Kolumnist

Fjalët që vrasin më parë se armët

Nga: JETA DEDJA

Ç’të thuash më parë kur dëgjon lajmet për një grua që vret burrin apo një burrë që vret gruan, një djalë që vret një vajzë, apo një djalë që vret prindërit? Sot disa thumbonin për barazinë gjinore shoqatat e grave, a thua se barazia gjinore në vrasje është një statistikë që vlen të trumbetohet, por as të përligjet nuk vlen. Përsa kohë jeta zhvlerësohet në të qindin e sekondës apo qoftë edhe 24 orët e fundit, nuk ka vend për debate se kush vrasin më shumë gratë apo burrat.

Fakti është që vrasja nuk njeh gjini, as moshë, as familje, as shoqëri, as kombësi. Por vrasja njeh mirë varfërinë, pushtetin, drogën, prostitucionin, xhelozinë, psikopatinë, hakmarrjen, frikën, injorancën.

Na dhembin lajmet e vrasjeve të vajzave të reja nga djem po të rinj, por emocionalisht aguridhe, embrionalë në gjykime. Tronditëse janë vrasjet brenda familjes, makabritetet në sy të fëmijëve, të cilëve përjetë nuk do t’u shqiten skenat mes prindërve të tyre. Kush e kish menduar që do të shtoheshin në masë edhe parisidet-vrasjet e prindërve. Po në këtë masë edhe vetëvrasjet. Mes qindra këmbanave që duhet të bien në Shqipëri, një prej tyre duhet të jetë edhe çështja e shëndetit mendor. Por kjo nuk mund të bëhet me urdhra të komanduar psikologësh.

***

A është në kulturën tonë kombëtare të vrasim? A është sjellje tipike shqiptare që një djalë të vrasë një vajzë kur ajo e refuzon? Apo një burrë të vrasë gruan kur ajo kërkon divorcin? A është tipike shqiptare të hiqen qafe prindërit kur nuk të lënë trashëgimi? A është tipike shqiptare të vrasë gruaja burrin për hakmarrje apo xhelozi?

A na kanë mësuar prindërit që të vegjël që nëse dikush na fyen ta vrasim? A na kanë mësuar të rrahim gratë e të vrasim burrat nëse nuk i duam më?

A na kanë mësuar në shkollë e familje që nëse na refuzojnë dashurinë të hakmerremi? A na kanë mësuar që nëse japim duhet të marrim, përfshirë këtu edhe jetën?

Përgjigja automatike që mund ti vijë gjithsecilit për këto pyetje është “JO”. Por ç’mund të themi për shprehjet:

“Ta marr shpirtin”

“Të vdiqa”

“të mbys me duart e mia”

“të bëfsha gropën”

“të shtifsha në dhé”

“do të vras”,

“do ta këpus kokën”

“të rëntë damllaja”

“të hëngërt mortja”

“të plaçin  sytë”

“të rentë mishi copa–copa”

“të griva mishin me gërshërë”

Këto janë disa shprehje shqiptarësh, (lista është më e pasur) të përdorshme në situata mosbindjeje fëmijësh, apo mes motra-vëllezërish apo mes bashkëshortësh.

Ka që mund të thonë se nuk të gjen gjë nga fjala. Por “fjala bën hatanë”-thotë populli, ose gjuha do thoshte Ezopi i mençur. Janë shprehje që artikulohen në formë mallkimi e kërcënimi. Ata që i përdorin synojnë efektin edukues, disiplinues, riedukues, por nëse ngecin në personalitetin e atij që kërcënohet, apo disiplinohet, ç’pritet të ndodhë? Sigurisht që dalëngadalë do marrë formë një personalitet me plot frustracione që dikur do gjejë rrugë shpërthimi, diku me refuzime, rebelime, ftohje, largime, agresivitet, deri edhe në vrasje.

Dhe vjen një ditë kur çuditemi: Uaa si ndodhi, ai ishte djalë i mirë, ajo ishte gocë e urtë…

E pra, janë grumbullime ditë pas dite të fjalëve që vrasin më parë se armët.  

 

P.S. Kjo nuk do të thotë që vrasjet vijnë vetëm prej këtyre shprehjeve, janë plot faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm që ndërthuren. Por unë preferoj të ndalem shkurt në mënyrë që diçka të mbetet në kujtesën afatgjatë të lexuesit.