Kolumnist

Mbi kotësitë dhe vlerat e jetës!

Nga: JETA DEDJA

Çfarë të bëjmë për të tërhequr vëmendjen? Për të fituar 11 minuta audiencë, popullaritet, emër, vlerësim, imazh…?

Të ngremë një kauzë?

Të mbajmë dietë?

Të fryjmë buzët e vithet me silikonë apo ku e di unë se çfarë kirurgët bëjnë aty?

Të dalim në televizor si burra apo gra të ditur/a të ftuar nga drejtuesit  për të bërë qokat?

Të postojmë thënie të mençura autorësh të njohur edhe pse nuk i kemi lexuar?

Të ngjallim dellin artistik apo të kujtojmë të vdekurit e lavdishëm e të marrim ca prej lavdisë së tyre?

Të blejmë disa reklama për heqjen e kallove që të na rrisin audiencën? (portalet që e bëjnë këtë i kam bërë unfollow se më bezdisin)

Të shkruajmë histori me pullë të kuqe?

Të shtiremi si shenjtorë që dimë të bëjmë vetëm mirë?

Të shfaqemi në Facebook si prindër, motra, fëmijë të përkushtuar? Apo si profesionistë të angazhuar e dedikuar?

Të postojmë pjata, fustane, apo çanta? Apo foto me politikanë, artistë apo çfarëdo njeriu që mendohet se është dikushi?

Secili nga ne sipas jetës që bën, hallit që ka, mënyrës së të menduarit, të të gëzuarit apo hidhëruarit tenton të tërheqë vëmendjen. Është një “ves” i mbetur nga fëmijëria dhe i përforcuar sot nga mediat sociale. Sidomos kur ke qenë fëmija i parë i rrëzuar nga froni pas 3, 4, 7 apo më shumë vitesh. Njerëzit janë në kërkim të konfirmimit të vetes në çdo kohë, fazë e moshë. Një like, një koment, një telefonatë, një dedikim të bëjnë të ndihesh se ti ekziston dhe je ende në treg. Duket si një nevojë e madhe për të marrë vëmendje, e cila në disa raste çon edhe drejt krizës. Nuk ka asgjë të keqë të marrësh ca vëmendje, por që të ndodhë kjo ti duhet të kesh ose të jesh. Të kesh vlera e të jesh vlerë, ose të kesh budallallëk e të jesh ca budalla.

Të kesh ca gramë silikonë në trup, përmasa 86x61x86, apo një llogari të majme bankare, të japin përparësi të tërheqësh më shpejt vëmendjen. Nuk dihet sa zgjat, kjo varet edhe nga sasia e budallallëkut që zotëron. Budallallëku nuk ka kufij ashtu si dhe universi ka thënë Ajnshtajni, dhe për të dytin nuk ishte fort i sigurt. Nuk ka fund as çudia që na mbërthen ndonjëherë para sjelljeve apo qëndrimeve përmes të cilave shfaqet budallallëku njerëzor. Dhe po aq nuk ka fund as habia që ndjejmë kur nuk na bën përshtypje kudondodhja e tij. Duam, nuk duam, budallallëku është mbreti i tërheqjes së vëmendjes për shkak se është i larmishëm në shfaqjet e veta. Ka fytyrë gruaje e burri, ka portret naiv, po ashtu si edhe të shëmtuar. Merr përmasa globale ashtu edhe lokale, shfaqet në median virtuale dhe tradicionale, është i dëmshëm edhe pse ka raste që thonë se është i padëmshëm. 

E nëse nuk ke, të duhet të Jesh ose më pak budalla, ose i mençur, meqenëse ka një dallim mes këtyre të dyjave.

Të jesh i mençur, është çështje njohurish, rezultat kuriozitetesh të eksploruara, kushtimi vëmendjeje ndaj gjërave që ndodhin, leximi, pune, praktike, përvoje. Gjithashtu do duhet të kesh shmangur mençurisht budallallëkun në jetë, të kesh logjikën në rregull e të kesh zhvilluar të menduarit kritik. Të kesh aftësi të arrira të të menduarit. Dhe nuk flasim për të menduarit e nivelit të një fëmije, kur dallon që një mollë e ndarë në dysh nuk do të thotë që janë dy mollë. Por të dish të abstragosh mbi vlerat, qënien, ekzistencën, lirinë, demokracinë, rolet, funksionet, e të kuptosh se cfarë vlen më shumë në jetë

Ndërsa të jesh më pak budalla, duhet të bësh pyetjet e duhura dhe të kërkosh të njihesh me faktet dhe idetë e rëndësishme dhe ato jo të rëndësishme të problemeve. Por do duhet të kapërcesh edhe vetëkënaqësinë. Kështu do pakësosh budallallëkun. Vetëkënaqësia është kurthi i budallallëkut. I keni vënë re të gjithë ata që ngjiten lart sa të vetëkënaqur janë? Ose më saktë kur mendojnë se kanë arritur lart. Se budallenjtë mendjeshkurtër e kanë vizionin deri tek maja e hundës së tyre. E më pas a i shihni se si bien pikiatë kur e kanë mbushur kupën?

Vetëkënaqësia, budallallëku, dukja, kërkesat në shtim për vëmendje të gjerë të gjitha këto përbëjnë panairin e kotësive. “Janë zgjedhjet që bëjmë ato që tregojnë se kush jemi në të vërtetë, dhe jo aftësitë që kemi”- ka thënë Joanne Rowling, autorja e Harry Potter. 

Çfarë mund të ndodhë nëse heq dorë nga dukja? Po nëse njerëzit nuk kthejnë kokën kur ti kalon? E nëse askujt nuk i kujtohet emri yt, çfarë ndodh? Po nëse disa miq nuk të flasin më, a të merr fund jeta?

JO…asgjë nga këto nuk barazohet me vlerën e jetës. Shpesh mbivlerësojmë ose vlerësojmë gabim njerëz, situata apo sende dhe harrojmë se sa të kota janë në fakt vlerësimet për të tjerët dhe të të tjerëve. Në panairin e kotësive, të harxhosh kohë për të rënë në sy, për t’i bërë qejfin ose gropën tjetrit është kotësia më e madhe. Edhe kur këto kontribuojnë në vetëvlerësim. Duke u marrë me kotësira, befas vjen një ditë që gjethet e pemës së jetës bien dhe ne mbetemi si një trung i pajetë. Dhe kjo nuk është Vjeshta!