Opinione

Politikat identitare në SHBA ose Martin Luther King së prapthi - Nga Ernest Nasto

E hëna e tretë e janarit është festë federale në Shtetet e Bashkuara, dita kur festohet përvjetori i lindjes së Martin Luther King, udhëheqësit famëmadh të lëvizjes së të drejtave civile në vitet ‘50 - ‘60 të shekullit të kaluar, deri në vrasjen e tij me atentat më 4 prill 1968. Rëndësia e tij në historinë moderne të vendit është krejt e veçantë si frymëzuesi i kundërshtimit të sistemit të diskriminimit racor me mjete paqësore, që u kurorëzua me ligjin e 1964 për të drejtat civile dhe atë të 1965 për të drejtën e votimit. Ato ligje shënuan ndalimin e shfaqjeve të racizmit, të paktën në aspektin ligjor.

Siç ndodh shpesh me udhëheqës e mendimtarë të këtij rangu, edhe për King sot në Amerikë zhvillohet një debat i madh nga të dy anët e spektrit ideologjik, ku secila përpiqet ta përvetësojë trashëgiminë e tij për arsye politike. Kështu konservatorët venë në dukje ndryshimet pozitive të ndodhura qysh prej asaj kohe në trajtimin e pakicës me ngjyrë për të provuar se racizmi është dukuri tashmë e kapërcyer, siç dëshmoi edhe zgjedhja e presidentit Obama më 2008. Mirëpo kjo anashkalon pabarazitë e mëdha që ende vihen re sidomos në aspektin ekonomik, gjë që përputhet me prirjen e përgjithshme të politikave konservatore për ta parë pabarazinë si problem individual e jo si kërcënim për qëndrueshmërinë e tërë sistemit shoqëror. Dështimi i kësaj qasjeje u pa qartë me trajtimin që administrata Obama u bëri pasojave të krizës financiare të 2008, gjë që u kthye pastaj në faktor të dorës së parë në triumfin e Trump e të lëvizjes MAGA më 2016.

Por është krahu progresist ai që ka arritur sot t’i shkrijë idealet e të drejtave civile në ideologjinë “woke” dhe t’i transformojë në një botëkuptim gjithëpërfshirës të cilin King zor se do të mund ta njihte. Progresizmi woke, apo “anti-racizmi”, baza e një numri politikash identitare të kudondodhura e që shtohen dita-ditës, ngjan më tepër sot me një lloj të ri besimi fetar, sesa me një ideologji në kuptimin tradicional të fjalës.

- ajo ka mëkatin e vet origjinal: qenien pjestar i racës së bardhë. Nëse ke patur fatin e keq të kesh lindur i tillë, atëherë je automatikisht “i privilegjuar”, edhe në qofsh punëtor i thjeshtë, apo edhe i pastrehë;

- ajo ka teologët e saj: autorë të tipit të Ibram X Kendi (shpikësi i termit “anti-racizëm”) apo të Robin DiAngelo, pikëpamjet e të cilëve merren si ungjill i pastër;

- ajo ka dogmat e veta të pakundërshtueshme: më kryesorja ndër to është ajo që “Amerika është e themeluar mbi racizmin, ajo ka qenë e vazhdon të jetë e tillë, dhe asgjë s’ka ndryshuar gjatë këtyre 60 viteve që prej lëvizjes së Martin Luther King”;

- ajo ka kastën e vet të klerikëve e zelltarëve: moria e atyre që ofrojnë kurse trajnimi në parimet e “anti-racizmit”, një industri shumëmilionëshe, në rritje e zhvillim të pandërprerë;

- ajo ka edhe mënyrën e vet të shlyerjes së mëkatit origjinal: të mbyllësh gojën e të mos thuash asgjë për të kundërshtuar dogmën me fakte dhe logjikë. Nëse, larg qoftë, kapesh në një gabim të vockël se mund të kesh ofenduar disi, e krejt padashje, një person me ngjyrë, duhet të kërkosh falje me përunjësi, me zvarritje e puthje këmbësh, nëse kërkon të ruash vendin e punes dhe reputacionin vetjak.

Martin Luther King do të tmerrohej sot nëse do të shihte se ku është katandisur ëndrra e tij. Ideologjia woke dhe anti-racizmi s’kanë pothuaj asgjë të përbashket me King dhe janë kthim sëprapthi i tërë aspiratës për të “gjykuar njerëzit nga karakteri e jo nga ngjyra e lëkurës”. Ato duhen hedhur poshtë me vendosmëri nëse Amerika synon ta arrijë atë aspiratë, si edhe idealet më të mira të themeluesve të saj.

© Ernest Nasto