Kolumnist

Si ndihesh pas një katastrofe - Nga Jeta Dedja

Në rastin më të mirë është veç një lëkundje qelqurinash që të përmend se ti nuk mund të bësh asgjë për ta ndalur atë. Dhe në rastin më të keq është një shkatërrim i jetës, i ëndrrave, i shpresës. Ai thjesht ndodh në sekondin e gjumit të thellë, ose në minutin e kulmit të punës apo të dëfrimit. Ai nuk zgjedh e as të përgatit. Të vjen e të godet si një tradhëtar në befasi. Dhe në këtë betejë të padrejtë as dy opsionet klasike të reagimit, vrapo ose lufto nuk të garantojnë fitore, sado aftësi njerëzore të kesh.

Tërmeti është një prej atyre fenomeneve natyrore që të lë pa frymë, të trondit qënien, ekzistencën dhe nëse ti ke fatin të mbetesh gjallë, nuk do të jesh më si më parë. Katastrofa që shembi shtëpinë tënde ose të dikujt tjetër që nuk e njihje, të ka dridhur zemrën, por katastrofa që rrënoi trupat e familjarëve, miqve apo bashkëqytetarëve të tu të ka shembur një pjesë të shpirtit.

Ti do të ndihesh i dërrmuar për shumë e shumë kohë derisa mekanizmat mbrojtës të qënies të vihen sërish në punë e të të ndihmojnë të ecësh përpara. Por nëse asgjë nuk funksionon? Po nëse ti mbetesh i mpirë mes lotëve që të rrëshqasin pa e kuptuar dhe ndjesisë së dhimbjes që të shtrëngon në afërsi të zemrës? Ti do të thuash se je lodhur nga ngarkesa ose nga një mërzi e ditës, por në fakt ajo natë kur iu turre shkallëve të pallatit t’i shpëtoje katastrofës të ndjek si hije nga pas. Të ndjekin historitë e njerëzve që dhanë shpirt mes rrënojave, zërat e mbytur të tyre duke kërkuar ndihmë, imazhet e fundit që ke parë me sytë me bebe të zmadhuara prej frikës së madhe. Ti ndihesh pafuqi dhe kaq i përkohshëm në një botë të pasigurt. Ti nuk mund të flesh i qetë, të del gjumi orë pa orë dhe ngrihesh kontrollon familjarët e shtëpinë. Ti alarmohesh kur ndjen lëkundjen më të vogël, qoftë edhe atë të krijuar nga hapat e tu të rëndë. Acarohesh menjëherë kur dikush të thotë se po e ekzagjeron dhe po bëhesh i fiksuar. Ti vazhdon të ndjekësh me ankth lajmet, ashtu siç kontrollon websitet për ndonjë paralajmërim tërmeti. Ku i dihet, edhe janë të vërteta disa njoftime. Disa të tjerë nuk janë si ty. Ata thjesht duket sikur kanë harruar si me magji duke mos kujtuar dot ngjarjen. Kjo është mënyra e tyre e reagimit pas traumës, si një gaforre që tërhiqet në koracë.

Psikologët e kanë kollaj të thonë mos ndiq lajme që të reduktosh stresin, por si t’ia bësh merakut? Ata gjithashtu këshillojnë të vazhdosh rutinën, por a është e mundur kjo në një situatë kur njerëzit kanë dhimbje dhe as duart, as mendja, as zemra nuk marrin komanda? Ekspertët sugjerojnë të hash mirë e të bësh aktivitet fizik, por a të hapet goja dhe a të shkon mendja për ushqim?

Ndoshta ti do doje të ndihmoje njerëzit e tronditur si ty, ndoshta ata më shumë të tronditur se ty. Kjo do të ishte një mundësi e mirë edhe për të ndihmuar veten.

Dhe a e ke vënë re? Ndonjëherë ti habitesh me forcën tënde, kur ia del të përballosh dhimbjen më të madhe, e përmes tragjedisë arrin të krijosh perspektiva të reja për jetën. Ti ia del të vlerësosh më shumë atë që ke në të tashmen sesa të zhytesh në dëshpërim për atë që nuk ke. Ti gjen rrugën të orientohesh më qartë drejt të ardhmes dhe të jesh specifik në çka do dhe nuk do. Ti merr kontrollin e jetës tënde, duke ndjerë ritmin e frymëmarrjes të normalizohet. Ti kupton se ke njerëz që të duan dhe nuk të lënë vetëm. Ata të kanë hapur dyert e zemrës përveç se të shtëpisë. Kjo është madhështia e njeriut, kur në ditët më të vështira të jetës të ndihmon të dëgjosh zërin tënd të brendshëm që me forcë të thotë: Jeta vazhdon, jetoje!

 

 

©FlasShqip.ca