Vende & Zakone

Amantia - Nga Kastriot Fetahu

Ese

Pasi morëm bypass-in e Vlorës, u kthyem në një rrugë ndarëse me tabelën Selenicë. Duke udhëtuar vështroja se rruga të ofronte një pamje të bukur, ishte e shtruar. E përbashkëta e rrugëve shqiptare krahasuar me ato amerikane është se këto kanë një nuancë të zbardhur ngjyrë dheu. Shiu i patharë i tregon me ngjyrë të zezë, por nuk vazhdon shumë ky imazh.

Pasi përshkuam disa fshatra në rrugën e Lumit të Vlorës, mbërrijmë në Vajzë, ku ndodhet busti i artë i Ali Asllanit, aq i bukur.  Ali poeti. A ka poet jo të bukur? Aliu i famshëm i vargjeve lapidare… Aliu, edhe një burrë i vërtetë kishte kryer detyra të larta shtetërore si nënprefekt në shumë vende, kryekëshilltar i Ismail Qemalit, sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë në qeverinë e 1922 dhe kryetar i Bashkisë së Vlorës, i lënë në hije nga regjimi komunist.

Pak metra më tej, busti i Heroit të Popullit Perlat Rexhepi. Me veneracion qëndrova përpara tij. Unë i dua heronjtë e luftës në të gjithë botën. Shpesh ata i përzien politika si pjesë të saj. Jo, nuk ka hero politik, ka vetëm hero atdhetar në mendimin tim.

Për kuriozitet, Partia Komuniste edhe në ‘45 ishte ilegale. Ndaj heronjtë janë gjithmonë të Popullit dhe Atdheut. Perlati, trim bashkë me shokët e tij, Branko Kadia dhe Jordan Misja, nipi i të cilit me të njëjtin emër më ka dhënë leksione në fakultet.

Vazhduam edhe pak derisa mbërritëm në fshatin Plloçë në të cilin ndodhet qyteti antik i Amantias. Përpara meje, madhështia e një stadiumi 2300-vjeçar. Në atë kohë kanë jetuar edhe Qezari, të cilin e përkrahën Amantët në luftën kundër Pompeit, apo Mark Aurelius më vonë, perandori filozof. Mendova se askush nuk mund të më thotë nëse janë ulur ata në ato shkallë stadiumi, apo Justiniani i I pas tyre që edhe e rifortifikoi Amantian.

- Pëllumb, ky është Coloseumi ynë, - i thashë mikut tim. - Ky tregon rrënjët tona të vjetra dhe nuk është as afër Greqisë e afër asnjë shteti. Ky është identiteti im dhe unë i kam borxh këtij identiteti, përderisa kjo histori nuk flet në përditshmërinë e saj.

Nuk e di nëse janë komb maqedonasit, por di që kanë fabrikuar histori në Ohër me buste dhe monumente të emrave inekzistentë në histori. Serbia, me Manastirin e Deçanit, përpunon historinë Çubrilloviçiane që Kosova është Serbi. Nuk kanë serbët “Amantia”, nuk kanë as kombet nga Serbia e deri në Kamçatka të Siberisë një Amantia, ndaj ndihem evropian më shumë se të gjithë këta, po mua më duket sikur ne e vdesim historinë tonë.

Nuk e di ku ndodheshin popujt sllavë kur u inaugurua ky stadium, nuk di nëse ishin në pemë apo të lyer me blu, nuk jam historian, por di që ata nuk e kanë kurrë një Amantia.

E vizitova atë dhe njerëz, britma, kuaj, luftra në veshët e mi. Britma që më sjellin në vëmendje Tim Rothe tek “Pianisti mbi oqean”.

Senatori e pyeti atë “Çdo t’iu pëlqente të bënit më shumë kur të ktheheni në shtëpi?”

Ai iu përgjegj: “Ajo që më pëlqen të bëj më shumë në Paris është të pres nën kullën Eifel, për njerëzit që hidhen nga maja dhe të përpiqem të gjej nga ç’vend janë nga ulërimat e tyre, para se të përplasen në tokë.”

Kjo është Amantia në imagjinatën time të ndezur. Do ta kundërshtoja Alexis de Tocqueville, historianin e famshëm francez: “Historia, perceptohet lehtësisht, është një galeri fotografish që përmban një mori kopjesh dhe shumë pak origjinale.”

Diskutimi i një vepre origjinale është një proces kërkimi i origjinës, i eksplorimit të themeleve të qytetërimit tonë.

Amantia është këtu edhe pas 2300 vjetësh dhe gurët e saj janë si piramidat që nuk mund t’i shkulësh dhe as e dimë se si i kanë ndërtuar.

