Kolumnist

Shqipëria eksperimentale!

Nga: JETA DEDJA

Në vendin ku kemi lindur unë e ti, në Shqipëri, vritesh për një vend parkimi, për një kanal, për një vijë ndarëse tokash, e së fundi edhe për një pulë. Duhet të jesh i kujdesshëm me gojën, çfarë nxjerr prej saj se nuk dihet ç’të gjen brenda minutit. Dikush mban varur një armë në mur, një tjetër një thikë në brez, apo një dorezë në xhep. Por nuk është arma ajo që vret e para, arma është fundi. Në vendin ku kemi lindur unë e ti, në Shqipëri, më shumë vret sistemi.

Çfarë është ky sistem që vret? Është si një kullë në mes të Shqipërisë, ngritur mbi themelet e një mentaliteti egoist, përfitues, përjashtues, hedhur betona korrupsioni e krimi, e ngritur kat pas kati me pseudo-arsimim, pseudo-edukim, gjoja-drejtësi, gjasme-shëndetësi, e në fund fare me një taracë shoqëri të dyshuar si demokratike.

Pas tërmeteve të shumta kohët e fundit, katet e këtij sistemi kanë shfaqur krisjet. Ja për shembull, ai arsimor, duket i zhbërë. Fëmijët tanë nuk po edukohen, fëmijët tanë thjesht mbajnë çantat nga shtëpia në shkollë e anasjelltas. Ata qëndrojnë si një tabula rasa në klasë. Shkollat shqiptare janë të papërgatitura për fëmijët e sotëm, me gjithë karakteristikat që ata mbartin. Janë të papërgatitura të përballen me prindërit dhe kërkesat e tyre, e po ashtu edhe me prindërit e painteresuar për fëmijët e tyre. 

Ka plot familje që ushtrojnë presion për sukses ndaj fëmijëve, që i krahasojnë me të tjerët. Ka edhe të rritur që ndjejnë po kaq presion duke u krahasuar me jetën facebook-ore. Të gjithë shtyhen e nxiten drejt majave reale apo virtuale, të arritura pa mund e djersë prej atyre që i përfaqësojnë sallave e ekraneve. Por ç’ndodh nëse nuk arrijnë majat e mbeten shkallëve të pangjitura? Po me fëmijët që nuk arrijnë dot të tërheqin mjaftueshëm vëmendjen e mësuesve e të prindërve, duke mos kënaqur dot pritshmëritë e tyre? Ka ndonjë njeri në këtë shoqëri që t’u thotë se gjithçka është në rregull nëse ata janë ashtu siç janë? Se është mirë të jesh vetvetja dhe nuk është vlerë të bësh hile për të arritur e as të jesh mashtrues nuk vlen në jetë…Edhe mund të ketë, por shpesh këta njerëz nuk shfaqen në vendin dhe kohën e duhur.

Duket se as në familje nuk gjen shpëtim shqiptari. Baballarë e djem që mbjellin së bashku kanabis, e më pas bëjnë tregëti të paligjshme, nëna që u mësojnë vajzave të gjejnë ndonjë burrë të pasur, s’ka gjë nëse çdo mbrëmje druri i pret. Prindër të rinj që nuk gjejnë kohë të dëgjojnë ankesat e fëmijës e as t’u mësojnë zgjidhje racionale problemesh.

Përmenda gjë vlerën më lart? Çfarë quhet sot vlerë? Cilat janë vlerat që duhen zhvilluar, po normat shoqërore që duhen respektuar. Me ç’kemi parë rreth e qark hipokritët, hajdutët, mashtruesit, batakçinjtë, servilët, të pabesët, janë ata që udhëheqin e ndërtojnë politikat, vendosin për rregulla e ligje, kufij e prona. Këta janë ata që vrasin më shumë me veprat dhe mosveprimet e tyre bashkë me njerëzit e paaftë e të panginjur që mbajnë rreth vetes. Këta shpërbëjnë edhe sistemin ligjor dhe atë të së drejtës me ligje që i propagandojnë si ligje të mira, por që nuk japin drejtësi. Me ligje që i bëjnë lëmsh enkas për t’i bërë dredhira.

Gjasa për përmirësime zor se ka. Sistemi shëndetësor ka marrë rrokopujën duke patur si hall kyç shpërndarjen e tenderave. Hallexhinjtë e vërtetë, me probleme të shëndetit fizik luten për jetëgjatësinë e mjekëve të njohur, se mjekët e rinj bashkë me valixhet po marrin dhe diplomat në fluturim. Ndërsa hallexhinjtë e shëndetit mendor nuk po i dallojmë dot as kur i kemi në derën ngjitur duke jetuar çdo ditë pranë një rreziku potencial publik.

Shoqëri në kaos prej sa e sa vitesh kjo e jona. Gjithë ky sistem, ka huajësuar shqiptarët me vendin, shoqërinë, familjen dhe veten.

Duket sikur jemi brenda një laboratori ku bëhen vetëm eksperimente dhe sa herë që diçka shkon keq, shkencëtarët bëjnë sikur kërkojnë gabimin. Dhe nëse dikush tenton të dalë prej këtij laboratori do të stigmatizohet si armik i sistemit ose do kategorizohet si një mutacion i pavlerë.  Në mënyrë që ata, shkencëtarët të marrin vetëm merita, sepse për gabimet e tyre paguajnë viktimat e djeshme e të nesërme.