Kolumnist

Poezia e përditshme dhe e neveritshme kosovare - Nga Enver Robelli

Nga: Enver Robelli

Ky i tha atij kështu, ama ai pastaj ia ktheu ashtu. Ky e sulmoi atë, ndërsa ai tjetri i doli në mbrojtje dhe kaloi në kundërsulm. Ai tjetri mprehu thikën, ky shpatën, një tjetër nxori briskun, ky që po e ruante mullirin e rrenave goditi me çekan dhe lehu e lehu derisa e zuri gjumi afër kolibes së qenit. Hajde! Të gjithë së bashku i ranë me kokë shkëmbit. Politikë është kjo. Debat. Muhabet. Poshtërsi është kjo. Domethënë: pagodë e përgojimeve. Në një degë trumcakët. Në tjetrën harabelat. Pak më tutje sorrat. Në gjendje gatishmërie korbat. Epigrame epike. Kush po godet më egërsisht dhe me porosi të cilit punëdhënës? Hajde!

Në këtë vend nuk flitet për vende pune, as për prodhim, as për hapje fabrikash, as për rregullim parqesh, as për pastrim qytetesh e fshatrash, as për punim toke, as për rend e rregull urban, as për ujë të pastër, as për ushqim të shëndetshëm, as për përmirësim të sistemit arsimor, as për gjallërim mendor e kulturor.

Në këtë vend flitet... për politikë... domethënë për plaçkitje... dhe mjetet nuk i zgjedhin ata që duan të përfitojnë... here më shpatë... herë me thikë... ndërkohë mijëra njerëz bëjnë plane... si të largohen, si të ikin, si të marrin një vizë, si të gjejnë një vend pune diku në botën e largët, si të gjejnë një fole larg vatrës... Sepse poezia e përditshme dhe e neveritshme kosovare i çmend edhe ata me nervat më të hekurta...