Kolumnist

Juglindja shqiptare, e bukur në çdo stinë!

Nga: JETA DEDJA

Në rrjetet sociale ende vazhdon konkurenca mes faturave më të shtrenjta në rivierën shqiptare, pak më pak është konkurenca mes faturave në juglindje apo veriun e vendit. Ka tek-tuk ndonjë tentativë të ngjallë debat apo të tërheqë vëmendjen, por nuk arrijnë dot numrin e komenteve që shkaktohen prej çmimeve të kripura andej nga bregu. I njëjti avaz është çdo vit, e përsëri po ata njerëz që shkojnë, shkojnë sërish e po ata që ankohen e ngrenë zërin janë të njëjtët që shkruajnë e flasin për çështjet. Sërish nuk ka ndonjë ndryshim, përkundrazi çmimet rriten më shumë prej tahmaqarëve kryeqytetas që ngrenë biznese sezonale në jug, pa vrarë mendjen për “turinjtë” e turistëve të vështirë ose pabuksa siç i thonë shqiptarëve që ankohen për çmimet.

Konceptimi i pushimeve varet në stilin e jetës së gjithsecilit. Ka që kërkojnë doemos detin, ka që duan turizmin kulturor, atë malor, disa të tjerë ajrin e pastër apo liqenin. Ka që i kushtojnë rëndësi salltaneteve të hoteleve, ka që kënaqësine e gjejnë edhe te fjetja në çadër, me shtrojet në çantat e shpinës. Ka disa vende në Shqipëri ku ti mund të bësh turizëm miks. Ja për shembull, juglindja, përveç detit i ka të gjitha. Por në fund të fundit pushimet nuk lidhen domosdoshmërisht me detin. Juglindja është e bukur dhe e vizitueshme në çdo stinë.

Po të shkosh në Pogradec do vizitosh gjithçka të mundshme që ka lidhje me turizmin kulturor, do bësh plazh e ndër të tjerë do kesh të bësh me shërbimin. Për këtë dua të flas më së shumti, si dhe për bukuritë e natyrës apo shëmtitë e krijuara nga njeriu sipas këndvështrimit tim. Ja le të themi se vendosesh tek hotel Pogradeci 2 në Drilon, do gjesh një shërbim në raport me çmimin të justifikuar. Një dhomë çift kushton 35 mijë lekë të vjetra dhe arredimi për meraklinjtë është vërtet për merak. Duke filluar nga dyshekët dopio dhe taze të rinj, mobilimi modern dhe dushe me ujë të bollshëm që nuk pakësohet asnjëherë. Kuzhina e restorantit është mesatare, e njëjta menu si kudo në Pogradec. Tavat e shijshme duhen porositur se nuk i gjen në çdo moment që i kërkon, as picerinë nuk e ka non-stop. Por duhet thënë që pjesën më të madhe të pjatave më të kërkuara e gjen dhe madje të gatuara mirë. Ujin edhe pse është i pijshëm, nuk ta servirin me kanë në tavolinë bashkë me ushqimin, por të duhet ta blesh. (Lokalet e tjera në Pogradec nuk e bëjnë këtë marifet) Por, ndonjëherë bëjnë edhe tolerime. Shërbimi është i shpejtë, nuk ngjan fare me restorantin tjetër aty afër të quajtur Dante, ku kamarieri të vjen pasi sigurohet që ti nuk je duke pritur njeri tjetër, dhe të plas menunë në tavolinë e të vjen për të marrë porosinë turnin tjetër. Nejse, klienti e ka vetë në dorë dhe qëndrimin, edhe zgjedhjen. Plazhit i është hedhur rërë dhe çadrat nuk janë ngjitur e ngjitur si në Dhërmi. Të lejojnë të marrësh ushqime me vete, nuk ka ndonjë kontroll çantash se mos ke ndonjë kruasant të fshehur. Edhe parkimi është falas dhe gjen vende plot.

Trotuari është problematik në rrugën Drilon-Tushemisht, në një anë i pashtruar dhe në anën tjetër i zaptuar nga mbetjet e pallateve në ndërtim ose makinat e parkuara. Për rrjedhojë shëtitjet harrojini në këtë segment. Por kjo nuk do të thotë se zona nuk ka nevojë për shëtitore. 