Sa ka luftuar ky popull, mendova, sa janë munduar t’ia zhdukin këta gurë të këtyre shkallëve, por nuk kanë mundur. Historia jonë shkëlqen me rrezatimin e tyre, jo vetëm nga dielli. Duke u larguar mendova… ku ndodhet hyrja e këtij stadiumi apo qytetit. Nuk e di ku kanë përfunduar gurët e saj, në Stamboll, Romë apo Vjenë…

Shumë hordhi kanë kaluar këtyre anëve që edhe pse kanë vjedhur hyrjen, nuk e zhbënë dot qyteterimin e Amantias, i cili që para 2300 vitesh kishte monedhën e tij.

Më pas ndaluam për të drekuar në atë lokalin me shpellë të Vajzës. Ata shkëmbinj, më duken prej bazalti, janë aq gjigantë dhe atë kabash me dhallë në atë vend nuk di ku mund ta gjej të tillë jashtë kufijve. Atje kishte plot gjëra, kuzhina tradicionale shqiptare është magjike, si mish të pjekur disa llojesh, por nuk mund të kthehesha në Amerikë pa shijuar harapashin dhe atë tavën me gjizë, të bërë me zjarr, me gjalpin e baxhos së tyre. Nuk ke një shans tjetër t’i gjesh askund kështu.

U kthyem…

- Velça është pak më tej, - tha Pëllumbi. - Ti nuk e di, se nga Velça është Kujtim Beqiri, nga burrat e mëdhenj që nuk diskuton askush sot.

Kujtim Beqiri është inxhinieri i romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës, që përpara togës së pushkatimit nuk pranoi të lidhte sytë dhe kërkoi të qëllohej përballë. Vasil Mingës, që u rrëzua pak para pushkatimit, ai i kërkoi si lider që të ngrihej dhe të vdiste në këmbë.

I thashë Pëllumbit se kur e kam lexuar “Këneta” në fëmijëri, nuk e kam urryer dot as Kujtimin, i cili në roman kishte mbiemrin Shaqiri, dhe as Abdi Sharrën, që realisht kishte emrin Abdyl, të dy bij jo vetëm trima, por edhe kanë nderuar Shqipërinë jashtë me inteligjencën e tyre.

Kujtim Beqiri mbaroi universitetin në Vjenë dhe edhe pas 40 vjetësh si student, pasi ishte vrarë, doli emri i tij si medalist i artë në atë universitet sipas rregullave të tyre.

A mund të na e falë koha vrasjen e bijve më të mirë dhe më të mençur?

Si inxhinier, edhe sot mendoj se Kujtim Beqiri nuk ishte sabotator. Një inxhinier mund të japë zgjidhje të gabuara, por nuk mund të sabotojë punën e tij në një Atdhe të lirë. Jo, absolutisht, as unë nuk do e bëja.

Familja e tij ishte me traktor që në vitin 1930 të shekullit të kaluar, derë burrash të shquar dhe miq po me njerëz të shquar, njëri prej të cilëve gjenerali Saliko Sulo, i cili vrau ballistin pas luftës kur ai i tha: “Ja ku jemi të dy nga lufta.” Radikalizëm i kulluar, por çfarë mendoj është se burrëria e Labërisë ka idealizëm ekstrem dhe, nëse e bind labin pse duhet të luftojë, burrat e kësaj zone nuk e njohin më tej ndryshimin. Kujtoj se një gjeneral vrau mbesën partizane, pse ngeli shtatzanë, apo një kolonel pas lufte bëri grevë urie për ti dhënë me dëshirë fund jetës. Burrat e Labërisë me grintën e tyre energjike janë për Guinness edhe për besnikëri.

Liderët politikë kanë përfituar gjithmonë me këtë cilësi të veçantë të kësaj krahine.

Saliko Sulo i shkoi në burg Kujtimit dhe ai i tha: - Nuk ka inxhinier që saboton punën e tij.

Sa kënaqësi se jam inxhinier me profesion dhe e kuptoj aq saktë një shqiptar të madh si Kujtim Beqiri.

- Gjyshi im, - tha Pëllumbi, - ishte shok me këta dhe i emëruar nga Stambolli, se atje u shkollua si hoxhë.

Sa kemi humbur edhe në këtë drejtim, mendova.

Enveri e bëri kolonel Salikon dhe e përjashtoi nga ushtria për radikalizmin e tij.

Vazhduam bisedën, por Ali Asllani, Amantia, Kujtim Beqiri dhe fshatrat e Lumit të Vlorës, “uzinë historie”, më shoqëruan edhe pasi mbërritëm në resort.

Pyetja “A humbet historia jonë në mjegullën e shekujve” nuk po më ndahet…

Sa shumë shqiptar u ndjeva kur “pashë” një copë histori live!

© Kastriot Fetahu - Radhimë 12.08.2025