“Unë…unë… unë…”, ose meditim para Luigjit XIV - Nga Ndue Dedaj
“Unë…” Nisja e fjalisë, fjalimit, bisedës me vetveten në qendër të “universit” është kthyer në një stereotip i ligjërimit të sotëm urban.
Dje ka pasur humore që fshikullonin ngrefosjen e ndoca zyrtarucëve të provincës, por nuk ndodhte që kjo shpurë mediokre të sundonte ligjërimin publik të intelektualëve etj. Formalisht përpiqeshin ta fshihnin veten pas partisë apo popullit dhe vetë udhëheqësit e lartë e të përjetshëm byroistë, që vuanin marrëzisht nga deliri i madhështisë dhe kulti i individit. Nga historia nuk kishin mësuar asgjë, se ishin veçse ca kalimtarë të zakonshëm, që vegjetonin në piramidën e pushtetit.
Çështja është a lë gjurmë në jetë, për të cilat të mbahesh mend nga pasardhësit dhe jo sa bën t’i vetë për “përjetësinë” tënde në letër a në bronz. Kryepari ynë Gjergj Kastrioti na kishte lënë postulatin historik “lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu mes jush”, që ne nuk ditëm ta lexonim kurrë. Ai para gjashtëqind vitesh vinte nga orienti e sillej si perëndimor par exellence, kurse ne pas aq shekujsh nën sundimin otoman dhe regjimin komunist, sillemi si lindorë në shekullin XXI. Mund t’i qasemi kësaj teme nga të gjitha rrafshet, edhe ai historik, kur 250 vjet më parë Luigji XIV thoshte “shteti jam unë”, apo të shtrihemi deri tek rrënjët e kësaj dukurie, në antikitetin grek, te Narcisi i dashuruar me fytyrën e tij në pellgun e ujit, por nuk është ky qëllimi.
As trajtesat socialfilozofike të autorëve të ndryshëm mbi natyrën njerëzore dhe thelbin e saj, nuk na bëjnë të “zmprapsemi” nga fshikullimi i “uni”-t rudimentar të shoqërive të pacivilizuara si kjo e jona. Në vend që njerëzit të bëheshin më racionalë në demokraci, pasi ishte kohë tjetër e tash kishim parë botë me sy, deliri jo vetëm që nuk ra, por shpërtheu dhe më fort nga të gjitha skutat e ndërgjegjes, çka tregon se ne ende jemi një shoqëri me cene e vese, duke nisur nga nivelet më të larta të politikës dhe të shtetit.
Ne kemi pasur presidentë të fortë, kryeministra të fortë e gjer deputetë të fortë, që falë makinacioneve nga më të ndryshmet i kanë mbijetuar Kuvendit të Shqipërisë, duke qenë në jo pak raste i njëjti individ, herë në njërin e herë në tjetrin, nga tre formacionet politike të majta e të djathta: PS, PD, LSI. Teksa kemi pasur nevojë vetëm për qeveritarë normalë e jo “feudalë” në politikë. Muji dhe Halili do të fyheshin nëse do të kërkonim të bënim ndonjë qasje me këta “kreshnikët” e sotëm që përbetohen për vendin, kombin, demokracinë, a thua se kanë qenë zanat që iu kanë dhënë forcë nga qumështi i tyre. Sado të kërkosh ta përligjësh sojin e tyre me egocentrizmin, nuk është se gjen ngushëllim.
“Unë” është gjuha e cubit, e të fortit, atij që nuk ka gjë tjetër për të treguar, përveç muskujve të trupit. Pas 90-s u gjendën pa perspektivën e vetëprojektuar dhe sidomos pa ideale shumë individë, që në demokraci kërkuan ta realizonin veten duke iu përshtatur kohës së re, në fusha që nuk kishin asgjë të përbashkët me ta. Të mëdhenjtë, të shquarit, personalitetet, ata që kanë emër dhe vepër, nuk kanë nevojë për duk e mburrje. Askund në librat apo intervistat e Kadaresë nuk është fjala unë. As te dijetari i madh Eqerem Çabej. Uni nuk është as më parë te kolosët Fishta, Noli e Konica, përpos si individualitet krijues. Nuk e “njihte” këtë fjalë Lasgushi, Migjeni, Musine Kokalari, Petro Marko, Sejfulla Malëshova, Sabihat Kasimati, Aleks Buda, Frederik Shiroka, Idriz Ajeti, Bekim Fehmiu, Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Petrit Radovicka, Dritan Hoxha, apo në ditët e sotme Mentor Petrela, Visar Zhiti, Altin Prenga etj.
