Kolumnist

Rikujtimi i një debati për ‘luftën çlirimtare’ - Nga Pëllumb Kulla

Ja këtu, pas shtatëdhjetepesë vjetësh!

Unë nuk përfaqësoj Mid’hat Frashërin, megjithëse jam pakëz nacionalist. Bile edhe profesorët nuk përfaqësojnë Enverin, megjithëse janë tepër-tepër enveristë!

Profesorët janë shumë të angazhuar me apelet që u bëjnë njerëzve për t’u mbledhur në mbrojtje të Luftës Nacionalçlirimtare.

Nuk e kanë të zorshme. Në mbrojtje të saj bashkohem edhe unë, dhe ma do mendja bashkohen të gjithë, pasi në vetvete, për një komb nuk ka kauzë më të shenjtë se sa lufta për çlirim. Dëshmorët e luftës kundër okupatorit kanë nderimin e të gjithëve, të bashkëkohësve dhe gjeneratave pasardhëse.

Por historianët tanë të mbijetuar të erës enveriste bëjnë shejtanbudallain, ngaqë ata prapa Luftës Nacionalçlirimtare fshehin temat përvëluese të dekadave, që morën udhë me fundin e atij Nëntori.

Ata janë shkencëtarë të lidhur këmbë e duar nga veprat që i bënë me titujt e profesorëve dhe doktorëve. Me këtë duarlidhje ata nuk do të duan ta prekin as Luftën e Klasave, as rrethimin e plotë të ishullit arbëror me njëzetepesë fije telash me gjemba, as prapambetjen e vendit, si më i fundit vagon i trenit europian, as mungesën totale të lirive, as bjerrjen morale, jetët e përmbytura nga pabesitë, përgjimet dhe spiunimet.

Mbase jam larg ofiçinës së tyre, por nuk e kam parë të qasen te lufta e gjatë me mullinjtë e erës, dua të them, me “armiqtë” në arte, ushtri dhe ekonomi. Ata e ndjejnë që lufta për çlirim është e vetmja temë që i nderon dhe atë e shohin ngushtë, pa nëntemat e saj të shumta me çështje kombëtare, me varësitë nga Kominterni dhe komunistët fqinjë e shumë e shumë nëntema të tjera. Edhe vetë luftën për çlirim ata nuk e vlerësojnë siç i takon ta vlerësonin, por sillen si kali në lëmë rreth figurës së Enver Hoxhës dhe mbyllin sytë mbi shëmtinë historike të shfarosjes së tërë komandantëve të Luftës Nacionalçlirimtare nga dora e kryekomandantit të tyre paranojak.

Historianët tanë nuk ndryshojnë aspak nga njeri-tjetri teksa nuk thonë asgjë të re.

Unë nuk e kam përjetuar kohën e pushtimit dhe luftën. Dhe as pretendoj të bëj historianin. Nuk kam as qasjen komode në dokumenta dhe e pranoj se nuk më mbetet veç të elaboroj faktet që më jep historia e PPSH dhe librat e zotërinjve historianë, shumica e të cilëve gjithashtu nuk e njohin pushtimin dhe luftën në vetën e parë, por shohin në mënyrë selektive dokumentat që mbështesin tezat e tyre të titujve shkencorë. Ca më keq, kur ata u drejtohen shënimeve të Enverit dhe besojnë manipulimet dhe mashtrimet e tij historike derdhur në tërë ato volume, që janë materialisht më të pasura për komedianët, se për historianët.

Kësisoj në këto shënime unë nuk do jap shpjegime se nuk e kam lartësinë e duhur. Por do t’i kërkoj ca shpjegime, me shpresën se tërthorazi do të m’i japin zotërinjtë që po përmend.

Zotërinj historianë, lufta në Shqipëri që filloi në shkallë të gjerë në vitin e fundit pas pesë vitesh pushtim, ishte një luftë në favor të Çlirimit apo në favor të Pasçlirimit?

Mukja që u nis me qëllimin e mirë për të bashkuar forcat kundër okupatorit, a nuk ishte e gabuar që në nisje, pasi Balli ditën e parë të Mukjes ishte po aq tradhëtar, saç ishte dhe pas një jave, kur u shkye marrëveshja? Mos Enveri dhe tutorët e tij të përtej kufijve u vonuan shtatë ditë për diagnostikimin e nacionalistëve të M. Frashërit?

Mid’hat Frashëri vetë ishte antikomunist i deklaruar… Mos ndofta vlerësimi i tij historik si armik i shqiptarëve nga ana juaj, bëhet ngaqë ishte armik i komunistëve?!

