Opinione

Evropa, politika dhe populizmi

Nga: JORGJI KOTE

Tani, kur asnjë vit nuk na ndan nga zgjedhjet e reja të Parlamentit Evropian, veç problemeve dhe tensioneve të njohura dy dhe shumëpalëshe, reformimit të brendshëm dhe zgjerimit të jashtëm, BE-ja po ndeshet edhe me sfidën serioze të përshkallëzimit të forcave dhe partive populiste, këto të fundit po kërkojnë “të bëjnë ligjin” edhe në vendet me demokraci të konsoliduar – Britania e Madhe, Franca, Austria, Gjermania, Spanja, Greqia dhe gjetkë. Ndërsa në vendet e ish-Evropës Qendrore dhe Lindore, “Internacionalja komuniste” e dikurshme po zëvendësohet me një “Internacionale populiste” së bashku me homologët e tyre perëndimorë. Vërtet që populizmi dështoi vjet në Francë, por gjithsesi nuk ka hequr dorë nga tentativat e tij, por ai fitoi bujshëm në Austri dhe së fundi në Itali, ku të tri partitë populiste (Pesë Yjet, Lega  Nord dhe Forca Italia) fituan 64 për qind të votave. Po kështu, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) u fut për herë të parë në Bundestag si forca e tretë më e madhe politike, me plot 22 për qind në zgjedhjet e fundit. Ajo la pas të majtën tradicionale në ish-lindjen Gjermane dhe ka gërryer ndjeshëm pjesën e CSU-së në shtëpinë e saj në Bavari.

Ja pse lufta ndaj populizmit përbën një nga betejat më madhore të kohës në çdo vend dhe në nivel evropian. Edhe Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë kësaj sfide, pasi shfaqjet populiste nuk mungojnë as aty.

Suksesi në përballimin e kësaj sfide kërkon së pari ndërgjegjësimin e politikës dhe të publikut mbi tiparet specifike dhe dëmet e populizmit.

Sipas profesorit dhe ekspertit belg të kësaj fushe, Alain Eraly, burimi i parë i populizmit është nostalgjia konservatore, pra ideja se kemi qenë më mirë dhe për pasojë ndjenja e viktimizimit. Sipas politikanëve populistë, populli është viktimë e elitave politike dhe qeveritare. Ky viktimizim shoqërohet me shfaqjen e ndjenjave nacionaliste, të gjoja tradhtisë ndaj popullit, cenimit të territoreve, krenaria me kombin etj. Në Belgjikë psh., ata pretendojnë se kërcënimi i sigurisë vjen nga emigrantët dhe azilkërkuesit, apo se “islami është kërcënim për historinë tonë”, etj.

Në fakt, populizmi dhe ekstremizmi i djathtë, sidomos  në Gjermani, Austri, Hungari, Belgjikë dhe gjetkë mori hov pikërisht në vitet 2015-2016 pas valëve masive të azilit, që përkuan me zgjedhjet e reja  parlamentare.

Liderët populistë nuk shquhen nga mendimet që shprehin, por nga stili dhe retorika e tyre. Për ta nuk ka rëndësi ideja, por mënyra si shprehet ajo, jo çfarë por si të thuhet, jo zgjidhja por provokimi i problemit dhe së fundi, jo faktet, por e vërteta e tyre subjektive. Kështu, ndonëse në Gjermani gjatë tri viteve të fundit kriminaliteti ka shënuar rënie dhe niveli i tij nga vetë gjermanët është më i lartë se ai i të huajve, populistët as që duan t’ia dinë dhe vazhdojnë retorikën nacionaliste të shoqëruar me frikë dhe mohim.

Shkaku dhe dukuria e dytë e përhapjes së populizmit është kulti dhe karizma e liderëve të tij, aftësia bindëse që në “emër të demokratëve të hedhim poshtë burokratët”, të luftojnë deri në fund të këqijat më të mëdha të kohës së sotme – elitat politike, BE-në e sidomos Brukselin, Bankën Qendrore Evropiane, FMN dhe Bankën Botërore etj.

Kryeministri Viktor Orbani korri fitoren e katërt plebishitare në zgjedhjet e fundit në Hungari në emër të mbrojtjes së Hungarisë, edhe pse ajo është anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Në Britaninë e Madhe “Brexit”, e bashkë me të populizmi, fituan me parullën “Anglia për anglezët”.

Këta liderë karakterizohen nga gjuha vulgare dhe banale, sipas parimit “të thuash açik dhe me zë të lartë atë që të tjerët e mendojnë dhe e thonë me zë të ulët”. Kësisoj, ata synojnë të krijojnë imazhin e politikanit të sinqertë, që është “njeri prej nesh”, në mënyrë që jo thjesht të tërheqë, por të “pushtojë” të gjithë vëmendjen dhe interesin mediatik.

Ata e teprojnë dhe mohojnë çdo të mirë dhe arritje, duke treguar gishtin vetëm te mungesat dhe mangësitë e sistemit demokratik sipas tyre “katastrofal”, por kur vjen puna te zgjidhja e problemeve që janë tejet komplekse, ata i thjeshtëzojnë ato në minimum, pa hyrë në hollësi teknike. Kështu, ata mendojnë se problemi i drogës do të zgjidhet duke pushkatuar pa gjyq trafikantët e paligjshëm, duke mos paguar asnjë cent për refugjatët apo dhe duke propozuar hedhjen e tyre në det!

