Kolumnist

Mbi krijesat e përkohshme publike, aspirantë të lavdisë së përhershme

Nga: JETA DEDJA

“Imazhi shet” thonë ata që merren me marketing. Merr një imazh të bukur, të fuqishëm, me tipare dominante apo të famshëm fute në kuadër dhe hipnotizoje masën me pushtetin e imazhit të përfituar.

Që në kohët e lashta e mandej në mesjetë, ata që qeverisnin vende e popuj e kishin kuptuar sa rëndësi kishte figura. Urdhëronin të ngriheshin skulptura, të pikturoheshin portrete, të vareshin e të vendoseshin në mjedise ku të binin në sy e të admiroheshin. Siguroheshin që imazhi të kapte tiparet më të mira, dhe ato tipare të buta apo të shëmtuara të sfumoheshin. Imazhet e tyre në sytë e popullit duheshin perfekte, sepse perfeksioni do të çonte në mitizim. Mitet mund të mbanin nën kontroll lindjen e nevojave të larta të njerëzve të zakonshëm.

Në ato kohëra punën e filtrave të sotëm të aplikacioneve e bënte shumë mirë dalta e peneli. Më vonë me shpikjen e aparatit fotografik lindën edhe teknikat e përpunimit të fotove. Njerëzit e pushtetshëm bashkë me dëshirën për të ekspozuar veshjet e tyre më të mira, statusin e tyre social, vendin e tyre në histori, donin që gjurmët që do të linin pas të ishin sipas standardit që kishin në mendjen e tyre për veten. Historia ka treguar merakun e diktatorëve për të rregulluar e retushuar shumë prej fotove të tyre, për t’ia paraqitur popullit imazhin e liderit siç e mendonin ata ose siç ua këshillonin.

Ata shisnin imazh, një element përbërës i manipulimit të turmës. Në çdo kohë ka patur këshilltarë imazhi, ndoshta jo me këtë emërtim, por thelbi i objektit të punës së tyre ky ka qenë. Ndërtimi dhe mbajtja e një imazhi, i cili mund të ishte sipas rastit e periudhave historike i një personaliteti në fushën e artit, politikës, sportit, apo medias.

Sot ndodh të ndërtohet një imazh nga hiçi e të arrijë të bëhet popullor, televiziv, apo të arrijë të kapë një post të rëndësishëm dhe kjo aspak prej talentit apo aftësive profesionale. Shumë figura po lindin si produkte të medias tradicionale si dhe asaj sociale, pasi nuk kanë limite, parime apo cipë, siç thotë populli. Një kamera e një telefon sot janë armë të domosdoshme për t’u hedhur në betejën e figurinave. Shumë raste emrash të njohur të sferës publike, ia kanë dalë të arrijnë majat pasi janë shfaqur në studiot e duhura, apo se kanë realizuar videot e fotot me aplikacionet e fundit. Por edhe se kanë qenë në krah të dikujt me peshë, ose bij e bija të tyre dhe kanë arritur kësisoj t’i ngrenë figurativisht vlerën figurës së vet, pra, që të shiten më shumë se ç’janë.

Shumë të tjerë, më të nginjur ekonomikisht, ia kanë arritur të ndërtojnë një vete publike edhe falë kuratorëve të imazhit. Ama ka ndodhur që po prej këshilltarëve kanë përfunduar keq. Sepse çdo këshilltar ka kurbën e tij krijuese, e cila vjen një moment që merr tatëpjetën, e bashkë me të bie edhe figura e personalitetit për të cilin kujdeset.

Që të dish të ruash masën kërkon mençurinë e mesit të artë aristotelian. Të mënçurit nuk janë të rrallë, ka plot të tillë, por a janë kështu ata që duhet të identifikojnë të mençurit dhe që u nevojitet ndihma e tyre? Hmmmm…gjithmonë mbetet për t’u parë e shpresuar.

Dikush mund të qeshë e gajaset me mosbesim e nënvlerësim, por dukja paskëshkërka qenë shumë e rëndësishme. Oborre mbretërore e kabinete qeveritare, vlojnë nga sikleti nëse duhet kollare apo kapele, nëse do vishen atlete apo këpucë, çitjane apo brekushe. Qullen në djersë për të siguruar një foto të shefit apo shefes me dikë të rëndësishëm, me famë, ndonjë yll botëror sporti a kinemaje, ndonjë person me emër a pushtet më të madh dhe që më pas ta shpërndajnë që dynjaja ta marrë vesh. E bëjnë temë qendrore të ditës, nëse fotoja duhet shoqëruar me status apo ta hedhin thjesht me një emoji? A t’i bëjnë tag, ta lënë audiencën publike apo vetëm për miqtë? Pikërisht këto dilema janë daltat që gungosin e groposin, dhe penelët që ngjyrosin e ç’ngjyrosin krijesat e përkohshme publike, aspirantë të lavdisë së përhershme.

A janë më mirë ata zyrtarë apo titullarë pa këshilltarë, por që u duhet sërish të shesin imazh për hir të pozicionit që mbajnë? Edhe ata dikur do të bien në gropën e konsumit. Kjo sepse, ca nga këta rrezikojnë të bëhen qesharakë me postime fotosh vend e pa vend të shoqëruara me diçitura bajate, të tjerë për hir të zbrazëtisë së ditës apo mungesës së fantazisë hedhin foto e selfie në rrjete sociale, të cilat ose nuk thonë asgjë, ose shpallin mediokritet e falsitet.

Kur je funksionar publik, nuk është tregues i rëndësishëm i punës, suksesit apo madhështisë të dalësh foto me ambasadorë, lojtarë, artistë, sportistë, etj. Aq më tepër postimi i tyre në të gjitha llogaritë e mundshme të të gjitha rrjeteve sociale. Është thjesht kënaqësi personale e material për historikun e institucionit, por vlerë reale publike nuk mendoj se ka. Gjithçka kthehet në strategji ndërtimi imazhi në funksion të projeksioneve të të ardhmes së dikujt që është aty me paratë e taksapaguesve dhe që preokupimin kryesor ka vetë-imazhin. Është një abuzim dhe tallje me të gjithë audiencën e tij apo të saj, të të gjithë atyre që i ndjekin si adhurues, votues apo kureshtarë, e më pak kundërshtarë. Është kulmi i cinizmit të postosh mbledhje e takime të rëndomta, darka e koktelje mondane, udhëtime me jahte e charter, në një kohë kur shumë prej atyre që i lëvdojnë e komentojnë me urdhër nga lart, nuk kanë pará të mjaftueshme për faturat e ujit e energjisë elektrike, për ilaçet apo qiratë mujore.

Thënien se “Çudia më e madhe 3 ditë zgjat”, çudirat e zyrtarëve shqiptarë e kanë sfiduar dhe minimizuar brenda 24 orëve. Kjo, jo sepse harrohen, por sepse çdo ditë kuratorët e imazhit të vetes apo shefit kujdesen të shfaqin një foto apo video e re, për të shfuqizuar idiotësinë, mediokritetin apo maskarallëkun e të mëparshmes.

Tagged under Jeta Dedja