Pa celular në shkollë?!
- Nga: JETA DEDJA
Debati mbi lejimin apo ndalimin e celularëve e pajisjeve të tjera elektronike në shkollë për nxënësit ka disa vite që qarkullon mes prindërve, mësuesve dhe madje edhe nxënësve. Sigurisht që ka argumente pro dhe kundër në këtë temë. Arsimi në vende të ndryshme të botës po lidhet ngushtësisht edhe me teknologjinë. Disa shkolla kanë hequr librat duke i zëvendësuar me tabletë në mënyrë që edukimi të ecë ose të përpiqet të paktën të jetë në një hap me zhvillimet e shpejta teknologjike. Mësuesit diskutojnë mbi transformimin e teksteve dhe metodave të mësimdhënies, duke eksperimentuar me ndërthurjen e verbales me digjitalen, informacionit të printuar me atë online. Ata janë nën ethet e suksesit e mossuksesit të risive, luajnë me riskun jo sepse duan, por sepse koha ua detyron. Ata e dinë se është e lehtë të tërhiqesh mbrapsht, kollaj të kthehen tek ditari klasik apo shpjegimi me gojë e kontroll i nxënësve në tabelën e zezë. Por nxënësit e sotëm do të hapnin gojën për gjumë gjatë kësaj ore të mërzitshme mësimi dhe rrjedhimisht do të luanin me celularët e tyre. Në një shkollë që ka sistem të vjetëruar dhe njerëz me zhvillim të avancuar, duhet që sistemi t’i përshtatet njeriut, dhe jo njeriu sistemit.
Nisur nga sa më sipër, sot nuk është problem përdorimi i celularëve e as zgjidhje e problemeve në shkollë ndalimi i celularit, si për mësuesit edhe për nxënësit. Do të jetë vendim regresiv nëse vërtet do të shndërrohet në të tillë deklarata e kryeministrit shqiptar. Nuk e bën përdorimi i celularit dëmin në procesin mësimor, as prej mësuesit e as prej nxënësit. Sistemi i dobët edukues, paaftësia e mësuesit dhe prindërimi neglizhent janë faktorët madhorë që kontribuojnë në shfaqjen e problemeve në shkollë. Celulari nuk është shkak, celulari është mjet, njëlloj si lapsi e goma, xhupi apo uniforma. Nëse një fëmijë nuk shkruan mirë nuk e ka fajin lapsi. Nëse një nxënës filmon mësuesen duke rrahur një nxënës tjetër, nuk e ka fajin celulari. Nëse një fëmijë nuk dëgjon mësuesen kur shpjegon shkel e shko, nuk e ka fajin celulari që bëhet më interesant se mësuesi. Sigurisht që ka raste kur celulari bëhet objekt kërcënues (cyberbullying) si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, por sërish as në këtë rast nuk është ai burimi i problemit. Ai thjesht është një mjet i kohës, i cili ka zëvendësuar letrat anonime të dërguara në formë avioni nga banka në bankë. Gjetiu, në labirinthet e edukimit është burimi i sjelljeve të papërshtatshme.
Kryeministri tha se edhe mësuesve do t’u ndalohen telefonat. A ka bërë ndonjë studim eksperimental diku qeveria e pati sukses, apo po vazhdon sërish me eksperimentin e rradhës, sigurisht pa baza shkencore? A e di kryeministri se prej telefonit, koha në shkollë ekonomizohet, komunikimi prindër-mësues është më efikas, duke parandaluar situata të papëlqyeshme si largimi nga ora e mësimit, mungesat në shkollë, apo incidentet e ndryshme.
Unë mendoj që politikat ndaluese e ndëshkuese nuk janë zgjidhja më e mirë në fushën e edukimit. Në rastin konkret, të çështjes së përdorimit të celularëve, zgjidhja më e mirë duhet të vijë prej shkollës dhe secilit mësues. Shkolla mund të hartojë rregulloren e saj duke përcaktuar politikat ndaj smartphon-ëve. Nuk ka nevojë që të jenë të gjitha shkollat me të njëjtën rregullore. Çdo shkollë ka specifikat e veta sipas karakterit të saj, të mësuesve e të nxënësve. Prandaj mendoj se nuk ka nevojë për vendim qeverie për këtë çështje, aq më tepër kur urdhrat ndalues janë gjithpërfshirës pa përcaktuar as nivelet shkollore.
Qeveria do bënte mirë nëse do të investonte në teknologji e ta inkorporonte në çdo shkollë të vendit, madje edhe në ato zona ku celulari është luks për të zotin e shtëpisë e jo më për fëmijën. Ritmet e zhvillimit janë të shpejta, dhe nxënësit po ashtu. Plot tekste të shkollave shqiptare, përveçse hartuar me gabime, kanë treguar që janë edhe të prapambetura në informacion dhe mentalitet. Prandaj ndërthurja e tabletëve apo Ipad-eve me tekstet print do të ishte një mënyrë e mirë për të tërhequr vëmendjen e nxënësve e për t’i bërë ata të ndihen në shkollë si në një ambient të preferuar. Sepse duhet pranuar, metodologjia e mësimdhënies në Shqipëri është e vjetëruar, prandaj duken eksploruar rrugë të reja. Madje edhe celularët mund t’u lejohen mësuesve e nxënësve për qëllime mësimi.
Unë nuk e shoh lidhjen e drejtpërdrejtë të çfarëdo problemi shkollor në prezencën e celularit. Ah, vetëm nëse ky vendim vjen për të mbrojtur imazhin e edukimit, shkollën “e mrekullueshme”, mësuesit “fantastikë” kundrejt nxënësve “problematikë” apo prindërve me ndërgjegje të theksuar qytetare, atëherë heqja e celularit merr kuptim. Përndryshme, më duket deklaratë e pamenduar mirë dhe një vendim i destinuar të dështojë.
Por kryeministri Rama duhet të dijë nga përvoja e mbledhjeve të partisë që drejton se ekzistojnë metoda që bllokojnë përdorimin e rrjeteve sociale apo faqeve të ndryshme, në një ambient të caktuar. Kështu që shkollat tona mund të ndjekin këtë praktikë më mirë sesa të detyrojnë mësues e nxënës të heqin dorë nga objektet e tyre të domosdoshme. Celulari vërtet është një mjet, i vogël, por ai është kthyer në objektin e rëndësisë së veçantë për miliona njerëz në botë, përfshirë edhe nxënësit shqiptarë. Prandaj efekti i ndalimit të tij, sipas mënyrës së kryeministrit do të sjellë pasoja të pakëndshme.
Pasi besoj që si mësuesit edhe nxënësit nuk do heqin dorë lehtë nga celulari. Jam e bindur se do gjejnë plot mënyra për të respektuar de jure këtë vendim, por de fakto do bëjnë siç duan. Kështu që një vendim i tillë ka gjasa t’i shtyjë nxënësit, pse jo dhe mësuesit të specializohen në gënjeshtra. Politikat ndëshkuese nuk janë të rekomandueshme në edukimin sidomos të adoleshentëve, të cilëve u kërkohet të shfaqen të përgjegjshëm, të marrin vendime, të bëhen të pavarur. Çfarë do të ndodhë nëse nxënësit dhe mësuesit nuk e zbatojnë urdhrin e ndalimit të celularëve? Do përjashtohen? Do u sekuestrohet celulari? E çfarë rezultati do të arrihet? Nuk do të ketë as efekte në përqëndrim nëse dikush mund ta ngrejë si argument pro, as në përgjegjshmëri, e as në parandalim bullizmi. Përveçse do ushqehen emocione negative ndaj shkollës! E ne këtë nuk besoj se e duam!











