Kolumnist

Ruben Avxhiu: Kosova kërkon kompromis VV - LDK

Opozita i ka numrat për të marrë pushtetin në Kosovë. Po gjithshka do të fillojë me një sacrifice.

Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike Kosovës kanë një mundësi serioze për ta zëvendësuar Partinë Demokratike të Kosovës në pushtet.

Me më shumë se 70% të votave të numëruara, VV ka 26% e LDK 25.3%.

Problemi kryesor dhe i pari i kësaj perspektive është që njëra prej të dyjave të pranojë që postin e kryeministrit ta marrë partia tjetër.

Ndryshe nga shqiponja në flamurin kombëtar shqiptar, kjo qeverisje e re e Kosovës nuk mund të ketë dy koka. Vetëm një person mund të bëhet kryeministër dhe njëra nga partitë do të duhet të pranojë sakrificën.

Kjo nuk do të jetë e lehtë. Kur rezultati është kaq i ngushtë, partia që del e dyta e ka më vështirë të pranojë humbjen e postit kryesor. Po jo e pamundur.

Nëse dështojnë këtu, PDK që është e treta me pak më shumë se 21% e që ka dëshmuar se di të tregojë më shumë fantazi dhe pragmatizëm në ndërtimin e koalicioneve, nuk do të rrijë duarkryq. Në të dy zgjedhjet e mëparshme, ka ekzistuar mundësia që PDK të mbetej jashtë dhe nuk mbeti.

VV ose LDK do të detyrohen të bëjnë një kompromis. Partia që del e para (deri tani VV) duhet të marrë postin e kryeministrit. Po nëse numrat ndryshojnë si ndryshuan një herë tashmë (LDK e nisi natën në vend të parë), kjo ka potencialin të krijojë mëri.

Nëse partia e dytë do të këmbëngulë për një kryeministër asnjanës, partia që ka dalë e para do të mendojë se po i bëjnë një padrejtësi.

Shumë modesti dhe vetëpërmbajtje do të nevojitet për t’u qendisur ky koalicion që ende nuk ka asgjë të sigurtë. Asnjë parti nuk ka marrë më shumë se 30%. Ky është një popull shumë i pavendosur dhe i pafrymëzuar. Gati gjysma as që e ka marrë mundimin të votojë.

Nëse VV dhe LDK mbyten në mosmarrëveshje për postin e kryeministrit, PDK do të shohë një hapësirë për të mbetur në pushtet. Ndryshe nga VV dhe LDK, PDK-ja do të jetë gati që t’ia lërë postin e kryministrit cilësdo prej të dyjave. PDK do të hyjë në qeveri me Albin Kurtin kryeministër, me Vjosa Osmanin kryeministre, me Isa Mustafën apo këdo nga të dy partitë që do të jetë gati të braktisë koalicionin e imagjinuar apo edhe vetë partinë.

PDK është në rrugën drejt daljes nga pushteti dhe nuk ka çfarë të humbasë. Ndryshe nga koalicionet mes LDK-së dhe VV-së që do të vijnë me një kompromis të pakëndshëm, PDK do të jetë gati të shpëtojë sadopak pushtet që të mbetet. E ka dëshmuar disa herë përfshi edhe në rastin e fundit, kur pranoi të bëhej kryeministër Ramush Haradinaj.

Mes rezultateve që duhen përmendur e që do të shohim më vonë peshën reale të rëndësisë së tyre janë të paktën 3: Që koalicioni i AAK-së me PSD-në nuk pati hovin që duhej të kishte prej politikës së taksës ndaj Serbisë dhe qeverisjes komunale të Prishtinës. Që Nisma qendron mbi 5%. E që Lista Serbe mbetet forca politike e Veriut në një garë të pabarabartë. Një nga këto tre lajme është veçanërisht i mirë për Vetëvendosjen. “Disidentët” e PSD-së nuk e kanë dëmtuar shumë duke u larguar prej saj.

Në fund, një këshillë e cila nuk është për veshët e për sytë e natës së zgjedhjeve, ku secili e ka mendjen te partia përkatëse: pavarësisht se mjaftojnë 50% për të ndërtuar një koalicion qeverisësh, do të ishte mirë që të krijohej një qeveri me bazë shumë më të gjerë. Do të ishte një fitore e madhe për Kosovën në prag të bisedimeve të ardhshme me Serbinë. Marrëveshja e mundshme historike mund të kërkojë vendime jo të lehta dhe ato nuk duhet të varen nga koalicione që rrezikohen nga një apo dy vota ndryshe.