Opinione

EMRI MAQEDONIA E ILINDENIT PËRJASHTON SHQIPTARËT

Nga: Xhevdet Nasufi

Dëgjuam propozimin që ka përafruar maqedonasit, grekët dhe bullgarët (deklarata e Ministres Bullgare për Punë të Jashtme) për emrin e ri të Maqedonisë, por shikuam edhe Edi Ramën të ulur në skajin e tavolinës së premierëve në Samitin e Sofies që dukej si i përlyer. Kur edhe foli, shkallmoi në dhimbje, në vuajtje, në ankimim, por edhe në batutat e tij tanimë bajate, që nuk është veti e politikanëve të drejtë, të vëndosur, seriozë dhe në përputhshmëri me temat e Samitit BE-Ballkan, bile ishte ofenduese për krenarinë e shqiptarëve, për historinë e tyre autentike dhe më të vjetër në Ballkan.

Kjo na kaloi si vetëtima para syve dhe mëndjes me dilemën tejet zhgënjyese: Vallë, përsëri do të regjistrojmë në këtë kohë, në këtë mënyrë historinë e padrejtë në këtë shtet (do jetë “Maqedoni e Ilindenit”?!) ndaj shqiptarëve duke u përkulur edhe para maqedonasve që me ngulm nuk duan ta ndajnë shtetin etnik me të tjerë?

Dhe menjëherë mëndja më ktheu luftën në vitin 2001 dhe Marëveshjen Kornizë të Ohrit. Të gjithë, e më së shumti ata që dje manaxhuan luftën dhe sot manaxhojnë paqën ju gëzuan pa masë ndryshimit të kushtetutës (luftrat nuk bëhen zakonisht për ndryshime kushtetuese) që shqiptarët të bëhen shtetformues, të barabartë me maqedonasit, bile në letër. Mirëpo, kjo që po ndodh sot me emrin dhe aktivitetet përcjellëse të Maqedonisë, vallë a nuk është rasti që të humbë edhe kjo akoma ëndërr e shpresë e vogël e shqiptarëve për të qënë shtetformues në këtë shtet të përbashkët?

Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, Kosova ka marë statusin e shtetit që të konsolidojë sovranitetin multietnik dhe teritorial. I gjithë ky kapital shtetëror, juridik dhe politik nuk është i mjaftuar që bile pak atje në Sofje (atje u promovua përcaktimi i Zaevit për emrin e ri të shtetit, sigurisht i mirëkoordinuar me të tjerë, përfshi edhe opoziten maqedonase).

Shqiptarët të bënin të domosdoshmen që do e bënte çdo politikan për popullin dhe shtetin e vet dhe të reagonin denjësisht? Nuk përmenda politikbërësit shqiptarë nga Maqedonia, sepse ata as këtu në Maqedoni, por edhe nga të tjerët jashtë saj nuk konsiderohen si subjekt brenda kornizave të lojës, sepse vetë e kanë përcaktuar atë pozicion tani e shumë vite më parë.     

Zaevi e deklaroi hapin e mëtejshëm pas Sofjes. Përkrahja e bullgarëve për propozim-emrin e ri të shtetit është tejet e rëndësishme për konsensusin brendamaqedonas. Shqiptarët,e dhe ashtu reagimet i kanë të moderuara, i kanë të mbështjella me bon-ton politik e diplomatik për nevoja propaganduese.  

Dhe përfundimisht, shpresa e vetme për rinegocim të propozimit (shqiptarët janë jetësisht të interesuar për proçeset integruese të Maqedonisë, por jo edhe me blanco autorizim) tani mbeten grekët që ta “shpëtojnë” estabilishmentin politik shqiptar dhe jo vetëm, (vaj halli në çfarë derexhe na sollen) nga ky propozim që edhe më shumë na largon nga kuptimi përmbajtsor i shtetit të përbashkët dhe multietnik. Këtë e them sepse komentet e para të opozitës greke për emrin e Zaevit jan tejet negative, ashtu si mund të pritet edhe vendimi përfundimtar.  

Personalisht jam i shqetësuar, me besimin e plotë si çdo shqiptar kombëdashës, se emërtimi i ri i shtetit do i anashkalojë shqiptarët. Politikanët në fund për koncesione asimetrike dhe banale që mund të futen në lojë, do e japin pëlqimin e tyre për emrin e ri të shtetit.

Në mungesë të kapacitetit, përkushtimit, vullnetit, por edhe kredibilitetit moral të domosdoshëm, politikbërja shqiptare sot këtu nuk mund të përballet me presionet e natyrshme që do pasojnë nga brenda dhe jashtë për të dhënë konsensusin politik shqiptar edhe për emërtimin që mund t’i përjashtojë ata nga vetë simbolika që ngërthen emërtimi. Këtë kredibilitet duket se nuk e ka as politikbërja në Shqipëri dhe Kosovë. Vallë, ligji Për Gjuhën Shqipe edhe ashtu si është me mangësi, nuk është provë e mjaftueshme për këtë?  

Autori është  ish-ministër i Drejtësisë  dhe i Pushtetit Lokal në  Maqedoni.