Kolumnist

Të rrosh a të mos rrosh në Toronto - Jeta Dedja

Sapo kisha dalë nga një prej auditoreve të Ryerson University. Fakulteti i Shkencave Sociale kishte organizuar një trajnim disa ditor mbi parandalimin dhe ndërhyrjen e vetëvrasjes. Me çertifikatën që vërtetonte tashmë njohuritë mbi këtë çështje dola në rrugë me koleget e mia. Pasi u përshëndeta me to mora drejtimin për nga “Dundas Square”. Ishte ora 5 e pasdites e një dite relativisht të ngrohtë në Toronto. Në sheshin e famshëm dëgjoheshin tinguj muzikorë. Shpesh herë artistë të rinj performojnë aty për të testuar ndoshta veten ose thjesht për t’i dhënë gjallëri asaj pjese të metropolit ku në një nga godinat përbri trajtohen njerëz që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor ose të përdorimit të drogave.

Toronto, edhe pse një nga qytetet me standardin më të lartë të jetesës, është streha e plot të pastrehëve. Këtu ekziston një raport i drejtë mes përdoruesve të drogave dhe banorëve të rrugës. Shumë prej atyre që nuk kanë shtëpi, janë edhe përdorues dhe e anasjellta. Shteti u garanton strehëza, u ofron edhe shtëpi me kosto mjaft të ulët, përpiqet edhe t’u gjejë punë të përshtatshme. Por disa prej tyre i refuzojnë ofertat kur nuk u pëlqen zona e banimit. Ndërkohë që disa syresh preferojnë të mos jetojnë larg Downtown, pasi aty është “jeta e fundit”. Politikat sociale janë liberale për personat që përdorin substanca psikoaktive. Ata mund të shkojnë në qendra e të trajnohen si t’i përdorin me kujdes mjetet e bërjes së drogës pa rrezikuar jetën.

Dikush mund të habitet apo të skandalizohet, por kështu është Toronto. Këtë qasje e quan “Reduktimi i dëmit”. Këtu, qëllimi i ndërhyrjeve nuk synon reduktimin e përdorimit, por pranimin e faktit dhe përkujdesjen për klientin që të marrë masat e t’i ketë sterile të gjitha takëmet. Në provincën e Ontarios që pas liberalizimit të aksesit ndaj drogave, numri i përdoruesve është rritur. Kjo dukshëm shihet në “Dundas Square”.

Pikërisht këto po konstatoja duke zbritur shkallët e metrosë. Në platformë, një djalë i ri, i zhuktë në trup, po kërcente. Dukej kaq i lumtur! Nuk isha e sigurt nëse kishte kufje apo thjesht muzika luhej në kokën e tij. Sot është vështirë të bësh dallimin. Sheh njerëz që flasin rrugës, dhe nëse dikur do mendoje se këta flasin me vete, sot nuk je i sigurt.

E kështu duke pritur trenin po vëzhgoja ambientin përreth. S’para kam qejf të merrem me celular kur pritja nuk është e gjatë. Në anën tjetër të shinave dy burra me rroba të zvargura, zgafulluara e zgjyrosura dhe me maska respiratore në gojë, helbete koronavirusi është kërcënues edhe në Kanada, nxirrnin zëra të padëshifrueshëm edhe pse me volum të lartë. Të tjerët, indiferentë me celularët e tyre.

Kur befas, njëri prej atyre dy burrave me maska u hodh tek shinat dhe ashtu me krahë hapur thërriste trenin të vinte. Sytë e tij të zhgapërryer kërkonin audiencë dhe e gjetën atë. Të gjithë ne që prisnim mbetëm pa frymë për pak sekonda, pastaj disa filluan të ulërinin, disa të tjerë të shanin, një burrë i alarmuar ia bënte me dorë trenit që po vinte të ndalonte, të tjerë po i flisnin personit të ngjitej lart, që nuk e di pse, por zgërdhihej aty mes binarëve me të gjithë ne.

Po unë? Kisha në çantë një çertifikatë për vetëvrasjen. Ishte kjo një tentativë vetëvrasjeje? Çfarë duhet të bëja? Si të ndërhyja nga kaq distancë ku ndodhesha? Teknikat që na kishin mësuar ishin shumë larg këtij realiteti. Koha nuk premtonte për asnjë metodë shkencore të provuar dhe testuar nga psikologët e punonjësit sociale perëndimorë.

Dhe vërtet, koha nuk premtonte. Këtë gjë do kish menduar dhe një burrë që u gjend papritmas në zgrip të platformës dhe me një zë kumbues, urdhërues, bindës, thirri: “Hey, take my hand!” duke i zgjatur dorën tjetrit, i cili pa mëdyshje e kapi. Burri shtatlartë dhe i bëshëm e tërhoqi fuqishëm drejt e në platformën e pritjes, dhe vetë u mënjanua pak më tej. E sigurt që nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Ne të kahut verior duartrokitëm dhe uruam heroin e ditës.

Ndërkohë treni sapo arriti dhe dyert u hapën para këmbëve të udhëtarëve të kahut jugor. Por nuk do të ishte kaq e thjeshtë. Bashkë me trenin ia behu aty edhe ekipi i emergjencës. Për aq sa neve të anës tjetër na lejonin xhamat e trenit të shihnim se ç’bëhej në anën tjetër, kuptuam se personi që u hodh mbi hekurudhë nuk u lejua të futej në tren. Spikeri i TTC-së njoftoi vonesa në linjën Yonge-University. Një sërë procedurash do të nisnin për atë tipin pas kësaj ngjarjeje. Në këtë fazë shërbimet e ndihmës aktivizohen dhe mes hallkave të shumta ka gjasa që ajo çertifikata që ndodhej në çantën time, të ndodhej edhe në sirtarin e ndonjë punonjësi të shërbimeve sociale, i cili me siguri do përpiqej t’i vinte në punë njohuritë, ose jo.

Ndonjëherë teoritë duken aq pa kuptim saqë nuk ia vlen të humbesh në to, ndërkohë që tik-tak-u është i vetmi që merr rëndësi. Duke reflektuar kritikisht, por njëkohësisht e dominuar në mendime nga shumëllojshmëria e ngjarjeve në Toronton e kontrasteve, e gjej veten më në fund në shtëpi, e mezipritur të tregoj për të mbijetuarin dhe heroin e ditës.

Toronto, 2020