Për të arritur deri te Ollga që t’i varesh në krahun e dale boje për një foto si të gjithë, duhet të ecësh me sytë katër prej makinave që rastisin të drejtohen edhe nga të rinj pa patentë, meqënëse andej policia nuk shkon shpesh. Megjithatë parku i mjelmave e kompenson mungesën e shëtitores, sidomos kur lokalet e atyshme nuk vënë muzikën e llahtarshme në sfondin ku vetëm zogjtë do duhet të këndojnë. Me pogradecarët merresh vesh lehtë. Vërejtjet i marrin me seriozitet dhe reflektojnë. Nuk të mbajnë inat dhe as nuk shfaqin arrogancë. Pronari me punonjësit nuk ka dallime të theksuara. Duhet një sy i stërvitur për ta kuptuar se cili është shefi. Ndoshta kjo ndodh sepse të gjithë ata thithin të njëjtin ajër të lehtë që të mundëson një gjumë pa rëndesë në mëngjes. Kjo është klima e Pogradecit që shpeshherë të bën të thuash “pushimet nuk janë çështje jodi”.

Rrugës nga Pogradeci në Korçë, mund të shkosh deri te guri i Kamjes nëse ke makinë të përshtatshme për aventura malore shkëmbore. Këtu bëhen shpesh kërkime nga banorët dhe të huajt për thesare dhe sipas banorëve është gjendur flori i humbur. Përveç legjendave me florinj, gjurmët e arinjve në këtë zonë të shtojnë adrenalinën.

Ashtu siç je i frymëzuar nga lartësitë, mund t’i drejtohesh klimës malore, të pishave voskopojare për një relaks fundjave, të vizitosh kishat historike e të jetosh traditën e zones, t’u shpjegosh fëmijëve konkretisht se ç’do të thotë mullar. Se në Voskopojë çdo derë e gjen të hapur dhe se kumbullat mund të shkelen rrugës.

Kush ka qenë në Voskopojë të paktën një kafe, që kushton vetëm 70 lekë e ka pirë te Falo, ose ka ngrënë omletën 200 lekëshe me vezë fshati, qumësht lope të kullotave malore, apo ka provuar kosin e deles me mjalt lulesh. Nuk po rendis gjithçka të menusë, por gjëra të vogla thjesht për krahasim me vendet e tjera.

Korça është më e shtrenjtë në hoteleri. Ndoshta sepse këtë vit ka një rritje të turizmit dhe pompimit mediatik dhe hotelet ende nuk kanë nxjerrë paratë e investimeve. Ndoshta sepse ka shumë variacione për të dalë nga hoteli. Mund të shkosh te pazari i Korçës, ti marrësh me rradhë kafenetë me emra interesantë. Pastaj t’i ngjitesh kullës së vrojtimit. Të shkosh te Mësonjtorja e parë shqipe, një foto në klasë edhe mund të ta lejojnë se atë në oborr e kemi kryer. Prej aty të pozosh për mamin para katedrales.

Gjithashtu ia vlen të shkosh në Parkun Kombëtar të Prespës për disa foto fantastike, por edhe për t’i treguar fëmijëve shpendin e quajtur karabullak, të cilin mund ta kenë parë të balsamosur te Muzeu i Shkencave në Tiranë. Aty mund të diskutosh me ta edhe për legjendën e përbindëshit të liqenit.  Mund të shkosh në Liqenas ose Pustec të shohësh ishullin e Maligradit që gjendet në mes të Liqenit të Prespës, varkëtarët të çojnë deri atje me 200 lekë. Në bregun e tij perëndimor ndodhet shpella e Kishës së Shën Mërisë, që prej shekullit XIV, e cila për formën e veçantë dhe të çuditshme, u quajt vend i shenjtë.

Për të drekuar, në zonën e Korçës ka plot variacione. Edhe aty ku je në Pustec mund të sajohesh me produkte të freskëta, ose nëse je tip besnik, shko si përherë në Boboshticë. Nuk e rekomandoj fare Dardhën. Rruga për në Dardhë është ende si mos më keq, dhe pleqësia e fshatit është e mbyllur, nuk ke me kë të bësh dy pare muhabet.

E më pas, ditën tjetër në kthim për në Tiranë nëse ke miq, ia vlen t’i bësh vizitë ndonjë miku në Devoll për të kujtuar se mikpritja ende gjallon ndër shqiptarë. Kopshtet e devollinjve janë gjithmonë të punuar. Banorët në Progër blejnë vetëm vajin e ullirit dhe orizin, gjithë të tjerat i prodhojnë vetë. Të ka lezet ngjitja në pemë kur mbledh qershitë me dorën tënde dhe ngrënia e tyre në bahçen e shtëpisë së pastër.

Në këto zona, qytete e fshatra shqiptare, ku është investuar apo dhënë njëfarë mbështetje ose nga shteti ose donatorë të huaj, mund të ndalesh pa droje kudo për të provuar ndjesinë e thjeshtësisë së shërbimit, ushqimit e komunikimit dhe të kuptosh se kudo jetohet e kalohet mirë nëse ke një punë, zemrën plot dhe familjen pranë.

Gusht 2018, ©Flasshqip.ca