Çmenduri në Helsinki
- Nga: Eric Margolis
Është kjo një komedi? Fatkeqësi? Çrregullim mendor? Humbje dëgjimi?
Edhe disa ditë pas shfaqjes së çuditshme të Presidentit Donald Trump në Helsinki përkrah presidentit të qetë Vladimir Putin, është e vështirë të thuhet se çfarë ka ndodhur. Por sigurisht që është argëtuese.
Në rast se dikush e ka humbur këtë ngjarje, më lejoni të bëj një përmbledhje. Trump u takua në një takim privat (me dyer të mbyllura) me Putin, i cili ka irrituar shumë burokratët e të dyja palëve. Për momentin Trump nuk do të zbulojë shumë nga ajo që u tha mes dy udhëheqësve.
Por pas takimit presidencial, Trump iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve duke thënë se ai besonte se Rusia nuk kishte asnjë rol në përpjekjet për të përgjuar Partinë Demokratike gjatë zgjedhjeve. Pakënaqesia shpërtheu në gjithe SHBA-të. "Trumpi beson rusët më shumë se agjensitë e tij të inteligjencës" -vazhduan ulërimat. Trumpi është një tradhtar, akuzuar nga disa prej demokratëve më të egër dhe republikanëve neokonservatorë. Pak amerikanë donin ta dëgjonin të vërtetën.
Zemërimi në Amerikë ishte aq intensiv sa që Trumpi u tërhoq dhe pranoi se ka gabuar nw deklarimet e tij. Po, ai pranoi se rusët kishin futur hundët në zgjedhjet e SHBA-ve. Por duket se u tërhoq përsëri nga kjo deklaratë.
Gjithçka ishte humor i zi. Ndoshta për shkak të dëgjimit të dobët të Trumpit ose të lodhjes se tij fizike nga udhëtimi i gjatë dhe ndryshimi i orës.
Hillary Clinton nuk i humbi zgjedhjet për shkak të konspirimit rus. Ajo humbi sepse shumë amerikanë nuk e pëlqenin dhe nuk e besonin. Kur doli e vërteta rreth manipulimit të saj të zgjedhjeve paraprake të demokratëve, ajo me shkathtësi devijoi vëmendjen nga kjo çështje duke pretenduar se rusët kishin manipuluar zgjedhjet. Çfarë guximi.
Megjithatë, shumë amerikanë e hëngrën këtë gënjeshtër. Nëse inteligjenca ushtarake e GRU-së të Rusisë ishte me të vërtetë e përfshirë në periudhën përgatitore të zgjedhjeve, siç thuhet nga inteligjenca amerikane, atëherë supozohet që blerja e mediave sociale të ishte shumë e vogël dhe të mos ishte në gjendje të ndikonte në fitoren e zgjedhjeve.
Po të kthehemi në vitet 1940, GRU arriti të depërtojë dhe të ndikojë në Shtëpinë e Bardhë të Roosevelt. Ky është spiunazhi i vërtetë, jo disa oficerë të rinj këtu dhe 20 të tjerë para kompjuterit në Moskë.
Përveç kësaj, krahasuar me ndërhyrjet amerikane në politikën e jashtme, kjo që bënë Rusët në SHBA ishte diçka shumë e papërfillshme. Kurioziteti për sekretet politike dhe ushtarake amerikane është pikërisht ajo që duhej të bënte inteligjenca ruse. Veçanërisht kur Partia Demokratike e SHBA-së po ndiqte një politikë shumë agresive ndaj Rusisë, gjë që mund të çonte në luftë.
Për SHBA-të që të akuzojnë Rusinë për ndërhyrje është njëlloj si të thërrasë hajduti-“Kapni hajdutin!”. Ish-ndihmës sekretarja e shtetit të SHBA-së, neo-konservatorja Victoria Nuland, pranoi se organizata e saj kishte shpenzuar 5 miliardë dollarë për të përmbysur qeverinë pro-ruse të Ukrainës. Operacionet e fshehta politike dhe financiare të SHBA kanë qenë kohët e fundit aktive në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi, Siri, Liban, Jordani, Jemen, Somali, Ugandë, Etiopi, Egjipt, Sudan dhe jo vetëm.
Neokonservatorët demokratë dhe republikanë janë të përfshirë nga një histeri e vazhdueshme ndaj një kërcënimi të supozuar rus - Rusia, buxheti i përgjithshëm ushtarak i të cilës është më i vogël se sa rritja e fundit që Trump i bëri këtë vit buxhetit të Pentagonit.
Ajo çka kemi parë deri tani është një spektakël interesant i partive luftarake të Amerikës dhe neo-konservatorëve që kërkojnë të rrëzojnë Presidentin Trump. Të përfshirë në radhët e tyre janë shumica e mediave amerikane, të udhëhequr nga NY Times, Washington Post, Wall Street Journal dhe partitë luftarake të TV, CNN dhe NBC.
Është gjithashtu e qartë se armiqtë më të zjarrtë të Trump janë agjencitë e mëdha të inteligjencës amerikane, buxheti i kombinuar gjigand i të cilëve prej 78 miliardë dollarë tejkalon totalin e shpenzimeve ushtarake ruse. Industria e fryrë e inteligjencës amerikane ka frikë se Trump mund të zvogëlojë buxhetet, fuqinë dhe përfitimet e saj.
Zhurma e madhe ndaj Putinit ka zbuluar se sa fanatikë dhe me orientim drejt së djathtës ishin krerët e shtetit të sigurisë kombëtare të SHBA-së që vepronin nën mbulesën e sheqerosur të administratës së Obamës. Direkt nga filmi i mrekullueshëm, “Dr. Strangelove” ne i shohim ata tani në CNN, duke shtrënguar dhëmbët ndaj Presidentit Trump.
Duke folur për gjeneralët e djathtë, njëri prej tyre të kujton filmin e shkëlqyer "Shtatë Ditë në Maj", në të cilin një grup gjeneralësh komplotistë përpiqen ta rrëzojnë presidentin për shkak të një marrëveshjeje paqeje që bëri me Moskën. A mund të ketë një komplot të vërtetë kundër presidentit? Po të ndjekim TV e SHBA-së, mund ta besojmë se po.
Dhe histerisë fëminore se “të kuqtë janë kudo”, i jepet dora e fundit me budallallëkun se spiuni i keq rus, ka arritur të depërtojë në National Prayer Breakfast. Dhe ky Jezebel i rrezikshëm tani është në duart e FBI-së. Nëse kjo paska qenë ideja më e mirë e KGB ose GRU, ata paskan nevojë për ndihmë urgjente nga inteligjenca Kongoleze.
Përktheu nga anglishtja: Ariola Mani










