Kolumnist

Përreth tribunave që bien

Nga: Faruk Myrtaj

The day Saddam's statue fell

Është me të vërtetë trishtuese pamja tjetër e rënies së simboleve të diktaturave, të qeverive që bien në demokraci, përcjellë nga kamera që regjistron veprimin e turmave. Bie në sy entuziazmi i tyre, ngazëllimi, e qeshura, gjithëshpresa e tyre se gjithçka kanë ëndërruar nën diktaturë apo nën pushtetin e radhës në pluralizëm, ka për tu realizuar shpejt-e-shpejt. Siç ndodhi, bie fjala, në Shqipëri. Por jo vetëm në Shqipëri. Së paku në Ballkan është kudo njëlloj.

Ishte një rast për të kqyrur lehtësisht veten: dhimbshëm, intimisht, nga distanca, sikur të ishim ne, në Bagdad. Ngaqë kemi rastin a fatin a privilegjin që shtrire në divanë komodë te shohim ç’bën vaki atje, në Bagdad, pra! Ngaqë, a s'është rast, mundësi e leverdi të shohim veten e para 12-13 vjetëve?

Përmidis atyre që bien në sy, tërë këto ditë në Irak, përpara 12-13 vjetësh në Shqipëri, jo vetëm në Shqipëri por kudo në Ballkan, në Europën Lindore në tërësi, janë ata që duket sikur janë gati të ikin nga kjo jetë bashkë me diktaturën! Dalin e japin lajme, se pushteti nuk ka për të rënë, nuk dorëzohen kurrë imperializmit, le të guxojnë amerikanët, po të duan, borgjezia kurrë nuk ka për të...

Për ta ilustruar këtë iluzion, gjithnjë gjenden ca turma, afër kamerave, afër podiumit, ku flasin shtetarët e vjetër. Sikur të mos dish çelsin e diktaturave, je gati t’i thuash imperializmave: ju ç’doni me këtë popull, ai i lumtur është, ç’kërkoni t’i sillni tjetër ju?! Edhe udhëheqjen e ka, përderisa i tëri është gati të privohet me trup e me shpirt për të!

Ose, në rastin e këmbimit të qeverive: Ja, tashmë u këmbye edhe koalicioni, nuk është më kryeministër X-i por Y-i, gjërat do të shkojnë në vendin e vet.

S’mund ti harrojme ca letra të nënshkruara nga ca nëna te lodhura, në prag-pluralizëm, dërguar udhëheqjes së atëherëshme në Tiranë:

“...me gjakun tonë dhe të fëmijëve tanë, do ta mbrojmë socializmin! Nuk ka vend këtu pluralizmi!”

Pastaj ngjarjet hyjnë në rrjedhën e tyre të pashmnagshme: midis atyre që rendin të shkelin bustet e diktatorit, apo që dalin e bërtasin në oponencë të ish-krymeinistrit të fundit, ka edhe njerëz që e kanë ëndërruar tërë jetën e tyre këtë rënie, njerëz që e kanë paguar shtrenjtë ngritje/hijen e këtyre përmendoreve; por midis atyre që nxitojnë të pozojnë përpara kamerave duke pështyrë apo ndotur lëndën me të cilën është sajuar diktatori, apo qeveria e mëparshme e radhës, midis atyre që nxitojnë tu shprehin përgjunjie ekstreme çlirimtarëve apo fituesve të radhës, midis tyre ndodhen edhe ca vemje që më vonë do t’i rrëfejnë kthetrate tyre!

Irakenët e thjeshtë, ata që duartrokasin natyrshëm, që besojnë (qoftë edhe naivisht) se shpëtuan njëherë e mirë nga shtypja, pra që besojnë se fjala shtypje identifikohet një për një me fjalën Sadam, dhe me askërrkënd tjetër, këta njerëz të patëkeq, nuk u shkon ndërmend se ç’lloj horrash e hajdutësh ka e do të shfaqen midis atyre që do t’u flasin për demokraci!

Midis atyre që vjedhin ka njerëz të pikur, tmerrisht të varfër, njerëz që mbase s’kanë qenë kurrë në Bagdad më parë, që nuk kanë hyrë kurrë në lagjet e pasura, njerëz që s’e kanë pasur kurrë një tavolinë, një ngrohës, një frigorifer, intelektualë që e kanë ëndërruar një kompjuter. Në ditët e anarkisë pas dhunës, këta njerëz gjejnë rast dhe bëjnë një mëkat.

Por nuk është ndonjë turpje e madhe, s’është turp as ngaqë e marrin në mes të ditës, e hedhin mbi shpinë dhe e çojnë në shtëpinë e tyre: është një pjesë prej pasurisë kombëtare, që i takon secilit prej tyre, por që ata janë të shtyrë ta vjedhin, për shkak të ndarjes së padrejtë që i kanë bërë kësaj pasurie kombëtare, ata që kanë përdorur pushtetin.

