Kolumnist

Të festosh apo të mos festosh, kjo është çështja - Nga Endrit Mullisi

Këtë javë, shqiptarët kudo që jetojnë e kanë për zemër sepse është java ku festohet: diku me ceremoni përkujtimore, diku me festa me kërcim (siç dimë t’i bëjmë mirë në çdo lloj feste). Për sa isha në Shqipëri në 20 vitet e para pas rënies së sistemit komunist, filluam të shikonim pa qenë nevoja një teatër që bastardohej me pyetjen se kur iku gjermani i fundit nga Shkodra. Disa kujtonin në Tiranë e të tjerë në Vlorë. Në Elbasan nga jam unë, bënim edhe ca festime për 25 Nëntor. Por tani pas 10 vitesh, për mua festat e 28-29 Nëntorit kanë marrë një këndvështrim tjetër. Ndoshta reflektimi im mund të duket kritik, cinik apo mund të gjeni një mbiemër tjeter, por për mua do të jetë thjesht i sinqertë. S’kam pse të jem i saktë dhe i drejtë në atë që dua të shpreh.

Sot me duket pak e zbehtë dëshira për të festuar patriotikisht 28 dhe 29 Nëntorin për disa arsye. E para, si i larguar nga Shqipëria, “de facto” unë nuk mund të jem patriot si ata të 1912, të cilët (siç na është thënë) kanë bërë sakrifica të mëdha për të ngritur flamurin. Unë u tërhoqa, pasi çmimi që me duhej të paguaja ishte më i madh se e mendoja me mendjen time rinore në fillim dhe nuk dija nëse do arrija të shikoja një Shqipëri të lirë nga hajvanët me kollare. Siç thotë një këngë që më pëlqen e një grupi kosovar “Jericho”, ne kërkojmë hajnin jashtë kufijve dhe harrojmë që e kemi brenda. Shqipëria ka qenë që në fillim për shitje nga ata që për 28-29 Nëntor bënin ceremoni patriotike. I paafte për të drejtuar një komb të vogël, cdo lloj drejtuesi ka synuar të shesë ç’mundet për të përfituar diçka, qoftë dhe për pak kohë.

Është hipokrizi të festosh pavarësinë, kur me bujë të madhe kërkohet prej dekadash hyrje në BE si vendi final i pushimit dhe paqes për shqiptarët. Çfarë pavarësie do kenë shqiptarët në BE? Jam i sigurt që pothuaj askujt si bëhet vonë më, sepse shumica e shqiptarëve e duan BE që të shkojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë Shqipepërisë, si njerëz, me letra të rregullta. Atë që unë e të tjerë bëmë kur erdhëm në Kanada, por shumë të tjerë nuk arrijnë dot për shkak të mosplotësimit të kushteve. Nga ana tjetër, që në kohën e Berishës që e futi Shqipërinë në Konferencën e vendeve Islamike, apo sot me dashurinë e madhe të Edi Ramës me Erdoganin, nuk është gjë tjetër veçse nje kerkese e koheve moderne për t’ia shitur Shqipërinë kujt jep më shumë.

Meqë jam marrë shume vite me marrëdhenie fetare dhe shqiptarë që duan të duken si fetarë, mund të them me plot gojën, që shumica e shqiptarëve, nuk kanë problem të bëhen muslimanë, të krishterë, apo ateistë, mjafton që leku të vejë e të vijë. Shqiptarët nuk pyeten më se në çfarë bazash duhet ta ndërtojnë shoqërinë, por pyeten ambasadat hollandeze dhe atë që shoqëritë e tjera e kanë arritur për 200 vjet dialog, reflektim, ne majmunët kopjacë e kalojme veç me ca ligje të përkthyera nga Anglishtja në parlament. Jo se na bëhet vonë për të drejtat e grupeve të caktuara në Shqipëri, por na duhet të plotësojmë pikët e mundshme.

Të festosh patriotizmin duhet të shohësh modele të tij. Na ngeli koka prapa, tek fotot e 100 vjet më parë, për të vështruar me admirim patriotë që e deshën Shqipërinë jashtë Perandorisë turke. Ndoshta dhe ata nuk kanë qenë shumë patriotë siç duam ne ta mendojmë. Ndoshta ata e kanë kuptuar që Shqiperia mund të copëtohej nga komshinjtë, ndërsa otomanët po jepnin shpirt. Jo pa qëllim shumë shpejt turma njerëzish bërtisnin “duam Babën”, duke nënkuptuar Sulltanin, sepse shpirti nuk u ishte shqitur nga perandoria e madhe. Pra largimi nga otomanet ishte më shumë me leverdi sesa ishte patriotizëm i pastër.

Sot nga larg më duket sikur patriotizmi ka mbetur veç duke bërë duart si shqiponjë e duke kënduar dhe kërcyer kuq e zi. Patriotizmi ka rëne në nivelet e festave. Ndoshta kjo është ajo që arrij të shoh unë në diasporë.

Mbetet për t'u pershendetur ngritja çdo vit e flamurit shqiptar në Parlamentin e Ontarios, apo aktivitete që ndërgjegjësojnë më shumë jo-shqiptarët mbi çështjen dhe historinë shqiptare.

Më thoni ndonjë model tjetër që të mund të kujtoj sërish që sakrifica e patriotëve të vjetër ja ka vlejtur. Deri atëherë do shoh me keqardhje fotokopje hipokrite të viteve të njëpasnjëshme të një populli që ka harruar dhe nuk di se çfarë është dhe çfarë mund të bëhet...