Kur tha ndonjëherë unë Gjon Shllaku, që solli “Iliadën” në shqip? Po Pashko Gjeçi që solli në shqip “Komedinë Hyjnore”? Mund të jetë e vetmja fjalë që Nënë Tereza nuk e ka shqiptuar asnjëherë. Nuk kishin asgjë të përbashkët me unin Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Arbër Xhaferi. Ndërkohë, bota është plot me të mëdhenj të “padukshëm”. Milan Kundera, që po përcjellim sot 94-vjeçar, një disident si ai, para 35 vitesh mori vendimin, për shumëkënd të çuditshëm, të mos jepte më intervista dhe të mos dilte në ekran. Çfarë e gjeti nga kjo? Asgjë. Vepra e tij rrëzellinte globin.
Të gjithë ata që janë dikush, nuk rrahin gjoksin as këmbët si VIP-a, nuk merakosen që nuk po vlerësohen sa janë gjallë, nuk rrojnë me frikën se historia nuk do t’i shkruajë. “Unë” ka vlerë vetëm në një përdorim, si përemër vetor i vetës së parë. Lakimi i tij gjuhësor është tejet i kufizuar, kurse ai vetjak tejet i konsumuar. Gjuhësisht shpesh kuptohet nga ligjërimi dhe nuk është nevoja as të shkruhet. Por “unë” nuk është fjalë, është psikologji e sëmurë, delir provincial. Ka të bëjë dhe me kapardisjen shqiptare, ballkanike, ku jo pak burra pozonin me nagantë në brez, si të ishin Isa Boletini apo Çerçiz Topulli. Në një malësi veriore përmendej me të qeshur një burrë që donte me shkue gjithmonë krushk i parë, po që për këtë shkak mbeti pa shkuar as në dasma. Sa batuta fshikulluese ka në popull për tipat që shkonin sokakut, me kokën përpjetë. E vërteta është se dhe tipat e sotëm janë po aq “folklorikë”, ndonëse të veshur me kostum e kollare dhe që ngasin makinat e fundit.
Burrat e odave, kur donin të thoshin diçka të veten, përdornin formulën: “siç ka pas thënë një burrë dheu”. Ismail Qemali pati thënë: “Ne e bëmë si e bëmë Shqipërinë, por Prend Doçi do ta bënte si ne e më mirë se ne”. Kurse njëri nga ish-krerët e sotëm të shtetit gjen vetëm dy kulme të lavdishme në historinë e Shqipërisë, epokën e Skënderbeut dhe LANÇ, ku në këtë të fundit kishte qenë i ati gjeneral, duke mos përfshirë Rilindjen Kombëtare, që, siç dihet, ishte një epope e penës më shumë se e pushkës. Ka një arrogancë të njerëzve të pushtetit, nga më të lartit te nëpunësit më të thjeshtë, që kanë diçka në “dorë”, ku në të vërtetë nuk kanë asgjë tjetër, pos të drejtave që ua njeh ligji qytetarëve e që duhet të shërbehen nga zyrat ku punojnë, po që këta i shohin si atribute të vetat, për t’iu bërë ndere disave e penguar disa të tjerë, kinse në emër të ligjit.
Publiku është gjithmonë i zemëruar me këta zyrtarë që “vrasin nalt” falë detyrave shtetërore që ushtrojnë. Duke analizuar protestat e para shtatë viteve në Gjermani, analisti i njohur Volker Wagener shkruante se mendjemadhësia e shtresave të larta në politikë e media ka bërë që të harrohen viktimat e globalizimit. Nëse ndokujt mund t’i dukemi tendenciozë në opinionet tona të lira ndaj qeveritarëve të sotëm, atëherë si shpjegohet, përpos se me sindromën e unit, roli i kreut të qeverisë në disa raste, si mosmbledhja para disa viteve asnjëherë e qeverisë me ministra të opozitës, qoftë dhe për një fotografi për arkivin e shtetit.
Ishin të “armikut”, por ama ishin ministra të Republikës, të votuar nga Kuvendi i Shqipërisë. I mbyll sytë nga mbrapa shokërisht Albin Kurtit, siç bëjnë adoleshentët me njëri-tjetrin, “gjeje se kush jam”, çka nuk ka të keqe, por ndryshon puna kur “vëllai i madh” refuzon njëanshëm mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Gjakovë me 14 qershor, për çka ishin dakordësuar. Pritet me protokoll shteti ish-presidenti Klinton dhe presidenti ynë i Republikës nuk ftohet, ku dhe dekoratën mikut ia jep Kryeministri, i vetmi protagonist i ceremonisë, bile dhe moderator i saj. Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon e më gjërë vihet re qëndrimi gjatë në politikë e disa liderëve të fortë të dashuruar fort me pushtetin, që e zënë fronin dhe nuk e lëshojnë më, si të jenë mbretër.
