Protesta si një stimul për psikozat e pushtetit
- Nga: Jeta Dedja
Pushteti po i ruhej popullit të tij sot. Tirana dukej në gjendje lufte, sikur nga çasti në çast do të nisnin sulmet. Por nga kush? Kush ishte armiku imagjinar i pushtetit për të cilin kishte porositur marrjen e masave të jashtëzakonshme? Ishte vallë populli i tij?
Qeveria shqiptare kishte urdhëruar fikjen e antenave të telefonisë gjatë fashës së orarit 11 me 16 në mënyrë që protesta e njerëzve të etur për shpresë të kalonte në terr. Bizneset mbyllnin portat e qepenat duke krijuar imazhin e rremë se dikush do të tentonte shqyerjen e tyre. Policia përmes komisarëve të bindur e të blerë mediatikë njoftonte se lëndë helmuese do të hidheshin drejt protestuesve. Godinat shtetërore ishin të mbrojtura me tela me gjemba si në kohën kur Tomka me shokët e tij luanin me topin prej lecke para pushtuesit fashist.
Ndërkohë taracat, nën të cilat luan, qesh e tallet pushteti ruheshin prej maskash veshur ndoshta prej bijve të atyre që ishin poshtë në sheshe. Qarkullimi i automjeteve bëhej nën masa të rrepta sigurie, ku gjobat ishin masat më të buta.
Qytetarët, protestues ose jo ndjenin një presion pushteti në ajër. Ky presion kishte për qëllim emetimin e frikës në masën e atyre njerëzve që ky pushtet e të tjerët para tij janë mësuar t’i thërrasin sipas orekseve e nevojave të veta personale. Dhe këta njerëz e dinë këtë, por të gjendur në prag të një humnere dëshpërimi ata zgjedhin të kapen pas fijes së vogël të shpresës. Është instinkti i jetës që i thërret.
Por asnjë ambasadë nuk tenton ta kuptojë apo evidentojë këtë. Ambasadat flasin për racionalitet, për vetëpërmbajtje, për gjykim të shëndoshë? Por si mund të arrihet një stad i tillë me barkun bosh dhe sigurinë e jetës të shkatërruar?
Lipset më shumë ndjeshmëri ndaj nevojave të shtetasve sesa shtetarëve të përjetshëm. Një shtetas me nevoja të plotësuara, nuk do të dilte në shesh. Por ata dalin në shumicë sepse janë të uritur, jo vetëm për bukën e përditshme por edhe për lirinë dhe dinjitetin që dita-ditës shtetarët ua përbaltin e vjedhin.
Sot nuk bëhet më fjalë për PD, PS, LSI e të tjerë. Sot bëhet fjalë për Shpresën, Jetën, Lirinë, Dinjitetin në Shqipërinë që ne të gjithë duam, por që dëshpërimisht e shohim në rënie si shtet të së drejtës dhe në ngritje si shtet ligjor.
Telat me gjemba, heqja me urdhër e të drejtës së komunikimit, lëndët luftarake, maskat, gardhet e policia, të gjithë këto elemente në një shtet që nuk ka asnjë kërcënim të jashtëm, nuk janë gjë tjetër veçse tregues të një regjimi psikotik e diktatorial. Mjafton një protestë, dy apo tri që psikozat e pushtetit të bëhen të dukshme edhe për syrin më të pastërvitur. Shqiptarët boll kanë vuajtur prej paranojave të diktaturës së gjatë e të egër. Është e tepërt një tjetër…
21.02.2019