Shumë njerëz e njohin prejardhjen time dhe e dinë që në familjen e ngushtë, dhe në një rreth pak më të gjerë, kam pesë njerëz të ekzekutuar nga komunistët. Kanë kaluar shumë dekada dhe pas të dënuarve tanë kanë vdekur dhe ekzekutorët e tyre. Pas një hetimi jo të plotë, anoj subjektivisht në mendimin se njerëzit e mi të ekzekutuar kanë qenë të pafajshëm. Gjithsesi, nuk kam parë as te vetja, as te të afërmit, kurrfarë ndjenje tjetër, veç keqardhjes. Nevojat e kthesave marramendëse tranzicionale kanë bërë që ata të kenë marrë edhe pafajësinë! E kanë marrë bile edhe pa një rigjykim të bëmave të tyre, të mira apo të këqia! Dhe bile, edhe janë dëmshpërblyer! E pranoj që është grotesk i pastër. Por a do të ketë mundësi që të mos trazohen më nga historianët tanë me emra autoritarë? Dhe me që delegatët e dy palëve në Mukje, ballistë, komunistë shqiptarë por edhe të fortinteresuarit jugosllavë, kanë vdekur që të tërë, a nuk do të ishte mirë që të lihen të qetë edhe ata, tok me fajet, gabimet, apo edhe krimet e tyre?

Apo ndoshta ju, të nderuar historianë, nuk gjeni sa duhet beteja shumëditore, të ashpra e të përgjakshme me nazistët, aty ku nazistët deshën të qëndronin dhe luftëtarët tanë i dëbuan, që ju ato beteja t’i përshkruani? Dhe shtrëngoheni tani të vërtiteni rreth Mukjes, kuislingëve, dhe armiqve tërësisht shqiptarë të Enverit? A nuk po rrëshqisni vetë në luftë civile, në atë që ju e kundërshtoni me forcë, ashk dhe artikuj të zjarrtë?

Është botërisht e pranuar se Enveri me repartet partizane, i mundi me meritë forcat kundërshtare për pushtet, dhe se gjermanët, në një farë mënyre, na ndihmuan mjaft për çlirimin e Shqipërisë.

Dhe tani për këtë luftën tuaj civile, që po zhvilloni këtu e shtatëdhjetepesë vjet, a nuk do të gjendet një burrë i shquar, vizionar, që juve t’ju thotë “zjarr ndalo!”

Rikujtimi i një debati (2)

Pas artikullit të mëparshëm për Mukjen dhe Luftën Nacionalçlirimtare, një stuhi e tërë u ngrit kundër meje. U shquan sidomos dy profesorë të historisë.

Dhe unë botova shkrimin që vijon:

Zotërinj profesorë! Në krye fare, ju falenderoj të dyve për vëmendjen ndaj shkrimit tim të para tri ditëve.

Nuk e di, se sa u takon juve të përgjigjeni për një frazë vendosur arbitrarisht në faqen e parë të gazetës DITA, datë 15 Nëntor, ku, thuhet se “nëse zotit Kulla nuk i pëlqejnë ‘enveristët’ nuk ka përse t’i pëlqejnë ‘kuislingët’!..

Nuk kam thënë kurrë as mbyllur, as fshehur, që më pëlqejnë kuislingët! Gazeta DITA le të mos mundohet të marrë me mend se ç’pëlqej unë dhe le të më lerë t’i them vetë preferencat.

Mbetem me mendimin se Balli Kombëtar ka përgjegjësi historike të rëndë për fatet e shqiptarëve dhe nuk kam marrë kurrë ndonjëherë anën e tij.

Kurse ju, zoti Paskal Milo, mik i “kohës së Enverit,” presupozoni se unë i mohoj komedijzat e shkurtra me ballistët gjatë luftës, dhe vazhdoni, për fat të keq në nivele të opinionit ordiner, të përfytyroni sikur mua ato më venë në pozitë të vështirë?! Absolutisht jo! Disa prej tyre i quaj më të bukurat faqe skenike të krijimtarisë sime dhe lumturohem sa herë shfaqen. Të ishte ndryshe unë do t’i kisha hequr nga qarkullimi, siç kanë bërë me dhjetra krijues të tjerë të skenës, ekranit, letërsisë dhe historiografisë.

Dhe ju nuk ka se si të mos e dini për cilët autorë e kam fjalën. Nuk e kam ndalur shfaqjen e tyre në tërë kanalet televizivë, sepse më mbështet edhe bindja e pandryshuar që përmenda më lart në lidhje me mëkatet historike të Ballit.

