Kolumnist

Shteti policor që rreh fëmijë – Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja
"Policia që duam”, ishte kjo gjetja e marketingut të ministrisë së Rendit në mandatin e parë të qeverisë Rama. Një ditë po e një ditë jo, shihnim policë në rol spiderman-i që bënin të lumtur fëmijë në spitale apo policë që u dhuronin lule drejtueseve gra të automjeteve.
 
Përmes këtyre veprimeve, donin të krijonin imazhin e policisë së popullit, që shërbente dhe mbronte qytetarët. Por nuk e krijuan dot. Sepse policisë shqiptare, kushdo që vjen në pushtet i vënë litarin në fyt dhe e tërheqin si kafshë pune të realizojë plane politike.
 
Pushteti e ka përdorur policinë si një mashë në duart e tij për të grabitur vota, për ruajtjen e fshehjen e bashkëpunëtorëve të tyre, frikësimin e popullatës përmes sirenave e dhënies së shembujve se po ngrite kokë për një të drejtë vjen policia e ta tregon vendin.
 
Rasti i rrahjes së djalit ende në moshë të mitur në mes të ditës, vetëm sepse sipas orës dhe gjykimit të policë, kishte dalë me biçikletë duke "thyer" (ka dyshime për vërtetësinë) fashën e orarit të lëvizjes, është një tregues i qartë i instalimit të shtetit policor.
 
Në një vend ku respektohen të drejtat e njeriut, policia do të kishte kërkuar ndihmën e një punonjësi social për të lehtësuar komunikimin me adoleshentin e paarmatosur, identifikuar si rebel e thyerës ligji në rast se do hasnin vështirësi në të kuptuarin e përcjelljes korrekte të arsyes së ndalimit. Ndërsa në vende ku qeveriset me dhunë e frikë policia rreh fëmijët rregullisht pa iu dridhur dora për t’i thënë gjithë “kryengritësve” të tjerë që nuk e ka problem t’i rrahë e vrasë një nga një gjithë ata që kundërshtojnë shtetin ligjor.
 
Do të kisha menduar që ishin policë indianë (duke ditur që India ka probleme të thella me demokracinë dhe rreh me shkop rregullisht fëmijët) nëse nuk do kisha dëgjuar fjalët në shqip dhe shkrimin në veshjet e tyre. Brutaliteti i tejskajshëm nuk kishte sesi të mos ngjallte një ndjenjë pafuqie dhe mpirje tek ata dëshmitarë okularë, ku të paktën njëri prej tyre arriti të filmonte ngjarjen e të faktonte abuzimin me detyrën.
 
Të kesh jetuar për gjysëm shekulli në diktaturë e sërish t’i shërbesh regjimit me kaq zell do të thotë se je një punonjës i depersonalizuar, ku vetja është bërë njësh me rrobën, dhe trupi të komandohet nga një mekanizëm robotik që zbaton çdo udhëzim absurd për të mbajtur atë rol që të ngroh xhepin në fund të muajit.
 
Një polic i tillë nuk përfaqëson vetëm veten dhe ndëshkimi që do të marrë nuk do të përligjë aspak dëmin e viktimave të mizorisë së tij.
 
Ata 4 policët që rrahën barbarisht djalin 15 vjeçar përfaqësojnë shtetin dhe ndëshkimin duhet ta marrë i pari ai që qëndron në krye të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Prej tij vjen dhuna, prej tij vjen e keqja.
 
Dhe si një e keqe që ka pllakosur vendin, duhen marrë masat për ta shporrur atë. Ndryshe le të ruajmë kokat dhe fëmijët, le të mbyllemi brenda e të zbatojmë rregullat e Satraplakut, duke pritur një zgjidhje nga lart. Ku i dihet, mbase bie rrufeja në hale!
 
16 Maj 2020
 
FlasShqip.ca