Kosova, Serbia, NATO dhe lufta - Nga Dritan Goxhaj

Dritan Goxhaj
Në fillim të viteve 1990 politika e atëhershme serbe bënte çmos që të ruante integritetin territorial të Jugosllavisë, jo si opsion për popujt që e përbënin atë, por vetëm për serbët. Pas shpërbërjes së asaj Jugosllavie, tashmë serbët sërish po bëjnë çmos që të ruajnë integritetin e mbetur territorial të ish-Jugosllavisë, territor i cili teorikisht tashmë përbëhet vetëm nga Republika e Serbisë dhe Republika e Kosovës.
Serbët që kur i pushtuan trojet shqiptare në Kosovë thirreshin në të drejtat historike mbi Kosovën, por ama shqiptarët kanë më tepër të drejta historike mbi Kosovën, ndërkaq kanë edhe të drejta legjitime që dalin nga realiteti i sotëm politik dhe nga ai i djeshmi e i sotmi demografik.
Serbët përherë në këtë aspekt e kanë shpresuar dhe evokuar edhe publikisht dhe shpresojnë në përkrahjen e Rusisë. Por edhe shqiptarët ashtu si e tregoi edhe historia e fundshekullit të kaluar, por edhe sot, e kanë dhe e shpresojnë sërish përkrahjen e botës tjetër, sidomos tashti që kërkesat e tyre janë konsideruar si legjitime, jo vetëm nga NATO dhe Europa por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare.
Sot për shkak të disa përplasjeve politike me natyrë teknike sërish serbët kërcënojnë me luftë e përgjakje të këtyre trojeve. Por përgjakja e përsëritur mund të jetë vetëm reminishencë tragjike e së kaluarës dhe në kundërshtim total me gjëndjen aktuale të zhvillimit e të qytetërimit në këtë pjesë të botës.
Luftrat gjithnjë janë zhvillime irracionale, por që zhvillohen për qëllime racionale. Por a do të hynte realisht Serbia një aventure të tillë irracionale, sado racionale që të jenë qëllimet e saj?
Unë personalisht them që jo, ajo nuk do t’i hynte kësaj aventure. Arsyet janë dy dhe shumë të rëndësishme.
Arsyeja e parë: Serbia është e izoluar ushtarakisht.
Ashtu si e thashë më lart, gjithnjë Serbia shpreson në përkrahjen e Rusisë në rast të një lufte të re. Kjo pasi ajo në rast se do të vendoste të sulmonte sot Kosovën, atëherë do të thyente Marrëveshjen e Kumanovës që ka nënshkruar me NATO-n. Si e tillë ajo do të gjendej në një koflikt të armatosur me NATO-n.
Për momentin harta Europiane tregon se Serbia është e rrethuar nga të gjitha anët nga vendet e NATO-s dhe aleatët e saj. Pas shkëputjes së Malit të Zi, Serbia nuk ka më as dalje në det. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse shqiptarët duhet të bëjnë çmos që të mbajnë të unifikuar shtetin malazez, që serbët mos të kenë dot kurrë dalje në det.
Kjo tregon se nga ana taktike Serbia është e rrethuar totalisht dhe komplet e izoluar, pasi NATO në një rast të agresionit serb mbi forcat e saj në Kosovë, kësaj radhe do të mund ta sulmonte Sërbinë nga të gjitha drejtimet.
Sot me zhvillimet aktuale të luftës në Ukrainë, Serbia nuk do të mund të merrte as ndihmën që ajo shpreson të marrë nga Rusia. Pasi asnjë lloj armatimi, ose trupa ushtarake, nuk do të mund të vinin në këtë kohë në ndihmë të serbëve nga toka, por as edhe nga ajri, pasi do të duhet të kalonin mbi territore të kontrolluara nga NATO.
Dhe tashmë që me fillimin e luftës në Ukrainë gjithë Evropa dhe në veçanti vendet e NATO-s kanë ndaluar të gjitha fluturimet dhe lundrimet e mjeteve nga dhe për në Rusi, në dhe mbi hapësirat e tyre territoriale dhe ajrore.
Edhe në rast se Rusia nën kërkesën e dëshpëruar të Serbisë do të lëshonte ndonjë raketë nga territori i saj në drejtim të qendrave të komandimit ose të grumbullimit të forcave të NATO-s në Kosovë, kjo raketë do të duhej të kalonte mbi hapësirën ajrore të disa shteteve të NATO-s, gjë që do e bënte të pamundur arritjen e saj në objektiv.
Edhe nëse do të bëhet fjalë për raketat e saj më të avancuara që nuk kapen nga radari, sërish vëndet e NATO-s ku do të kalonte kjo raketë do të mund të bënin rrëzimin dhe bllokimin e saj nëpërmjet perdes së zjarrit të artilerisë kundërajrore.
Plus, duhet pasur parasysh që ky veprim rus do të kundërshtohej edhe nga një grup i plotë sulmues i Marinës Amerikane në të cilën bën pjesë aeroplanmbajtësja me mbushje bërthamore “Harry Truman”, e cila prej datës 1 gusht ndodhet duke lundruar në detin Jon.
Ky Grup Sulmues përbëhet nga një aeroplanmbajtëse që aktualisht ka në bordin e saj 90 mjete ajrore (nga të cilët 70 janë avionë gjuajtës dhe bombardues) e shoqëruar nga të paktën një kryqëzor dhe një skuadron shkatërrues i përbërë nga dy fregata dhe një destrojer. Në shoqërimin e tyre janë edhe dy nëndetëse të pajisura me raketa Kruiz dhe Tomahok si dhe disa anije furnizimi dhe logjistike.