Por midis irakianëve të thjesht, ka njerëz që e kanë njohur shtetin, kanë punuar e milituar në diktaturën që po bie, të cilën e kanë vjedhur paraprakisht, po e vjedhin në vigjilje të lirë dhe të ligjit, dhe, nesër-pasnesër, dalin të privilegjuar në tregun e lirë!

Pikërisht kështu ndodhi në Shqipëri, më 1991-1992? Se mos vetëm në Shqipëri?! Po më 1997-1998, a nuk ndodhi kështu? Kush na siguron se, përderisa shteti vazhdon ta ndajë pronën në mënyrë të padrejtë, përderisa shteti nuk bëhet shtet për të gjithë qytetarët, nuk do të kemi prapë, më 2004 apo 2007, po ato rrëmuja, po ato vjedhje, të pronave publike, shtetërore?

Përderisa shteti dhe politika, nuk nxjerrin e as zbatojnë ligje që Atdheu të jetë në tërësi, pronë e të gjithëve bashkë dhe e secilit, një nga një, në pjesën e vetë, a nuk ka për tu shfaqur ai, individi i verbër, turma e pakontrolluar, që rrëmben gurin apo mjetin e dhunshëm dhe vë përpara gjithçka? Ajo thyen, djeg dhe vret, për shkak të marazit të grumbulluar ditë për ditë, mashtrim pas mashtrimi, legjislaturë pas legjislature.

Demokracia, si teori, është krijuar nga përvojat: sikur të duhej të vinte për së dyti komunizmi i vjetër apo pluralizmi i ri, në Shqipëri, apo kudo tjetër në Lindje të Europës, tërë ne, si individë dhe si popuj, do ta prisnim ndryshe: nuk do të na e hidhnin kaq lehtë, do të besonim më pak dhe nuk do të shpresonim aq shumë, por, në këtë gjëndje ku ka derivuar shteti dhe prona, civilizmi si koncept e si praktikë, edhe sot e kësaj dite do të dilnim të digjnim apo të përmbysnim e të vidhnim, kudo që të gjenim mundësinë për të marrë diçka prej pjesës që nuk na i kanë dhënë ata që kanë pushtetin dhe ligjin. Edhe në shtëpitë e të pasuruarve me të padrejtë do të hynim, ngaqë padrejtësia ka rënë mbi ne.

Shtetet demokratikë i kanë prej kohësh mjetet e lehtësimit, zbutjes dhe harmonizimit të gjërave: të fitoreve dhe humbjeve, të fitimeve dhe varfërimeve, të kohës së qëndrimit të individëve dhe të partive në qeverisje. Bill Klinton fuqizoi ekonominë amerikane, i ra detyra për të shkundur Europën nëpërmjet Kosovës së Ballkanit, kaloi tetë vjetë në pushtet dhe iku. Askurrkush nuk merret me luftrat e tij, institucionet lëvizin, tjetërbëhen, vjen një Bush që bën një luftë tjetër, por të cilit nuk kanë ç’i thonë për luftën e mëparshme, të cilën e mori përsipër Klintoni! Secili përgjigjet për veten, Amerika fiton nga të gjithë.

Në Shqipëri e në Ballkan, ende nuk janë mësuar ta kuptojnë e ta realizojnë këtë gjë. As popujt e as politikanët. Bie fjala, me shqiptarët në politikë ndodh ndryshe: ata që ishin më 1990-1991, po ata janë në krye, me po ato sharje, akuza dhe kompromise për njeri-tjetrin. ata që janë në pushtet duket se e duan, vetëm ata, Atdheun, ata kanë të drejtë ta vjedhin e ta telendisin atë.

Ata të tjerët, që janë në opozitë as atdheun e duan, as ligjin nuk kanë pse e mbrojnë, dhe as nuk është detyrë e tyre të verifikojnë vjedhjet, po të duan ndonjë copë, ta kërkojnë dhe ne, si pozitë ua japim... por atij, popullit, asaj Turmës së Verbër, t’i ruhemi...

Bëjmë si bëjmë, por sytë pse t’ia nxjerim sho-shoqit, kur shoqëria dhe shteti dhe individi në politikë janë një?!

Ne që e pamë luftën nëpërmjet ekraneve e besojmë se irakianëve të thjeshtë, që nuk kanë pasur përvoja të tilla, nuk u shkon mendja për keq! Ata po marrin ndonjë, gjë do t’i shtyjnë ca ditë, sa të...marrin vesh se cilët prej atyre që do të fillojnë tu premtojnë, do t’i gënjejnë më shumë! Ata akoma nuk e dinë çdo të thotë tranzicion, zgjedhje të lira, OSBE, Shoqëri Civile, Vjedhje dhe Krim i Organizuar, eh, sa gjëra nuk dinë të gjorët!

Lerini të gëzojnë ca kohë! E rëndësishme për ta është që nuk kanë më Sadamin, dhe kjo nuk është pak. Por do të ishte tjetër gjë sikur të vështronin edhe ca më tej: cilët bërtasin më kot kundër Sadamit?

 2004

Tagged under Faruk Myrtaj