Zoti Rama pati përdorur dikur metaforën e timonit, por koha tregoi se nuk e lëshoi më nga dora as atë, e as tepsinë, natyrisht këtë të fundit ministra të qeverisë së tij, që po venë njëri pas tjetrit para drejtësisë. Na kujtohet me këtë rast thumbimi i Pjetrit, një shofer i viteve ’50 - ‘60 nga Perlati, që iu thoshte më të rinjve që donin të mësonin zanatin: “I zoti asht ai që di me e ndal makinën, pa me e nis, e bëjnë të gjithë”. Është shkruar shumë për problematika të tilla, nuk ka mbetur asgjë pa u prekur me laps e kamera televizive. Por kush ka dëgjuar? Çfarë ka ndryshuar? Udhëheqësit bëjnë sikur e dëgjojnë popullin, por vetëm sa për sy e faqe. Ka dalë ndonjëherë qeveria në konferencë shtypi dhe ka thënë, këtë gjë e bëmë nisur nga propozimi, shqetësimi, reagimi juaj, të nderuar qytetarë? Jo, sepse qeveria ka një publik të vetin, me të cilin “këshillohet” dhe i bën punët e bashkëqeverisjes, që përbëhet nga administrata dhe patronazhistët.
Kaq i duhen asaj për të duartrokitur, mbushur sallat, shkuar në përurime. Vetëm një dorë njerëz. Ata janë gjithmonë të kënaqur, iu shndrit fytyra, i kanë punët vaj, në mos rrjedhtë, pikon për ta. Modeli i udhëheqësit shqiptar të përhershëm (Berisha, Meta, Rama etj.) gjatë tranzicionit është zgjatur dhe në provincë te njerëzit e pushtetit, me “kredenciale” të deleguara nga shefat e qendrës. Ka kryetarë bashkish që kanë drejtuar dhe pesë mandate!? Të gjithë shfaqen krenarë në ekrane, nuk harrojnë të vënë në dukje meritat e veta, të prindërve të ndershëm e patriotë, të gjyshërve luftëtarë, a thua se kjo jetë si një “video” e shpëlarë nuk është dhe e atyre, në mos më shumë e atyre si pushtetarë.
Videot amorale, korruptive, kriminale që kanë dalë këto njëzet vjet kanë qenë të gjitha të lidhura me kryeministra, ministra, deputetë etj. Padyshim që përgjegjësitë janë individuale, por këneta e shoqërisë që i mbars monstrat e videove kësodore është “kolektive”. Këto shpërfaqje janë vetëm maja e ajsbergut të ndotjes së shoqërisë për shkak të politikës, çka do të thotë se udhëheqësit nuk e kanë rastin të krenohen. Megjithatë, me apo pa merita, me apo pa rekorde kriminale, të gjithë duan të qëndrojnë në “tregun” politik, mediatik etj. Nuk po rrimë të sjellim këtu vargun e fjalëve të urta të popullit mbi mendjen e madhe, por po citojmë vetëm njërën prej tyre, “Zoti të dhashtë bereqet n’tru”, që është lehtësisht e kuptueshme nga të gjitha moshat.
Ku po shkon kjo shoqëri që zgjohet e ngryset tash kaq muaj me fatin e kryepersonazhi të “reality show”-t të fundit, a thua se ky vend nuk është asgjë tjetër, veçse një “Big Brother” prej 28 mijë kilometrash katrorë? A ka shpresë për të dalë nga “kthetrat” e unit, d.m.th. të vetvetes? A mund të shpëtohen të rinjtë?
Ka vetëm një mundësi dhe ky është edukimi, shkollimi, leximi, iluminimi, nëse mund të thuhet: evropianizimi. Kultivimi përmes dijes dhe vetëmburrja e unit nuk rrinë dot bashkë. Është kënaqësi të dëgjosh të flasin individë që janë shkolluar në Perëndim dhe punojnë në institucione apo kompani të huaja. Gazetarëve iu duhet të bëjnë mundim t’iu nxjerrin atyre një fjalë për veten. Vetëm po erdhën në Shqipëri e i përfshiu politika, o do të përshtaten si gjithë të tjerët me hosananë për udhëheqësit, o do ta lënë tollovinë politike shqiptare e të kthehen aty ku ishin, siç dhe ka pasur jo pak raste…
©Ndue Dedaj/Panorama












