Kolumnist

Bëni Shqiptarinë, pastaj Ballkanin - Nga Vangjush Saro

“Kur nuk ke pulën, ha sorrën.” Kështu thotë një fjalë e vjetër, e krijuar kushedi si e në ç’kushte. Përshtatja në kohë e disa sentencave, si edhe kjo, bën që ato të marrin ngjyrime më shumë se ironike. Pak a shumë kështu po ndodh me të ashtuquajturin “Shengen Ballkanik”, për të cilin një pjesë e madhe e opinionit publik, por edhe njerëz të njohur të penës, kanë formuluar hezitime, le të themi më mirë kundërshtimet e tyre. Siç dihet, ideja është e vjetër, e ka hedhur kohë më parë Kryetari i parë i PS-së, Fatos Nano; edhe ai, në kushte kur duhej të shfaqej më i rëndësishëm nga sa ishte, si dhe për të shmangur vëmendjen e qytetarëve nga krizat që kalonte vendi. Idenë sot po e formulon dhe ‘lançon’ kreu i PS-së dhe ideatori i Rilindjes Socialiste, Kryeministri në probleme Edi Rama.

Mendimi i parë që qaset në këtë bisedë, është ai i zëvendësimit të BE-së me “Shengenin Ballkanik”, jo aq si një nevojë – sepse, në thelb, nuk ka asgjë të keqe – sesa si një justifikim për të thënë se diçka po bëhet, harrojeni për momentin Evropën, nuk ishte faji ynë që ajo na shtyu tutje, hajdeni të hamë ‘sorrën’… Një kapërcim nga njëra temë në tjetrën, nga njëri premtim në tjetrin, për të ndryshuar sadopak pamjen-rrumpallë të vendit, nëse do të përdornim një fjalë që dikur Kryeministri e përdorte për ‘shtetin’ a ‘qeverisjen’ e të tjerëve. Përndryshe, mungesë sinqeriteti. (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin.” K. Goldon).

Po vërtet, duhet të ‘hamë’ sorrën? Deri më sot, ne e kishim fjalën gjetkë; që po shkonim drejt BE-së, madje e bëmë punë të mbaruar. Edhe njëherë: Askush nuk mund të thotë se është ndonjë gjë e keqe kjo ideja për të krijuar këtë BB-në; jo bobo (!) por Bashkim Ballkan. Në hartën e gadishullit që ka bërë historinë e Evropës, por mbeti përherë në bisht, sado që pjesë e saj formalisht, vendet e këtij “Shengenit të Ri” i kanë të gjitha mundësitë të miqësohen ca më shumë me njëri-tjetrin, të shtojnë shkëmbimet, t’u japin këtyre shkëmbimeve më shumë hapësirë e liri, të ndërtojnë një botë ku të ketë besim dhe zhvillim, një ‘botë’ që nuk se e konkurron Evropën, BE-në, por gjithsesi, është një farë gjëje… Këto argumente, me sinqeritet, përbëjnë gjysmën e kësaj historie.

Tani, le të vijmë në gjysmën tjetër të saj. Në gjysmën tjetër të kësaj… marrëzie. (“Më thuaj çfarë do, të të them, kush je…” A. Çehov) Z. Edi Rama, që po tenton ta përdorë këtë nismë si një barkë shpëtimi, për veten dhe PS-në, shkon tej edhe më tej. Ja për shembull, një marrëzi e vogël, nga ato që bëjnë marrëzinë e madhe, për të cilën fola më lart: “Pas “Shengenit Ballkanik”, ne besojmë se do të kemi një ‘boom’ turistësh kinezë, sepse në muajt në vijim do të dakordësojmë, që për turistët kinezë nuk do jetë e nevojshme të kenë më shumë sesa një pikë hyrëse.” Kuptoni gjë, ç’është kjo?

E para, këtu ka një sërë gabimesh, logjike e gjuhësore, por mbase janë të medies, kur lexova si më lart. Dhe kjo shkon sakaq te ideja e këtij shkrimi; që është pak a shumë: Bëni njëherë Shqipërinë, pastaj mendoni për Ballkanin. (Dhe kur them “Bëni Shqipërinë!” kam parasysh respektimin dhe ngritjen e institucioneve, për të cilat kam shkruar edhe më parë; kam parasysh një zgjidhje politike që ta heqë vendin nga kriza dhe pasiguria; kam parasysh komunikimin normal, gjuhën kombëtare, ndalimin e ndërtimeve skandaloze, paqen mes vedi, etj.)