Veç sa sipër, suksesi i shpejtë i politikanëve populistë shpjegohet me zhgënjimin masiv me klasat politike ekzistuese dhe sidomos me qendrën e majtë dhe të djathtë, që kanë drejtuar tradicionalisht këto vende, sepse me gjithë premtimet, gjërat kanë shkuar keq e më keq. Në fakt, sondazhet më të fundit të eurobarometrit tregojnë se vetëm 44 për qind e shtetasve evropianë kanë besim te BE-ja. Në vende të veçanta, mosbesimi është edhe më i lartë. Këtu kanë pjesën e tyre dhe skandalet/aferat e shumta korruptive. Mbi këtë bazë, politologu britanik Paul Taggart pohon se “opozita ndaj pushtetit përfaqësues përbën thelbin e populizmit”.

E fundit, por shumë e rëndësishme është ndikimi negativ i medias, sidomos i rrjeteve sociale që kanë “robëruar” dhe qelizat më intime të jetës.

“Infobesiteti” ose “mbipesha” nga informacioni hiperinflacionist është bërë “epidemi”, sidomos te rinia. E keqja është se këto informacione që “gëlltiten” pa u “përtypur” fare, orientohen drejt emocioneve dhe jo arsyetimit logjik. Adoleshentët, në veçanti nuk kanë minimumin e kohës që të reflektojnë mbi çka shohin dhe dëgjojnë dhe ca më pak të krijojnë distancën e nevojshme për gjykimin dhe analizën e lajmeve apo ngjarjeve me të cilat njihen. Për pasojë, lind dhe përhapet tendenca e parapëlqyer e populistëve për shpjegimin e thjeshtësuar të ngjarjeve me teori konspirative, të komplotit, tradhtisë etj., duke shpurë kështu “ujë në mullirin populist”.

Shumica e analistëve dhe ekspertëve mendojnë se lufta dhe fitorja ndaj populizmit fillon nga familja dhe prindërit, sepse qysh fëmijë njerëzit lipset të edukohen me ndjenjën e kërkimit të së vërtetës objektive nëpërmjet forumeve, debateve dhe diskutimeve të gjalla dhe analizave përkatëse.

Sondazhet më të fundit tregojnë gjithashtu se arsimi, shkollat, OJQ-të dhe agjenci të tjera kulturore me nismat e tyre kanë rol të dorës së parë për nxitjen e frymës/kulturës së gjykimit dhe arsyetimit, bërjes së pyetjeve dhe shprehjes së dyshimeve mbi çdo informacion dhe për gjithçka që lexojnë dhe dëgjojnë fëmijët dhe të rinjtë që të mos bien pre të internetit dhe rrjeteve sociale. Në Bruksel, për shembull, një qendër kulturore nën logon “Fabrika e Demokracisë”, organizon debate dhe diskutime me fëmijë dhe të rritur mbi tema intriguese të aktualitetit tonë. Padyshim që shembull i spikatur dhe inkurajues është dhe fushata publike “Be Best” e lançuar pardje nën kujdesin e Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melanie Trump.

Si kudo dhe këtu, politika ka rolin e saj vendimtar duke miratuar dhe zbatuar ligjet dhe rregullat e duhura, duke lançuar alternativa tërheqëse, të besueshme dhe të qëndrueshme dhe duke u dhënë zgjidhje halleve të përditshme të njerëzve, etj.

Së fundi, por jo më pak të rëndësishme janë metodat politike efektive që përdorin forcat e moderuara politike. Politologu i njohur holandez Cas Mudotte tërheq vëmendjen se “ashtu siç nuk mund të shuhet zjarri me zjarr, edhe populizmi nuk mund të luftohet me populizëm”.

Natyrisht, mund të përdoren nuanca dhe slogane populiste si taktikë e përkohshme, por jo si strategji veprimi. Këtë e tregon edhe pritja e ftohtë dhe kundërshtitë e shumta që shkaktuan disa hapa dhe teza të liderëve të CSU-së bavareze, partnere qeveritare e Merkel se, “Islami nuk i përket Gjermanisë”», “emigrantët na kanë vjedhur vendlindjen” dhe vendimi për vendosjen e kryqit në institucionet zyrtare “si simbol i identitetit bavarez”.

Mbi të gjitha, premisat e suksesit të vërtetë mbi populizmin qëndrojnë te lufta kundër korrupsionit dhe krimit, zgjidhja e krizës së azilit, afrimi me popullin, mbi të gjitha sjellja politike me “këmbë në tokë” e politikanëve dhe deputetëve dhe moderimi i “real politikës”. Kjo e fundit u ka ardhur vërtetë “në majë të hundës” një pjese të madhe të publikut.

Fushata e zgjedhjeve për Parlamentin e ri Evropian 2019, që pritet të “ndezë së shpejti motorët” në të 27-ta vendet anëtare të BE-së, është mundësia e parë madhore dhe e “artë” për të bërë kthesën e kërkuar dhe rikthyer besimin e humbur te politika e re.

Ndoshta ka të drejtë, eksperti Philippe Legrain, këshilltar ekonomik i ish-presidentit të Komisionit Evropian Barroso, i cili ka propozuar një “Pranverë Evropiane”, që BE-ja të mos vazhdojë të jetë më kod i bezdisshëm rregullash se “çfarë nuk duhet bërë”, por një projekt frymëzues me logon “Ta bëjmë Evropën sa më të mirë së bashku dhe për qytetarët”!

Burimi: Gazeta Shqiptare