A jemi gati ta bëjmë Shqipërinë? - Nga Endrit Mullisi
- Nga: Endrit Mullisi - Toronto
Sikur më është lodhur veshi dhe syri me shprehjen "Shqipëria bëhet, apo s'bëhet"? Çfarë duan të thonë njerëzit kur shprehen kështu? Pas çdo diskutimi politik, pas çdo ngjarjeje që trondit vendin, pas çdo përpjekjeje për të parë një dritë në fund të tunelit, kjo pyetje shfaqet si një refren i pandryshueshëm. Por nëse e analizojmë më thellë, çfarë fshihet pas saj?
Mendoj se në thelb, pyetja që vërtet shqetëson njerëzit është: A mund të jetohet në Shqipëri pa të vajtur mendja të emigrosh? Sepse, nëse një vend është vërtet i "bërë", atëherë qytetarët e tij nuk e ndjejnë nevojën të ikin, të largohen me një biletë vetëm vajtje, duke kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër. Shqipëria, ndonëse ka ndryshuar dhe ka ecur përpara në disa drejtime, vazhdon të prodhojë të njëjtën ndjenjë pasigurie, të njëjtën mungesë shprese që detyron njerëzit të shikojnë përtej kufijve.
Që një komb "të bëhet", duhet më parë "të zhbëhet". Duhet të analizojë dhe të përballet me historinë, me gabimet, me dështimet dhe të gjejë rrugën për t'u rindërtuar mbi një bazë të shëndoshë. Por, a është "zhbërë" Shqipëria?
Komentet janë të ndryshme, por shumica e shqiptarëve janë të palumtur me atë lloj Shqipërie që u ndërtua pas vitit 1991.
Ishte një tranzicion i gjatë dhe i lodhshëm, i mbushur me zhgënjime, me iluzione të thyera dhe me një shpresë gjithnjë e më të zbehtë. U premtua demokraci, por ajo shpeshherë u keqpërdor. U premtua drejtësi, por ajo u ble dhe u shkatërrua. U premtua zhvillim ekonomik, por ky zhvillim ka mbetur vetëm për disa. Ndërkohë, shumica e popullsisë ende lufton me pasigurinë ekonomike, me korrupsionin, me mungesën e meritokracisë dhe me ndjenjën se Shqipëria nuk është një vend për të gjithë.
Pra, pyetja nuk është nëse Shqipëria mund të bëhet, por a jemi gati ta zhbëjmë atë që u ndërtua keq? A kemi guximin të kërkojmë përgjegjësi? A kemi vizionin për ta ndërtuar ndryshe? Apo do të vazhdojmë të përsërisim të njëjtën pyetje, deri kur të mos mbetet më askush për të pyetur?
Dhe më tej, disa pyetje praktike që secili duhet të bëjë ndaj vetes ndersa mendon per "berjen e Shqiperise":
Nëse ti e ke marrë shkollën pa meritë dhe punën që po bën e ke sepse ti apo familja jote janë përfshirë në politikë, a ta mban ta zhbësh këtë gjë?
Nëse ke ndërtuar shtëpinë në tokën e dikujt i cili ende nuk ka marrë as tokën dhe as dëmshpërblimin për tokën që ti, paraardhësit e tu apo ata që ja ke blerë e kanë zaptuar, a je i gatshëm të bësh pjesën tënde të dëmshpërblimit?
Nëse bizneset e tua janë krijuar me mënyra të pamoralshme, të paligjshme - por të pranueshme për një pjesë të shqiptarëve, a je i gatshëm t'i lësh dhe të rregullohesh me ata që i ke dëmtuar?
E ardhmja e Shqipërisë nuk është një çështje fati, por një zgjedhje. Dhe pyetja e vërtetë është: A jemi gati ta bëjmë Shqipërinë?
© Endrit Mullisi - Toronto








