Këshilli Koordinativ apo Konspirativ i Diasporës? Kush do ta përfaqësojë Kanadanë?
- Nga: Redaksionale
Më në fund Diaspora shqiptare do të ketë përfaqësuesit e saj të cilët do të koordinojnë marrëdhëniet me vendin amë.
Ky do të jetë Këshilli Koordinues i Diasporës. Ndër 15 anëtarë të tij, 2 do të jenë nga diaspora shqiptaro-kanadeze. Por a do të jetë ky këshill thjesht një organ më shumë në strukturat e ngritura nga qeveria shqiptare, apo do të jetë një këshill serioz, autoritar, me zë dhe figurë të pastër, pra i hapur dhe transparent?!
Kjo mbetet për t’u parë në 18 dhjetor 2018, në ditën kombëtare të Diasporës, pikërisht atëherë kur do të mblidhet për herë të parë ky këshill- siç parashikon neni 21, i ligjit 16/2018 “Për Diasporën”.
Mos duhet të presim deri atëherë për t’u njohur me kandidatët e këshillit, apo mos duhet që për hir të transparencës së proceseve të zgjedhjeve, siç do t’i kishte hije këtij këshilli apartiak, ende të palindur apo siç do t’i kishte hije përfaqësive diplomatike asnjanëse të na viheshin në dispozicion emrat bashkë me jetëshkrimet e tyre?
Flasshqip, në emër të të drejtës për informim dhe transparencë, bazuar në ligjin 119/2014, përmes një e-maili drejtuar ambasadës shqiptare në Ottawa, shoqatave që veprojnë në Kanada, kërkoi informacion, ndër të tjera edhe se cilët janë kandidatët për në këshill. Por Ambasada nuk dha asnjë emër kandidati, vetëm na informoi se janë 4 kandidatura të propozuara nga shoqatat që i janë përgjigjur kërkesës së ambasadës për pjesëmarrje në këtë proces, të cilin ambasada e ka nisur që në muajin prill, 2 muaj para se Këshilli i Ministrave të nxirrte vendimin për zgjedhjen e anëtarëve. Gjithsesi, përgjigja e ambasadës tonë citon vetëm provincat e Ontarios, Alberta-s, Quebec-ut dhe British Columbia-s, pa detajuar emrat e shoqatave. Theksojmë se në Kanada rezultojnë të rregjistruara të paktën 12 shoqata aktive dhe jo vetëm në këto katër provinca, ku edhe shoqatat e këtyre të fundit nuk janë kontaktuar të gjitha. Nga ana tjetër, shoqata të caktuara, lidhur me këtë pikë na kthyen si përgjigje: pyesni ambasadën. Por jo të gjitha shoqatat e kontaktuara në Kanada nga ambasada reaguan pa transparencë. Falenderojmë kryetarët e shoqatave të British Columbia, Hamilton, Calgary dhe London për integritetin e tyre.
Interesimin tonë mbi këtë proces e vazhduam me komunikimin me zyrën e Ministrit të Diasporës, prej nga morëm vesh që në datën 9.07.2018 u është dërguar ambasadave baza ligjore për përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin Koordinativ të Diasporës.
U çuditëm pak, pasi ambasada jonë në Ottawa, përmes një e-maili na informonte se e kishte filluar që në prill këtë proces. Mos ndoshta ka hyrë në "valle" dhe ka dërguar ndonjë udhëzim ekstra ministri i jashtëm?
Si në çdo proces zgjedhor, transparenca është A-ja, përndryshe do të dyshonim se ministri i jashtëm ka dorë në këtë proces, edhe pse nuk duam ta mendojmë këtë. Por gjithashtu nuk besojmë se ambasadori do të shkelte ligjin për të drejtën e informimit dhe transparencës. Mos vallë ministrat Bushati dhe Majko kanë dërguar ndonjë udhëzim nëpër ambasadorë që të mos i tregojnë kandidatët? Jo, jo ministrat nuk merren me vogëlsira. Ata me siguri janë koordinuar me njëri-tjetrin. Apo jo? Apo mos ndoshta vetë shoqatat nuk kanë qejf t’i ekspozojnë kandidatët e tyre. Mos është thjesht çështje xhelozie? Apo pushteti? Apo paaftësie?
Sipas vendimit nr.340, dt 06.06.2018 “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të këshillit koordinues të diasporës”, përfaqësuesit e diasporës, kandidatë për anëtarë në Këshillin Koordinues të Diasporës, përveçse duhet të kenë integritet të lartë dhe reputacion në komunitetin ku ata jetojnë; duhet të kenë aftësi për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës. Gjithashtu duhet të jenë persona të spikatur në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, sportit etj., apo të suksesshëm në fushën e biznesit; Të jenë persona të njohur në fushën e filantropisë dhe të kenë kontribuar në çështje që lidhen me diasporën apo vendin e origjinës; Të jenë pjesë aktive e forumeve organizative të diasporës në vendet pritëse.
