Kolumnist

Vetmia e Piedestalit - (ana këtej e sarkazmës) - Nga Artan Gjyzel Hasani

Unë i urrej Përvjetorët. Të çdo lloji. Mendoj se e keqja më e madhe na vjen nga përvjetorët. Të lindjeve dhe të vdekjeve. Sidomos të prindërve të mi. Për të mos folur pastaj për përvjetorin tim të vetëm e të tmerrshëm. Atë të lindjes, meqë deri tani Fati është treguar dorështrënguar dhe më ka privuar nga një përvjetor i përjetshëm vdekjeje.

Por meqë urrejtja është nënprodukt dashurie, nga nënvetëdija ime vanitoze përgjatë vitit shpërthejnë zulma patetike përvjetorësh nën fishekzjarre lotësh e qurresh. Në ato ditë muri i ngrehinës simë fejsbukore i ngjan Murit të Madh kinez në ditët e tij më të mira turistike.

Përvjetori i lindjes së nënës. Përvjetori i vdekjes së saj. Pastaj vjen Dita Botërore e Nënës. Shto edhe 8 marsin. Pastaj Përvjetori i lindjes së babait, përvjetori i vdekjes, Dita e Mësuesit, Dita ndërkombëtare e Babait, Dita ndërkombëtare e Jetimëve. Pastaj përvjetori i vdekjes së gjyshes. Dita ndërkombëtare e Gjysheve. Dita e nipave. Dita e prindërve me dy fëmijë. Dita botërore e atyre që jetojnë në 2 dhoma e një kuzhinë, Java ndërkombëtare e admiruesve Foto pa fund të tyre. Babai duke rrëshqitur me ski, nëna pranë motrës gjysëm të vdekur, gjyshja duke dëgjuar Chuck Berry, nëna duke bërë byrek, prindërit e dehur te Vollga, çaste romantike nga dashuria e tyre, nëna si yll, nëna si hallexheshë, ne fëmijët të vegjël, gjyshi duke larë dhëmbët e vënë, etj. Aq shumë foto sa Marubi fillon të lëvizë në varrin e tij.

Por më i tmerrshmi është përvjetori i ditëlindjes sime. Ky është momenti kur Muri i Madh Kinez fillon t’i ngjajë Mekës. Pelegrinazhi fillon që në orën 12:00 të datës së caktuar, por kjo datë arrin në orë të ndryshme në cepat e rrumbullakët të globit. Pelegrinët virtualë që vinë nga të katër anët e globit priten në hyrje nga unë që në njërën dorë mbaj një metër e në tjetrin një peshore. Në hyrje pelegrinët dorezojnë komentet e tyre dhe like. Disa edhe zemrat, Unë u mas me metër gjatesinë, numrin e këmbës dhe ndonjëherë edhe të gjoksit kur komentet e tyre kanë qenë mbi 1000 gërma, siç parashihet në manualin e Shëndetit Mendor të Komentuesve.

Këtu fillon kalvari fejsbukor i miqve të mi, jeta e të cilëve është e vështirë dhe e mundimshme edhe pa taksiratet që unë ua fal bujarisht. Të gjithë me një qëllim të vetëm: të bëjnë adetin 10 herë në vit. Çdo fotoje takon një like, një zemër dhe një koment. Madje disa me fjalorin e Kristoforidhit në duar, në kërkim të fjalëve të reja të papërdorura në vitet e mëparshme në komentet e tyre.
Vijnë të ngushëllojnë, të urojnë, ca në këmbë, ca në avion, anije dhe varka ose voza druri, disa ulur në karroca ortopedike, ca me bikini, ca lakuriq, ca me shkop në dorë, gjysëm të verbër, njerëz që akoma e kanë dorën në allçi nga 100 urimet dhe po aq ngushëllimet e vitit të shkuar. Vijnë nga ana e anës. Kapërcejnë nëntë male dhe pesë oqeane dhe janë aty në kohën e duhur. Kur vonohen i kaplon një ndjesi faji. Dhe komentet e tyre pak nga pak dhe nga viti në vit po i shndërrojnë në mjeshtra të fjalës së shkruar. Shumë shpejt nga masa gjigande e komentuesve të përvjetorëve të mi cfilitës do të dalin shkrimtarë që do të trondisin botën.

Më duket vetja si Inkuizitori i Madh kur dalldia ime idioteske e përvjetorëve merr forma sadiste.

Por gjatë ceremonive ekzaltuese të përvjetorëve kam edhe momente kthjellimi kur bëhem racional në pritshmëritë e mia sadiste. Këtë vit refuzova një ofertë nga dy vajtojca për një vajtim live online të prindërve të mi. Oferta ishte e mirë. 6 vajtime stereo brenda një ore për 3 të vdekur nuk e gjen kollaj në ditët tona. Dhe çmimi shumë i leverdishëm: Falas.

Një foto e nënës duke bërë petë nga brumi godet shumë. Për më shumë efekt emocional mbi miqtë e mi mund t’i vë diçiturën: nëna duke bërë byrekun me rastin e daljes sime nga burgu. Ose nëna duke bërë byrek për të pastrehët e qytetit. Kjo do të rriste dyfish praninë e OJF-ve mes adhuruesve të mi.

I cfilita miqtë e dashamirësit. Kur ceremonia mbaron në sallë mbetem veç unë. Në dysheme një det lulesh, zemrash, fjalorësh shumëgjuhësh, rrobash, protezash, patericash, shishe whiskey dhe serumi bosh, bishta cigaresh dhe tollumbace…

Imagjinoj prindërit e mi të shkretë atje matanë, në Perandorinë e Mermerit ku askush nuk e çan kokën për përvjetorët. Më bëhet sikur dëgjoj zërin e tim eti që thotë “Ja idioti im, ky tellal i palodhur që nuk më lë të qetë as pas vdekjes!”. Ndërsa nëna e butë dhe e mirë do të skuqej nga turpi edhe në versionin skelet të thjeshtësisë, kur të shihte se hyrneku e saj ka krijuar Industrinë e Përvjetorëve të tyre.

Por gjyshja besoj është e kënaqur. Ajo vdiste për pak famë edhe pas vdekjes. Më mirë një Legjendë e gjallë apo një Mit i vdekur – kjo besoj do të ishte deviza e saj e preferuar në versionin lab të dilemës hamletiane. Dhe natyrisht ajo do t’i zgjidhte të dyja.
Këtë ide ma përforcojnë edhe dy komplimentet që shënjuan jetën e saj.

Në rini një nga motrat e Mbretit e pati quajtur “Greta Garbo e Llogarasë”, ndërsa pak vite më vonë, gjatë një vizite atje ku e kishte degdisur, Diktatori e kishte quajtur “Burrneshë” kur e kishte parë Garbon e shndërruar në edukatore çerdhjeje duke larë njëkohësisht me një kanaçe bythët e katër picirrukëve që më vonë u bënë shokët e mi të ngushtë.

Cfilitja e miqve merr fund edhe për këtë vit. Edhe e prindërve po ashtu. Kanë zbritur nga Piedestalët e mi prej ajri dhe janë rehatuar përsëri nën mermer.

Nuk e di si do t’i vejë filli kësaj pune. Tani që më është mbushur mendja top që unë kam lindur nga Faraonë kam frikë se do filloj të ndërtoj Piramida. Piramidat e Përvjetorëve. Mesa duket kjo cfilitje e miqve do të mbarojë veç me vdekjen time. Ose… me shërimin tim.

 

Toronto

10 Mars, 2020