forces Command) dhe do të kërkonte vendosjen e saj sa më pranë Zonës së caktuar të ndalim-fluturimit.

Duhet të kemi parasysh se zonat e ndalim-fluturimit kërkojnë një angazhim 24 orësh patrullimi. Pra do të duhet që në gjithë hapësirën ajrore dhe gjeografike të përcaktuar të ketë avionë luftarakë që janë në fluturim gjatë gjithë kohës.

Por të mbajtur në ajër këta avionë atëherë do të duhej që të kishte edhe avionë furnizimi me karburant në ajër si dhe avion të tipit AWACS-Avionë Radarë, që të bëjnë mbulimin e kësaj hapësirë për të kapur çdo shkelje duke u dhënë koordinatat e caktuara avionëve luftarak në ajër.

Dhe pastaj këta avionë që janë pjesë e ushtrimit të forcës për dhe në zonën e ndaluar të fluturimit, do të duhej të kapnin në ajër këtë avion shkelës të kësaj hapësirë të përcaktuar, dhe, ose ta detyronin atë të ulej ose ta godisnin atë në rast se refuzon të lëshojë këtë zonë. Pra në këtë rast do të kishim një angazhim të mirëfilltë luftarak në ajër, duke na dhënë kështu një betejë ajrore.

Nga ana operacionale kjo do të kërkonte fluturime mbi një territor ku po zhvillohen luftime, dhe efektshmëria e këtij lloj operacioni do të varej nga vendimi për të qëlluar/vrarë çdo gjë që kundërshton këtë operacion, qoftë ky një avion në ajër, ose një luftëtar në tokë me një raketë tokë-ajër, ose një sistem raketor dhe grup të tillë.

Dhe për ta bërë këtë, forcat që janë ngarkuar të implementojnë këtë operacion ndalim-fluturimi, duhet të kenë superioritet ajror dhe supremaci ajrore. Këta janë dy terma që mund të ngatërrohen me njëra-tjetrin, por që në realitet kanë kuptime të ndryshëm operacionalë.

Në rastin e një superioriteti ajror, ai mund të jetë edhe çështje shifrash dhe sasie avionësh të angazhuar dhe numër fluturimesh, shoqëruar edhe me teknikën moderne.

Mund ta kesh superioritetin ajror, por mund të mos kesh supremacinë ajrore.

Të kesh supremacinë ajrore, do të thotë që të mbizotërosh qiellin dhe të mos kesh asnjë rrezik as nga avionët e armikut dhe as nga sistemet raketore të armikut, qofshin ato të vendosura në territorin në të cilin po zhvillohen luftimet dhe mbi të cilin po ushtrohet Zona e ndalim-fluturimit, por edhe në thellësi të territorit të armikut. Pra do të thotë eleminim i të gjithë këtyre rreziqeve. Vetëm kjo të jep supremaci ajrore.

Pra siç shihet nga pikëpamja operacionale ky është një operacion ushtarak gjigand që kërkon një mbështetje gjigande në tokë.

Dhe këtu lind pyetje e tretë: A ka ndodhur më parë në histori një operacion i tillë, dhe a është vendosur më parë një Zonë ndalim-fluturimi?

Historia moderne e artit ushtarak njeh gjithsej vetëm 4 operacione ushtarakë të tillë për ushtrimin e një Zone ndalim-fluturimi. Ata janë:

1. Operacioni Vëzhgimi Jugor (Southern Watch) në Irakun Jugor në 1992-2003;

2. Operacioni Vëzhgimi Verior (Northern Watch) në Irak 1998-2003;

3. Operacioni Mohim Fluturimi (Deny Flight) në Bosnje 1993-1995;

4. Operacioni Mbrojtësi i Bashkuar (Unified Protector) në Libi 2011 dhe sërish në 2018-2019.

Në të katër këto raste nuk kemi të bëjmë me operacione të mirëfilltë ushtarakë. Pavarësisht se të katër këta në historinë ushtarake konsiderohen si dinamikë dhe vdekjeprurës, për shkak se gjatë këtyre operacioneve ka pasur humbje nga të dyja palët.

