Kolumnist

Sulltani i lig dhe Populli i duruar - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Na ishte njëherë një popull i mirë, i urtë, i vuajtur dhe dikur shumë trim. Fati e deshi që një ditë prej ditësh të qeverisej nga një sharlatan që i dukej vetja sulltan.

Populli i duruar filloi t’ia pranonte huqet sulltanit. Qoftë kur dilte i veshur me streçe e fund-poturre duke aspiruar pasaralet e modës së gjinisë neutrale, qoftë kur numëronte tespiet duke iu zgërdhirë Popullit në ditë të vështira. Kishte nga ata që jo vetëm ia pranonin, por edhe ia lartësonin e justifikonin si të keqen më të vogël.

Disa thonin që sulltani ishte i pushtuar nga djalli, (i njohur me emra të ndryshëm si kokaina, psikopatia) ose një njeri i fuqishëm luante me të si me kukullën e fëmijërisë së munguar. Ndoshta, ky ishte një mekanizëm mbrojtës që kishte shpikur Populli për të justifikuar fatkeqësitë që i ndodhnin ditë pas dite. Ose ndoshta një e vërtetë e hidhur me të cilën kishin frikë të përballeshin.

Monstra që qeveriste pa i hyrë gjemb në këmbë prej shumë vitesh kishte zgjatur gjymtyrët edhe më tej dhe me to kontrollonte burimet. Të mirat i merrte për vete ndërsa populli duhet të paguante për gjithçka, për ujin, për zjarrin, për diellin dhe ajrin, e madje dhe për varrin. Edhe në rastet kur i duhej të hiqej si i ndjeshëm e me shpirt, sulltani nuk i rezistonte dot qypave të floririt të grumbulluar nga gjysma tjetër e popullit jashtë kufijve, duke zaptuar donacione që asnjëherë nuk shkuan në adresë të tij. Babëzia e lakmia e sulltanit të lig nuk kishin fund, as dhuna që ai ushtronte ndër njerëz.

Ai nuk pyeste as për të vetët, të cilët i keqtrajtonte njëlloj në sy të popullit. Por këta të paktën ia shihni hajrin se dy lekë i bënin bashkë, sidomos në raste krizash bënin namin, po Populli si t’ia bënte?

Eh, ky Populli ishte aq i duruar saqë nuk e ngrinte zërin fare as kur i shembej shtëpia mbi krye, e ndërtuar keq nga lakejtë e sulltanit, as kur shërbëtorët e pushtetit tentonin t’u jepnin banesat e pashitura të ndërtimeve të tyre, as kur sulltani i qesëndiste burrat për gratë e gratë për burrat, e as kur abuzonte me sigurinë dhe shëndetin e një bebeje që e fluturonte në ajër, apo të një fëmije që pa leje e merrte në krahë.

Kështu, Sulltani-kuçedër me gjini neutrale triumfonte mes fatkeqëve duke tallur me gjuhën e tij të mallkuar e shfrenuar këdo që i dilte përpara, njëlloj sikur të vriste e priste me jataganët e qëmotit. Ndërsa Populli, i miri, i urti, i vuajturi dhe dikur shumë trimi ishte e vetmja viktimë që kurrë nuk u rehabilitua dhe sulltani dhe shpura e tij, të vetmit autorë që kurrë nuk u ndëshkuan.

©FlasShqip.ca