Blog

‘Heronjtë’ e bulevardit dhe patriotët e harruar - Nga Klodi Stralla

Kolë Laku nuk është midis atyre “heronjve” që Bashkia e Tiranës ka ekspozuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me rastin e 75 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë, por aty janë shokët e tij të idealit dhe veprimtarisë që, pas luftës kundër okupatorit nazi-fashist, fshehën agjendën sllavo-komuniste për robërimin e Shqipërisë dhe eliminimin e patriotëve të saj të vërtetë.

Ishte 5 nëntor i vitit 1943, herët në mëngjes, kur rruga tregtare e Durrësit u trondit nga krisma e një arme. Më pas u mor vesh se ishte vrarë Idhomeno Kosturi, Kryetari i Kuvendit Kombëtar (Parlamentit). Ai u vra në derën e vilës së tij në kohën kur po dilte për të shkuar në Tiranë. Kishte vetëm 24 orë që ishte zgjedhur në atë detyrë dhe shkonte në kryeqytet për të ushtruar funksionet e tij kushtetuese. Atentati ndaj Kosturit u vendos nga Qarkori i Partisë komuniste për Durrësin dhe u zbatua nga Njësiti gueril i qytetit. Atë e kreu atentatori durrsak Kolë Laku, një i ri komunist 22 vjeçar. Në shkurt 1944 ai u kap, u gjykua, u dënua me vdekje me varje në litar dhe u ekzekutua në sheshi përpara Parlamentit, në Tiranë.

Viktima ishte Idhomeno Kosturi, djali i dytë i patriotit të njohur korçar, Jovan Cico Kosturi. Dy vëllezërit e tij, Spiro dhe Kostaq Kosturi, ishin dëshmorë, vrarë për çështjen kombëtare.

Idhomeno lindi në Korçë më 1873. Mësimet fillestare i mori në qytetin e lindjes dhe më pas i vazhdoi në Boston të Amerikës dhe në Gjermani në degën e historisë. Kthehet në Shqipëri në prag të shpalljes së Pavarësisë dhe i përkushtohet çështjes kombëtare. Është delegat i Kongresit të Durrësit në 1918 dhe i Kongresit të Lushnjes në 1920. Ky kongres e zgjodhi Drejtor të Postë-Telegrafës shqiptare. Gjatë krizës politike të dhjetorit të vitit 1921 u emërua kryeministër i qeverisë teknike. Gjatë pushtimit fashist ai qëndroi i mënjanuar dhe u mor vetëm me tregëti, por në Tetor të vitit 1943, kur vendi rrezikohej të binte në kthetrat sllavo-komuniste, mori pjesë dhe u zgjodh Kryetar i Kuvendit Kombëtar (parlamentit) shqiptar në kohën e pushtimit gjerman. Pikërisht për shkak të kësaj detyre, u ekzekutua nga Njësiti gueril i Durrësit. Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut nga Këshilli i Naltë në Nëntor 1943, por sot i është harruar edhe emri.

Pas lufte, gruaja dhe djali i tij i vetëm vuajtën kalvarin e gjatë të burgjeve, internimeve dhe shpronësimeve komuniste.

Sot, shumë prej shokëve të Kolë Lakut, “zbukurojnë” bulevardin qendror të kryeqytetit si “heronj” që na sollën lirinë, ndërkohë që patriotët e vërtetë i ka mbuluar heshtja dhe nuk u dihet as varri. Kështu ndodh me ata popuj që humbasin kujtesën. Turp!