Por, tre nga këto Zona ndalim-fluturimi u krijuan pas përfundimit të operacioneve ushtarakë në terren, ku forcat aleate gëzonin epërsi të pastër duke kryer fluturime në termin e supremacisë ajrore.

Pas gjithë kësaj lind pyetja e katërt dhe ajo kryesorja: Amund dhe a duhet të vendoset një Zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë?

Gjatë këtyre tre javëve luftime në Ukrainë është vënë re se forcat ruse nuk kanë supremaci ajrore në Ukrainë, por vetëm superioritet ajror. Kjo, pasi ato kontrollojnë vetëm një pjesë të kësaj hapësire ajrore, ndërsa pjesën tjetër e kontrollojnë ukrainasit, të cilët për momentin nuk mund të ushtrojnë mbrojtje ajrore në disa pjesë të territorit, pasi për ta ushtruar atë do të duhej ta zhvendosnin mbrojtjen kundërajrore në atë territor, e cila do kërkonte edhe zhvendosje të forcave ushtrake në terren për të bërë një gjë të tillë.

Duke u bazuar mbi sa më lart, territori gjeografik i Ukrainës është shumë i madh dhe kështu do të kërkonte një sasi tepër të madhe avionësh për ta mbuluar të gjithë.

Dhe kjo sasi avionësh, qofshin ata luftarakë, por edhe avionë të tjerë logjistikë dhe shërbimesh të tjerë, nuk do të mund të vendoseshin vetëm në një bazë ajrore, por do të duhej vendosja e tyre në disa baza ajrore të vëndeve të NATO-s në Evropë, duke shtuar kështu me 3-4 fish kostot operacionale të këtij operacioni.

Gjithashtu do të duhej të përcaktohej sa më afër edhe vendosja e komandës së bashkuar që përmendëm më lart e cila do të duhej të bënte koordinimin e gjithë këtyre bazave ajrore në mënyr simultane.

Zbatimi i kësaj Zone ndalim-fluturimi do të kërkonte fluturimin e avionëve të NATO-s në hapësirën ajrore ukrainase, duke i vendosur kështu forcat aleate direkt në një hapësirë ajrore për të cilën të dyja palët në koflikt po luftojnë dhe në një rrezik ekstrem si nga mbrojtja ajrore ukrainase, por edhe nga ajo ruse.

Duke pasur parasysh që mbrojtja ajrore ruse nuk është vetëm ajo që përfaqësohet nga avionët që fluturojnë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, por është gjithë Forca Hapësinore Ruse, e cila posedon mbrojtje ajrore me rreze të gjatë e të mesme veprimi, që mund ta arrijnë hapësirën ajrore ukrainase qoftë nga territori i Rusisë, por edhe nga territori i Bjellorusisë.

Një nga këto mbrojtje është edhe sistemi raketor S-400 me rreze veprimi 400km, pra raketat mund të hyjnë në veprim pa pasur nevojë të jenë në territorin gjeografik të Ukrainës.

Në javën që lamë pas pamë një ndërrim të taktikave të operimit ajror nga ana e Rusisë. Gjatë kësaj jave Forcat Ajrore ruse hynë shumë pak në hapësirën ajrore ukrainase për të kryer goditje nga ajri. Pothuajse 90% e të gjitha goditjeve nga ajri u kryen nga raketa balistike dhe nga ato të lundrimit, të cilat u lëshuan nga avionë bombardues strategjikë, të cilët i lëshuan këto raketa nga brendësia e territorit rus me precizion të lartë.

Dhe ajo që është më kryesorja, qëndron në faktin se pasi këto raketa lëshohen, ato nuk mund të ndalohen e as mund të kapen, pasi ato ecin me shpejtësi hipersonike deri në 10 herë shpejtësinë e zërit, dhe kanë rrezen e veprimit 2000km.

