“Ushtari i mirë” Bajram Begaj - Nga Ilir Gjini
Më shumë se një shekull më parë, shkrimtari brilant Jaroslav Hashek krijoi personazhin e Shvejkut, një nga perlat më të ndritshme të satirës letrare. Emrin ia huazoi një deputeti çek, Shvejk, i bërë i njohur për numrin e pallogaritshëm të marrëzive që nxirrte nga goja, pa qenë as vetë i vetëdijshëm për atë që llomotiste.
Në romanin e Hashekut, Shvejku, përmes satirës, naivitetit dhe bindjes së verbër ndaj autoriteteve, shndërrohet në një simbol të absurditetit të luftës.
Në rastin tonë, personazhi Bajram Begaj u krijua nga kryeministri ynë i gjatë e pushtetgjatë, si një loço oborri që firmos me sy mbyllur të gjithë fermanet e tij, madje edhe kur ata shkelin Kushtetutën.
Dekreti mbi zgjedhjet vendore të Tiranës, në një kohë kur kryetari i burgosur i Bashkisë i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, përbën një akt servilizmi deri në pështirosje nga një person që busull orientuese duhet të ketë Kushtetutën. Ishte detyra e vetë Presidentit që, për një konflikt mes pushtetit vendor dhe ekzekutivit, t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për interpretim. Por Presidenti Begaj merr përsipër të interpretojë ligjin, duke anashkaluar Gjykatën Kushtetuese, gjë që përbën një precedent të rrezikshëm. Një precedent që përdhos të drejtën e individit për t’u prezumuar i pafajshëm (pavarësisht emrit të personit), deri në një vendim gjyqësor përfundimtar.
Ky akt i paprecedent, në një vend që pretendon të jetë demokratik, ku kreu i shtetit duhet të qëndrojë mbi palët, por në vend të kësaj shndërrohet në shërbëtor të palës pushtetmbajtëse, dëshmon se jetojmë në një republikë bananesh. Në një status të goditur, gazetari Agim Xhafka shkruan: “Donim një president mbi palët, por na doli një president i palosur!”
Për të analizuar këtë katrahurë alla Begaj, na vjen në ndihmë personazhi famoz Shvejku. Ja disa nga pyetjet dhe përgjigjet që i bëheshin atij, sipas sistemit të doktorëve të psikiatrisë Kalerson, Heveroh dhe anglezit Vejking:
A është radiumi më i rëndë se plumbi?
- Nuk i kam peshuar ende, - u përgjigj plot dashamirësi Shvejku.
A besoni në fundin e botës?
- Së pari, do të duhej që ta shihja me sytë e mi këtë fund, - u përgjigj pa të keq Shvejku. - Por natyrisht, ai s’do të ndodhë nesër.
A do të ishit në gjendje të llogaritnit diametrin e Tokës?
- Këtë s’jam në gjendje ta bëj, - tha Shvejku.
Dhe shtoi:
- Po edhe unë, zotërinj, do të doja t’ju bëja një pyetje: ta zëmë se kemi një shtëpi trekatëshe. Secili kat i saj ka tetë dritare. Në pullaz ka dy baxha dhe dy oxhaqe. Në secilin kat banojnë dy qiraxhinj. A mund të më thoni tani, zotërinj, në cilin vit vdiq gjyshja e portierit të asaj shtëpie?
© Ilir Gjini - Toronto