E dyta, a është kthimi pas nga BE vetëm faji apo mosarritja e Kryeministrit? Aspak. Në këtë ‘disfatë’, janë përfshirë shumë aktorë, tanët dhe të Botës. Por kryeministri ka përgjegjësinë kryesore që pakti me Evropën nuk u përfundua dot. Dhe reagimet e tij të tanishme për të krijuar një BB a SHB a SHR çfarë i thonë, duken si një hile e madhe; demek, që do ta bëjmë një gjë, do ta bëjmë, po se për në Evropë, se për në Ballkan se për në Azi, nuk jemi të sigurt…

Unë fola për njerëz të njohur të penës që e shohin me skepticizëm nismën në fjalë. Po mund ta zgjerojmë rrethin. Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç thotë se Mali i Zi është anëtar i CEFTA, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, një iniciativë rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor që garanton qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. (Në këto organizma aderon prej kohësh edhe Shqipëria.) Më tej, ministrja malazeze thotë: “Unë i kuptoj nismëtarët. Këta janë vendet që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri-tjetrit, mund të kenë nevojë për një iniciativë të re, për të premtuar përsëri se ata do të bëjnë atë që kemi bërë prej kohësh…” Ja edhe kundërshtime nga vetë bashkëpunëtorët e Kryeministrit. Sipas mediave, në një takim me studentë shqiptarë në universitetin e Firences, në Itali, z. Pandeli Majko, aktualisht Ministër i Diasporës dhe një ndër emrat e njohur në PS, ka deklaruar se Shengeni më i rëndësishëm për Shqipërinë është ai me Italinë dhe jo me Rajonin. (“Kemi dëgjuar këto kohë të flitet për shumë lloje Shengeni në rajon, por mendoj se Shengeni më i rëndësishëm i Shqipërisë është ai me Italinë.” etj.) Më tej, mediat komentojnë se Ministri i Disaporës ‘nuk e ka përkrahur idenë e kryeministrit, e cila përjashton Kosovën nga takimet rajonale dhe afron Shqipërinë me Serbinë’. Madje, flitet që në PS ka pasur një debat me tone të ashpra…

Po më në fund, ç’është ‘sorra’? Shumë mendojnë se në “Shengenin Ballkanik”, frenat do t’i marrë Serbia. Të tjerë shkojnë gjer te termi ‘Jugosllavi’ etj. Tani që Evropa na kthehu krahët, duket sikur ‘u hap loja’ për të folur për Kinën, për Rusinë, për Turqinë, për Jugosllavinë… Kështu ndodh kur qeverisja është njëlloj kakofonie. Që duhen shqyrtuar me seriozitet dhe pa paragjykime edhe disa marrëdhënie, si ato më lart, për këtë nuk besoj se ka ndonjë kundërshtim. Personalisht, jam shprehur edhe më parë për njëlloj drejtpeshimi në politikën e jashtme, pa humbur destinacionin ‘Perëndim’. Por unë nuk iu shkoj pas këtyre teorive konspirative. Një gjë është e qartë: Që ky Shengen është njëlloj gënjeshtre, është ‘hi syve’ për të mos menduar ca kohë për goditjen e marrë nga refuzimi i BE-së, është një lojë për të faktorizuar Kryeministrin dhe për ta ‘ribërë’ edhe njëherë figurën e tij, mjaft të ‘dobësuar’ këto kohë.

Për aq sa është, për aq edhe duhet ‘gjykuar’ kjo nismë; pa teprime, pa ‘teori konspirative’. Thjesht, të shkojmë përtej lojërave: është më i rëndësishëm vendi, kombi, se sa disa kryeministra andej e këtej, në ardhje a në ikje. Fjala më e dobishme në këtë temë, pra, është të bëhen njëherë shtetet shqiptare të Ballkanit, të bëhet njëherë Shqiptaria, se po hidhen vetëm fishekzjarrë gjer më sot, në Shqipëri e në Kosovë, e prapë dritë s’po ka. Më tej, ndoshta edhe paralelisht, le të mendojmë edhe për Ballkanin, pse jo… (“Bota i bën rrugë atij që e di ku po shkon.” R.W. Emerson)

 Burimi: Telegraf