Nga sa është vënë re deri më tashti as Rusia nuk e kontrollon qiellin e Ukrainës, por kjo nuk i ka ndaluar forcat e saj që të përparojnë në terren.  Por paaftësia e rusëve për të kontrolluar hapësirën ajrore ukrainase i ka dhënë mundësi vetë Ukrainës të ngrejë në qiell jo vetëm dronët e saj por shpesh herë edhe avionë ushtarakë.

Ushtrimi i një Zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të kërkonte jo vetëm ndalimin e avionëve rusë, por edhe ndalimin e të gjithë aktiviteteve ajrore të Ukrainës, pasi nuk do të mund të bëhej dallimi nga ana e pilotëve në ajër se kujt i përket avioni ose droni.

Gjithashtu duhet pasur parasysh se Rusia ka në terrenin gjeografik të Ukrainës 180 mijë forca të armatosura, të cilat në rast të tentativës së NATO-s për ushtrimin e kësaj Zone ndalim-fluturimi do të pajiseshin me raketa tokë-ajër, dhe si të tilla do rrezikonin seriozisht të gjithë fluturimet e avionëve të NATO-s mbi hapësirën ajrore ukrainase.

Dhe në rast të një kërcënimi të tillë, qoftë ai nga sisteme raketore mbrojtëse të vendosura thellë në territorin e Rusisë, por edhe nga forcat ruse në terren në Ukrainë, avionët e NATO-s do të duhej t’i kundërpërgjigjeshin këtij rreziku.

Por ama është tjetër gjë t’i kundërpërgjigjesh një rreziku nga një raketë tokë-ajër krahu të një ushtari rus në Ukrainë dhe komplet një tjetër gjë të godasësh një sistem raketor në brendësi të territorit rus.

Nëqoftëse në rastin e parë mund të prevalonte deri diku diplomacia duke e konsideruar ushtarin rus në një terren jo rus si rrezik i kalkuluar, goditja e një njësie ruse në brendësi të territorit rus do të konsiderohej si luftë e hapur ndaj shtetit rus.

Por nga luftimet e deritanishme është parë se dëmtimet ndaj forcave ukrainase nuk kanë ardhur nga ana e aviacionit rus, por nga ana e goditjes me artileri tokësore dhe ajrore tokë-tokë. Dhe Zona e ndalim-fluturimit nuk do të mund ta ndalte këtë lloj goditje e cila sa po vjen po bëhet edhe më precize.

Nga ana operacionale do të ishte e pamundur vendosja dhe mbajtja e kësaj Zone ndalim-fluturimi.

Pra në këtë rast, vendosja, ose kërkesa për vendosjen e një Zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, është thjesht një deklaratë politike. Në këtë rast kjo deklaratë politike është më shumë se deklarimi i përshkallëzimit të konfliktit, pasi kjo do të përbënte një përshkallëzim të drejtpërdrejtë të konfliktit me Rusinë, në të cilin do të përfshiheshin direkt NATO dhe SHBA.

Prandaj vednosja e kësaj Zone ndalim-fluturimi do i shërbente vetëm Ukrainës, por edhe asaj vetëm në rrafshin politik dhe të përfitimit personal të presidentit të saj, pasi kështu do e bënte NATO-n aleate të vetën edhe pa qënë pjesë e NATO-s.

Në këtë rast kemi thjesht një kalkulim delirant nga ana e presidentit ukrainas, i cili kërkon të fusë në luftë gjithë botën sepse Ukraina është në luftë.

Ndaj përgjigja negative e NATO-s për vendosjen e kësaj Zone ndalim-fluturimi, është deri më sot, që nga fillimi i këtij konflikti, e vetmja përgjigje e arsyeshme në gjithë këtë zallamahi, pasi në rast të kundërt, do të ishte vetëm një përdorim politik i fuqisë ajrore, duke na ringjallur sërish alencat e ngatërruara që e çuan njerëzimin në Luftën e Parë Botërore.

Ndaj thënë qartë, Zona e ndalim-fluturimit e kërkuar nga Ukraina, është mjeti i gabuar, për punën e gabuar me rezultate të rrezikshme dhe të paparashikushme për gjithë botën, dhe në veçanti për Evropën dhe Ballkanin.

©Dritan Goxhaj