Duhet të kemi parasysh që e gjithë artileria që ndodhet në bordin e këtyre anijeve ësht e gjitha artileri detare dhe artileria detare konsiderohet artileri kundërajrore.
Pra ashtu siç edhe shihet, aventura ushtarake serbe në këtë rast do të ishte totalisht e izoluar dhe e vetme kundër gjithë NATO-s dhe NATO do e shfrytëzonte këtë aventurë të tillë të Serbisë për ta goditur atë me gjithë fuqinë e saj, si kundërpërgjigje të luftës që Rusia po zhvillon në Ukrainë. Në këtë menyrë, eleminimin total ushtarak dhe ekonomik të Sërbisë të mund ta paraqiste publikisht jo vetëm si një fitore ushtarake ndaj një aleati të Rusisë dhe si një fitore politike në arenën ndërkombëtare, por më e rëndësishmja kjo aventurë serbe do e projektonte NATO-n si të vetmen organizatë aktuale politiko-ushtarake në gjendje të ruajë paqen në rajon e më gjerë.
Arsyeja e dytë: Rusia nuk do lejonte një aventurë të tillë.
Në rast se serbët do çmëndeshin e do ngulnin këmbë t’i hynin kësaj aventure, atëherë vetë Rusia nuk do e lejonte një gjë të tillë, sepse ashtu si e kam bërë unë këtë analizë ushtarake të mundësive të tyre për t’i ardhur në ndihmë Sërbisë, të jeni të bindur që ushtria ruse e ka bërë shumë herë më të detajuar. Dhe duke qënë që nuk ekziston asnjë opsion që t’i vinë në ndihmë, atëherë ata do i rekomandonin Serbisë që mos t’i hyjë kësaj aventure se jo vetëm që do humbasë ushtarakisht duke shkatërruar totalisht fuqinë e saj ushtarake, duke degraduar nga vëndi me fuqinë më të madhe ushtarake për momentin në Ballkan, në vëndin me fuqinë më të dobët.
Por njëkohëshisht përveç që kjo aventurë do të sillte përfundimisht shkëputjen përfundimtare të Kosovës, pa nevojën më të bisedimeve, do të sillte edhe humbje tjetër territoriale për Serbinë, që në këtë rast do të humbte Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Kjo pasi shqiptarët, ndër ta unë i pari e të tjerë, do niseshim me armë drejt trojeve shqiptare në Preshevë e Medvegjë, e do u bënim thirrje të gjithëve atyre të aftë për luftë, që të na bashkoheshin për marrjen njëherë e mirë të këtyre territoreve të aneksuara padrejtësisht dhe mbi të cilat po ushtrohet edhe sot gjenocid dhe pastrim etnik.
Rusët nuk do e lejonin në asnjë mënyrë një aveturë të tillë, pasi pamundësia për të ndërhyrë në këtë konflikt qoftë ushtarakisht, qoftë politikisht, do i tregonte ata të dobët në arenën ndërkombëtare dhe do i nxirrte vetëm si një fuqi rajonale, aty ku kanë shtrirje territoriale. Ndërkohë që rusët me këtë luftë që po bëjnë në Ukrainë duan pikërisht të ndërrojnë këtë realitet, të paraqiten si një fuqi globale. Por aventura serbe do ua shuante përfundimisht ëndrrën.
Për këto që shkruajta më lart të jeni të bindur edhe ju ashtu si unë, që Serbia kurrë nuk do e ndërrmerrte këtë aventure. Por ama asaj i duhet kjo retorikë lufte, ose thënë më mire, më shumë se Serbisë, kjo retorikë i duhet vetëm Vuçiçit, për të mbajtur pushtetin si gjoja nacionalist, ndërkohë që edhe ai, ashtu si kolegët e tij në këtë rajonin tone, është vetëm një maskara e hajdut që po kapet me thonj pas nacionalizmit për të qëndruar në pushtet.
Ndaj jam i mendimit që Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet t’i përgjigjet retorikave luftënxitëse boshe të Serbisë. Kjo është e gjitha si një lojë pokeri, ku duhet të kuptosh se kur bën bllof kundërshtari, e kur jo. Në rastin tone, Sërbia po luan vetëm me bllofin, ndaj nuk i duhet dhënë fare rëndësi, por duhet luajtur në krahun tjetër.
Kosova duhet të kërkojë nga BE sa më shumë data dialogu, pasi vetëm duke e ulur në tavolinë qeverinë serbe ua demaskon atyre edhe bllofin edhe politikën, dhe kështu vetë serbët do i rrëzojnë e do e kuptojnë më në fund se edhe ne edhe sërbët, nuk mund të zhvendosemi prej vendeve tona, por nuk mund as të zgjedhim ndonjë fqinj më të mirë dhe nuk mund të bëhemi më të tjerë se ç’jemi.
Do ta kuptojnë se ne do të qëndrojmë aty ku jemi ashtu si jemi. Prandaj është mirë që të përpiqemi të lejojmë njëri-tjetrin të jetojë jetën në trojet e veta shekullore dhe se Kosova e pavarur është çështje jetike jo vetëm e shqiptarëve, por në këtë rast edhe e serbevë, në rast se duan të jetojnë të qetë e të ruajnë këtë prosperitet që kanë.
Ndaj u lutem mos u bëni më jehonë deklaratave luftarake të Serbisë, por vetëm talluni me to dhe lutini që ta mbajnë fjalën. Sepse kështu do shkonin drejt fundit të tyre.
©Dritan Goxhaj