Flasshqip ende kërkon të dijë cilët janë kandidatët për diasporën shqiptaro- kanadeze? Nëse këta persona janë njerëz me integritet, ashtu siç ligji e kërkon, nuk do të ishte problem as për ta dhe as për ambasadën shpallja e tyre për publikun shqiptaro-kanadez. Përkundrazi mund të shërbente si motivim për plot shqiptarë të tjerë të konkuronin me vlerat e tyre në një proces të drejtë e të hapur. Ligji nuk e kufizon numrin e kandidaturave. Mjafton të jenë jo më pak se 4. Si rrjedhojë, sa më shumë kandidatë, aq më mirë do t’i shërbente procesit të zgjedhjes së më të përshtatshmëve.
Dihet botërisht që njerëzit e suksesshëm, ata që aspirojnë dhe pranojnë të konkurojnë, e marrin parasysh heqjen dorë nga diskrecioni. Jetëshkrimet, kualifikimet, apo çmimet që ata kanë marrë nuk do të përbënin problem të thuheshin e përmendeshin në media, përkundrazi shumë prej tyre e kërkojnë vetë këtë gjë. Prandaj, në këtë logjikë, sërish për Flasshqip, nuk ka sens mosdeklarimi i emrave të kandidatëve.
Duhet thënë që sipas ligjit për diasporën dhe VKM-së përkatëse, faza e dërgimit të propozimeve të kandidaturave pranë ministrisë së Diasporës zgjat deri në 31 gusht 2018. Në këto kushte, Flasshqip do të jetë në pritje që ambasada shqiptare në Kanada të reflektojë në procedurat e përzgjedhjes sipas rregullores që ministri i shtetit për diasporën i ka dërguar në dt 9.07.2018. Sepse me përgjigjen që ambasada na ka dërguar në redaksi, rezulton se në datën 10 korrik përfaqësia ka dërguar kandidatët e përzgjedhur. Pra, vetëm për 24 orë. Nuk e kuptojmë arsyen e urgjencës, kur afati është deri më 31 gusht, dhe marrja e vendimit të zgjedhjes së tyre është deri në 18 nëntor. Dhe nuk kuptojmë as arsyen se pse në faqen e ambasadës apo në rrjetet sociale të saj, nuk është shpallur njoftimi për propozime kandidaturash. Zgjedhja e këshillit Koordinativ të Diasporës po ndodh për herë të parë në histori dhe është një çështje shumë serioze dhe me interes për diasporën shqiptare. Çdo ambasador duhet ta vlerësojë këtë ngjarje për nga rëndësia, më tepër sesa fotot e takimeve të tyre që nuk harrojnë t’i postojnë. Kujt po i shërben ky proces i mbyllur?
Ndërkohë që ligji 16/2018 “Për Diasporën” shprehet në nenin 20, pika 4 se “Vendi i origjinës nuk ushtron influencë në procedurat dhe kushtet e zgjedhjes së përfaqësuesve në Këshill”, ne konstatojmë se vetë vendi i origjinës përmes përfaqësive diplomatike është koka e procesit, dhe doemos që koka influencon shumëçka tjetër.
Idealja do të ishte, ashtu siç disa kryetarë shoqatash kanë deklaruar në intervistat e tyre në Flasshqip.ca, që organizatat të mblidheshin të gjitha në një kongres, e në pamundësi edhe në forume online, pa përjashtuar këtu edhe individët e paanëtarësuar gjëkundi, e të diskutonin me këtë rast kandidatët derisa të përzgjidhnin ata që do të merrnin pëlqimin e shumicës. Këta do të ishin kandidatët më me integritet e të pavarur, që do të përfaqësonin diasporën shqiptaro-kanadeze.
Përndryshe, shoqatat mbetet të propozojnë ose kryetarët e vet ose anëtarët e bordit, me kontribute më tepër lokale sesa kombëtare. E kështu do të arrihet një këshill po aq i varur e apatik, sa edhe zyrtarët e shtetit shqiptar. Në mos, ky proces është veç një farsë a eksperiment i rradhës. Prandaj siç duken bathët, kështu siç është vepruar deri më sot, duket sikur nuk po punohet për krijimin e Këshillit Koordinativ të Diasporës, por po punohet për krijimin e Këshillit Konspirativ të Diasporës
©Flasshqip.ca











