Kolumnist

Edhe njëherë për ‘kalvarin’ e negociatave - Nga Vangjush Saro

Vazhdon trishtueshëm “kalvari” shqiptar për hapjen e negociatave me BE-në… Nga viti 1990, kohë kur u ngjallën shpresat se Shqipëria mund të ndryshonte rend e gjendje e deri më sot, kanë kaluar tre dekada. Tre dekada pa asnjë lajm të mirë në këtë temë. Vizita (e para disa ditëve) e Kryeministrit Edi Rama në Gjermani, nuk se pati ndonjë ndryshim nga përçapjet e mëparshme: shpresa, frikë, “muhabet” për piktura, dyzime, kushte… (“Të besosh në progresin, nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.” F. Kafka)

Ja një nga formulimet që nuk mbahet mend sa herë i janë përplasur në fytyrë politikës shqiptare: “Shqipëria duhet së pari të reformojë ligjin zgjedhor dhe të vendosë në funksion të plotë sistemin gjyqësor, përpara hapjes së kapitujve të parë të anëtarësimit me BE.” Ja edhe ndonjë nga arsyet e tjera pse vazhdon “kalvari”: “Shqipëria ka përjetuar krizë të ashpër politike për disa vite. Mbi të gjitha, lidhjet mes politikës, gjyqësorit dhe mafias vazhdojnë të shkaktojnë argumente.” Mund të vijohej edhe me të tjera opinione e gjykime, por po ndalemi te kjo frazë farse: “BE do të shprehë sërish dëshirën për të negociuar anëtarësimin e Shqipërisë, por në fakt do të duhen vite që kjo të ndodhë.”

Kë duhet të fajësojmë për këtë “kalvar” të Shqipërisë dhe shqiptarëve tash tre dekada? Individë apo parti? Veten apo Evropën? Nga do t’ia fillojmë me justifikimet dhe mosarritjet tona: Nga idetë e pas ‘90-ës për ta kthyer vendin në gjendjen zero? Nga “Shkolla e Plepave”? Nga viti ‘97? Nga viti ‘98? Nga 21 janari? Nga Gërdeci? Nga “arritjet” me kanabis dhe ndërtime galopante? Nga djegia e mandateve? Nga zgjedhjet e fundit vendore njëpartiake? Apo… duhet të kërkojmë arsyet te sherri e shamataja e pafund, në vite, në kohëra, sherr e shamata që ne vetë e bëjmë plot pathos dhe emfazë, duke shpërfytyruar historinë dhe duke u tallur me politikën, si të ishte ajo vodevil e jo institucion. Në sherr e shamata përfshihemi të gjithë, nga krerët e shtetit deri te ai qytetari që nuk ka asgjë në dorë, me përjashtim të fjalëve… (“Lëkundet nje varkë/ dhe mes errërave qan me të madhe…” H. Hese)

Fundja, si i kemi punët sot që presim… fundin e Shtatorit për ndonjë qasje të re? Franca, Danimarka, Holanda, Greqia janë skeptike. Gjermania do të mendohet këtë herë… Të shohim edhe ekspozitën e Kryeministrit dhe pastaj vendosim… Apo të dënohet edhe ish-ministri Tahiri, meqë duhet dhënë një “sinjal” se po luftohet krimi? (“Edhe Jul Cezari, kur po shkonte te vendi ku e prisnin kamat e miqve të tij, mori një pusullë, të cilën nuk e lexoi fare, një pusullë ku i flisnin për tradhtinë…” Horge Luis Borges) E ndoshta ka edhe më shumë se kaq. Po si dhe kur?

Mbase pritet se ç’do të sjellë SPAK dhe ndonjë organizëm tjetër i ngjashëm, që me kalimin e kohës, të kujtojnë gjithnjë e më shumë atë zgjidhjen ideale të konflikteve në tragjeditë e hershme përmes “Deus ex machina”.

Me ‘mbase’ kemi tre dekada ne, siç u tha më lart. Po… sikur e kishim fjalën që negociatat do të fillonin në 2017-ën, pastaj në Qershorin e kaluar… Se na u mbaruan edhe fjalët. E negociatat nuk falen. Dhe është e kotë që të bërtasim e të shajmë atë dhe këtë, se vetes ia kemi bërë dhe ia bëjmë jetë e mot. Tani prapë po flitet për një marrëveshje. Këta (krerët e vendit) mund të bisedojnë… Mund. Sa poshtëruese!

Mendoj se nuk ka negociata sa të jenë këta (të gjithë, pa përjashtim); ato (negociatat) presin emra të tjerë… Kështu që them se vërtet do të presim.