Kolumnist

Rasti Ira Kurti dhe propaganda e luftës - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

9 Maji është Dita e Evropës. Në Shqipëri u kujtua me protesta. Mes protestuesve ishte edhe shqiptaro-kanadezja Ira Kurti. Dikur ka qenë lojtare volejbolli me ekipin e famshëm “Dinamo”, dhe 9 Maji e futi Kurtin sërish në lojë por këtë herë topi ishte ajo.

Pse them ishte lojë? Sepse forcat e rendit kanë zbarkuar bash si në fushë nën fërshëllimën e bilbilit të një arbitri të anshëm, që zbaton rregullat sipas interesit. Ju e dini sesa rol ka një arbitër i korruptuar moralisht dhe financiarisht. Ai ta neverit lojën dhe bën që rezultati të dalë i manipuluar. Ndoshta sepse ky arbitër, do t'i shkojë pas fijes kryeministrit Rama, i cili përmes një citimi të mëposhtëm, publikuar nga Shqiptarja,com e pohon se kjo nuk është një lojë, kjo është një luftë.
“Nëse sot mesazhi im ishte i ndryshëm nga ditët e tjera, ditët do jenë të ndryshme, dhe vetëm kështu mund ta fitojmë këtë luftë. Është luftë nuk është lojë".

Pse them Ira Kurti ishte topi? Sepse u trajtua nga forcat e rendit si një send që mund të preket me këmbë e duar, e të tërhiqet zvarrë në fushë. Por në ndryshim nga topi, i cili nuk duket se poshtërohet, trajtimi i Ira Kurtit si top ishte tejet poshtërues. Dhe në këtë pikë kemi shkelje të drejte. Bashkëqytetarët e saj në Shqipëri i dolën krah, të paktën njerëzisht. Ndërkohë përfaqësuesit e diasporës shqiptaro-kanadeze, ata që njihen si të tillë kryesisht nga qeveria shqiptare ende nuk janë shprehur për këtë rast.

Jemi në një situatë kur Kushtetuta e Shqipërisë është përdhosur në mënyrën më të poshtër të mundshme. Gjykata jo funksionale, punonjës të komanduar. Kaos total. Dimë se pas saj në hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë janë Marrëveshjet Ndërkombëtare të cilat sipas nenit 122 të Kushtetutës, kanë epërsi mbi ligjet e Shqipërisë që nuk pajtohen me to. Kjo do të thotë se çfarëdo ligji që është miratuar nga ligjvënësit e parlamentit më qesharak, ose vendimi të marrë nga qeveria satrapiste me satraplakun në krye, që bie ndesh me parimet e pakteve ndërkombëtare, nuk ka pushtet mbi qytetarin dhe të drejtat e tij të garantuara nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.

Shqipëria është anëtare e OKB prej mëse 65 vitesh. Edhe Kanadaja është. Të dyja kanë firmosur ndër të tjera edhe Paktin Ndërkombëtar për të drejtat Civile dhe Politike, që u garantojnë shtetasve liritë themelore. Shtetasja shqiptaro-kanadeze Ira Kurti ishte pjesëmarrëse në një manifestim qytetar në ditën e drejtësisë, duke ushtruar të drejtën e saj, në një kohë të shpallur nga kryeministri si kohë lufte. Ira, për ata që kanë hedhur hije dyshimi mbi qëllimet e pjesëmarrjes në protestë (se në Shqipëri kushdo që proteston do marrë një damkë mbi kurriz), sigurisht që ka shanse të dalë e fituar përmes një gjyqi për dëmshpërblim, edhe pse me një kosto të lartë personale, po ç’do ndodhë me komandantin e “luftës”?

Neni 20, pika 1, i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike parashikon se “çdo propagandё nё favor tё luftёs ndalohet me ligj”. Pra gjithë këto javë kur kryeministri shpalli një sëmundje si luftë, kërcënoi me ushtri e polici qytetarët ushtarë i etiketoi ata tradhëtarë, emëroi veten komandant, premtoi paga lufte, urdhëroi kufizime, shtetrrethime, etj, paska bërë propagandë lufte.

Ja çfarë ka thënë Rama, cituar nga Reporter: “Policia dhe ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë, Durrës dhe në çdo zonë urbane duke ndjekur, fotografuar dhe futur në një listë të zezë tradhtarët. Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta”.

Ja shikoni edhe galerinë e statuseve të kryeministrit të luftës. 

Kush është në shkelje të të drejtave e të meritojë të trajtohet si top? Ira Kurti apo Edi Rama? Në kohën kur organet e drejtësisë shqiptare diskriminojnë, duke shkelur edhe këto nga ana e tyre ligjin, kush duhet të vendosë ligjin, po të drejtën? Me çfarë justifikimi do të mbahen ende nën zgjedhë shqiptarët? Covidit po i bien forcat. Edhe parakalimet e makinave ushtarake s’kanë më autoritet. Çfarë armiku publik do të vizatojë tani piktori satraplak me qëllim nënshtrimin përmes propagandës armiqësore?

 

12 maj 2020

©FlasShqip.ca