Unë mendoj se, që të dy ju, nuk interpretoni drejt artikullin tim. Unë kap figurën e Mukjes, sepse mendoj që ajo simbolizon diçka më shumë së një marrëveshje.

Më shumë se aq, ajo është një mosmarrëveshje!

Dhe nuk e them për herë të parë këtë gjë. Po në këto gazeta nja dy muaj më parë (3 Shtator, saktësisht!) jam shprehur se “dy forcat rivale, Balli dhe komunistët, e ndjenë erën e gostisë që përgatitej pas Stalingradit, Kurskut dhe El Alamejnit! E ndjenë që humbja e Boshtit nazifashist kishte filluar… Hileqarët shqiptarë, të të dyja palëve, u mblodhën në Mukje thuajse pa hedhur fare pushkë "çlirimtare" deri atëherë… Vezullimi i pushtetit do të prodhonte pa tjetër luftë civile.”

Kështu kam shkruar.

E nuk është aspak e vërtetë, ajo që thoni se unë i shtyj historianët drejt analizës së pasluftës, kur ata nuk e kanë qejf atë analizë dhe duan të flasin vetëm për luftën, që unë i shtyj historianët drejt analizës së pasluftës, kur ata nuk e kanë qejf atë analizë dhe duan të flasin vetëm për luftën. Mua më duket se në temën e Luftës Nacionalçlirimtare jemi, kur unë bëj pyetjet për asgjësimin e komandantëve të kësaj lufte, Shehut, Ballukut, Dali Ndreut, Hazbiut, Çakos, Dumes e dhjetëra e dhjetëra të tjerëve! Bile, nxitoj të them se është turp që nuk mjaftuan 24 vjet për të zgjidhur këtë lëmsh stalinian të KQ të PPSH-së! Dhe është hipokrizi totale e festuesve, (të përzjerët me politikanët e rinj me shalla të kuq të ditëve tona!), që tundin portretet e Enver Hoxhës pa e pleqëruar, siç ua do mosha, nëse ishin tradhëtarë dhe agjentë të kinezëve, rusëve dhe amerikanëve ata komandantët e brigadave sulmuese, apo është tradhëtar ai, që ne ngrejmë dhe tundim përmbi kokat tona?

Të festosh Përvjetorin e Madh, pa u dhënë shqiptarëve këtë përgjigje, është të futësh kokën në rërë si struci!

Dhe nuk e fsheh se kam kënaqësi tek ve re pozitën e pavolitshme të historianëve enveristë, kur ata vetë detyrohen të pranojnë se qënkërka e mundur, një herë në njëmijë vjet të ngjasë ajo, që edhe ujqërit të ngopen edhe delet të mos pësojnë gjë! Le, pastaj kur ca nga ju, profesionistët e historisë, nuk flisni në mënyrë të qartë, apo nuk i prekni fare temat djegëse të ekonomisë, izolimit, gojëkyçjes dhe diplomacisë, që vijuan pas luftës.

Por le të mbetemi tek lufta, meqë e preferoni!

Kur ju flisni për rrezikun e humbjeve territoriale që do të kishim ne po të mos ishim rreshtuar me fituesit duhet të na tregoni se cilët territore humbën shtetet e turpëruara të Boshtit, Gjermania, Italia dhe Japonia, që ishin kryehumbësit? Dhe a kanë humbur ata ndonjë entitet si Kosova, që e humbi pikërisht ky vendi i rreshtuar me nder, me koalicionin fitimtar?!

Paskal Milo , o “miku im i kohës së Enverit,” siç më quan ti. Për asnjë çast nuk ta mora skeptrin e profesionistit. Atë ta gëzosh dhe ta mbash! Por, me nder ama! Se, të jem i sinqertë atë skeptër, deri tani… Dhe le të jetë ky gjykim i një “amatori” të shkencës tuaj, por edhe i një intelektuali që pretendon se njeh fort mirë të tashmen dhe rolin negativ që i vjen kësaj të tashmeje nga e kaluara!

Dhe veçanërisht i neveritur jam me keqkuptimin tonë mbi mesazhin e artikullit tim mbi Mukjen, i cili përfundonte me thirrjen “Zjarr Ndalo!” që mund ta bëjë çdokush, pa qenë nevoja të jetë profesionist historie!

Por unë e kuptoj që u kam shkelur në një kallo të mallkuar historike fituesve të luftës, kur u prek të vetmen kollonë që u ka mbetur. Se sikur, për ilustrim, në faqe të parë, në vend të Komandantit dhe shokëve të tij me lule në duar në Tiranën e çliruar të 1944, të vendoseshin dy tre nga tragetet e 1991, tragete që flasin për një çlirim tjetër të shqiptarëve, atëhere përshtypja do të ishte më kuptimplotë.

