Majmunë nuk ka vetëm në xhungël
- Nga: JETA DEDJA
Prirja për të kopjuar çdo gjë që vjen prej të huajve në vendin tonë është e dukshme kudo. Në adoptimin e ligjeve po, stilin e veshjeve po, mënyrën e të ngrënit po e po, në programe televizive, në komunikimin publik apo rrethin e ngushtë shoqëror, në tekste shkollore, etj. Nuk ka asgjë të keqe t’u referohesh modeleve të mira, përkundrazi, ku ta gjesh të përhapet e mira. Ndryshe është kur kopjohet gjithçka pa u përshtatur me kulturën dhe identitetin kombëtar. Shkencëtarët kanë bërë kërkime e përpjekje për të kuptuar aftësinë imituese të majmunit ndaj njeriut, por nuk kanë bërë kërkime të mjaftueshme për të shpjeguar se pse ca njerëz imitojnë më mirë se majmunët. Këta lloj njerëzish dallojnë për nga mendësia inferiore dhe vasale ndaj gjithçkaje “të huaj”. Dhe këta nuk janë popull.
Kjo mendësi duket sidomos tek politikanët. Ata në ligjërimet e tyre publike sjellin shembuj nga zhvillimet politike e juridike të vendeve të tjera, dhe këto shembuj sipas tyre janë modeli i duhur. Janë këta që mobilizojnë armatën e juristëve ekspertë të nivelit të lartë ti kthejnë fjalët në vepra duke u dhënë detyra t’i zbatojnë sipas konjukturave të politikave ndërkombëtare që përqafojnë shpesh nga halli ose interesi i momentit, ose nga sindromi majmumit.
Dhe kështu ligjet e botës që konsiderohen e shiten në publik si perfekte, përkthehen fjalë për fjalë e zbatohen në vendin tonë. Ligjet e katapultuara e të diskutuara nga ekspertë përfaqësues të interesave të lobeve të ndryshme, miratohen nga politikanë që lodhen duke lexuar deri te fjalia e pestë. Shumë prej tyre i gëzohen vetëm numrave të mbledhur në votim dhe nxjerrjes në Facebook si arritje të rradhës. Pasojat e miratimeve i ndjen në kurriz shoqëria, familja dhe individi të kthyer në kavie pa të drejtë firme.
Është e vërtetë që shqiptarët njihen për aftësitë e mira adaptuese, dhe kjo ka qenë meritë në kushtet e vështira historike për ti shpëtuar shfarosjes. Në kohë të ndryshme janë përballur me sfida të ndryshme. Diku janë përshtatur me fenë, diku me gjuhën, diku me zakone e tradita, me politika e qeverisje. “N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë /na dallon se jem shqiptarë”-ka shkruar i madhi At Gjergj Fishta. Por dihet se ata që janë shprehur anti-politikave të pranimit të ndryshimeve të gjithçkaje që binte ndesh me qelizat e kombit, të trashëgimisë materiale e shpirtërore kulturore, janë sulmuar e surgjynosur deri në harrim. Ka ndodhur atëherë, ka ndodhur edhe në shekullin XXI.
Por a mund të ecet akoma sot nën kushtet e pranimit të gjithçkaje që mund të na “imponohet me mjete demokratike”, duke mos marrë në konsideratë kulturën e shoqërisë sonë, edhe pse na e kanë përbaltur e përbuzur duke e klasifikuar si vend në zhvillim? Pse çdo ligj i ri ose ndryshim ligjor që propozohet, nëse duan ATA, kalon? Nuk bëjnë fajde as ato pak kundërshtitë. Janë pak, sepse kush kundërshton quhet i dalë mode, komunist, idealist, injorant ose paragjykues. Dhe shumë nga ata që kanë zë nuk e ngrenë që të mos damkosen me njolla që nuk ua duron lëkura, ose që të mos humbin statuset e arritura me/pa meritë.
Dhe vendi shkon rrokopujë! Të vetmit që “nuk e shohin” janë ata, kontribuesit e statistikave të palumturisë, varfërisë, krimit e korrupsionit.