Mos u ligështoni, zotërinj, se ngre duart dhe e pranoj! E pranoj që edhe ky çlirim i dytë meritë e juaja, e komunistëve ishte!

Sillni, sillni pak ndërmend ato anije të ngarkuara gati për fundosje, me kuverta të mbipopulluara dhe njerëz që u varen jashtë parmakëve e mureve të anijeve, si vile rrushi!

A thua atë mizëri e përbënin vetëm të persekutuarit e kohës?

Ata që mbajnë ende në gjoks, medaljonin e komandantit e kanë vështirë të mbrojnë pasluftën dhe shtrëngojnë fort në gjoks luftën. Nderim atyre që i hynë asaj lufte me pastërti dhe pa djallëzira politike!

Nderim dëshmorëve dhe jetëve të tyre të prera në mes!

Për sa i përket asaj që përmendni, ecurisë time në fushën e letrave dhe të artit, ky është ilustrimi më hipokrit dhe më gënjeshtar i Luftës së Klasave! Sepse nuk mund të lihet pa një shpjegim kur unë i sjell ngjarjet në terrenin familjar. Unë flas për persekutime, ekzekutime, burgime dhe internime, por, sado të padrejta, unë i quaj pasoja logjike të përplasjes së madhe. Mua më duken qesharake akuzat ndaj atyre që u pushkatuan. Dhe më besoni, kam hulumtuar mjaft në arkivat gjyqësore!

Këtu është në lojë mëndësia e shoqërisë shqiptare. Nëse unë qahem për Luftën e Klasave dhe lukunia e komentatorëve kërkon të më mbyllet goja, se pikërisht unë nuk u dashka ta prek atë tel drithërues, nuk e kuptojnë se unë nuk jam aspak i vuajturi në atë luftë klasash, (siç thua që paske qenë ti, i dashur Paskal!). Jo, jo, ke të drejtë: ti më gjete në Fier, si “veshkën në mes të dhjamit!”

Dhe mbase është vënë re që, sinqerisht, nuk jam ankuar kurrë. Do të ankohesha, por për tërë fëmijët e talentuar dhe të etur për dije të të deklasuarve, për gjithë jetët e sakatuara të njerëzve pa faje, për tërë fëmijët që nuk lindën kurrë ngaqë mijëra vajza të asaj shtrese nuk u martuan dot kurrë.

Unë e kam për dëmet që Lufta e Klasave i ka sjellë shoqërisë shqiptare, daç fitimtarëve dhe daç humbësve. Dhe ajo po u sjell ende edhe sot, se Lufta e Klasave nuk bën pushim mbi truallin arbëror.

Kur unë flas për Mukjen, unë flas për një qetësim gjakrash dhe bëj një apel që nuk lidhet ngushtësisht me mua.

Megjithatë, për të shuar edhe kureshtjen e atyre që shkrimi im i revolton dhe lëshojnë nga goja të lara dhe të palara, lejomëni zoti Milo, që në replikën për ju, t’u bëj pak vend dhe atyre dhe t’u them se për shkollimin tim, paradoksalisht, ka meritë vetë ai, Enver Hoxha, të cilit ia shfaqa kërkesën gojarisht, tek e ndalova një ditë në repartin e uzinës ku punoja. Pra në një farë mase, në planin strikt personal, unë i jam përjetësisht mirënjohës atij. Dhe po të mos ndodhte ajo rastësi, sinqerisht, nuk do të dihej fati im.

Por pa cënuar mirënjohjen, ia lejoj vetes të them se atë burrin e portreteve tuaj, në planin shoqëror, unë e quaj, një figurë nga më të zezat e historisë kombëtare.

Miku im Paskal, unë dua të jem me ty mik jo vetëm në një “kohë të përcaktuar”. Dihet që njerëzit ndryshojnë në varësi nga veprimet dhe qëndrimet. Të falenderoj që premtove të ma japësh librin tënd të fundit, (siç ta kam dhënë edhe unë timin, tani vonë, në këtë kohën tjetër!) dhe sinqerisht uroj që libri yt të më pëlqejë.

Por, ta them hapur, do të lumturohesha në rast se nuk do të të shihja në krye të atyre që shkruajnë historinë!

Në fund të replikës ndaj meje, ti i luteshe Zotit, që Ai të më ndihmojë. Faleminderit!

Por Zoti të ndihmoftë edhe ty, se për Atë, nuk është mundim i madh të na ndihmojë të dyve!

Sipas një botimi, kohë më parë, në DITA