Kolumnist

Natë e Zezë në Tiranë: Shteti bandit dhunon historinë

Nga: Jeta Dedja

Shteti policor vërsulet të shembë Teatrin Kombëtar dhe ushtron dhunë mbi qytetarët. Shteti barbar dhe tinzar zgjedh t’i bëjë punët e zeza në errësirë si kusarët e banditët me policë pa numra identifikimi, sinjale telefonie të bllokuara për të zënë në befasi pabesisht mbrojtësit e Teatrit.  

Dikur diktatori shembi kisha e xhamia, burgosi artistë e shkrimtarë, sot pasardhësi i tij shkelmoi godinën e Teatrit, trashëgiminë, historinë dhe u vuri prangat aktorëve, regjisorëve, qytetarëve. Personalisht jam larg dhe nuk di se me çfarë do kontribuoja po të isha në Tiranë. Fjalën kemi në dorë dhe atë përdorim.

Është kollaj të gjykosh njerëzit se pse flenë dhe pse nuk dalin të hedhin poshtë diktatorin. Ashtu janë, ashtu mendojnë dhe atë bëjnë. Në rrjete sociale të gjithë jemi luftarakë, shumë pak dalin në shesh të kërkojnë e luftojnë sot.

Ruajnë të ndenjurat dhe këmbët se mos u hyn ndonjë gjemb, kanë frikë se hidhen si lecka të përdorura, kanë merak se pësojnë hakmarrje.

Kanë plot arsye personale a familjare. Janë edhe të zhgënjyer e të lodhur. Kanë dhënë votat në mirëbesim e u ka djegur shumë shpejt ajo që kanë bërë.

Distancohen nga çështje publike përsa kohë nuk u preket pragu i derës, gjithashtu nuk ndihen as për fëmijët e masakruar nga policia.

Nuk di, a u ka humbur ndjeshmëria, a janë alienuar nga kjo botë e shoqëri saqë nuk ndjejnë asgjë dhe asnjë nerv nuk i lëviz a t’i nxisë??

Po në Diasporë? Kemi një këshill që përfaqëson shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Diaspora shqiptare është aq e fuqishme të paktën numerikisht sa të përmbysë një qeveri dhe të ndërtojë një të re.

Të zhdukë llumin e krijuar gjithë këto vite, të marrë zvarrë e t’i çojë para drejtësisë gjithë shkatërrimtarët e vendit. Po edhe ajo hesht e mjaftohet me Facebook-un për të dhënë mend a për të shprehur simpati ose antipati.

Mjaftohet me një “Eh ç’ti bësh, shyqyr shpëtuam nga ai vend” kur lexojnë se Edi Rama shkallmoi teatrin, arrestoi artistët, shkatërroi Shqipërinë.

Kujtoj se qëkur erdhi me thonjtë e paprerë nga Parisi ku e "adhuronin", nuk reshti së shkatërruari. Edi Rama betonizoi me urrejtje patologjike kryeqytetin, por i kishte mbetur një fiksim. Teatri Kombëtar.

E kishte patur plan të hershëm ta prishte, por nuk kishte gjetur klientin e duhur për të përfituar. Dhe pas shumë viteve të rrjepjes majtas e djathtas 20% nga ndërtuesit, të cilëve u jepte leje ndërtimi në varësi të përfitimit dhe jo dobisë publike, ende i kishte mbetur Teatri Kombëtar.

Kur hipi në krye të qeverisë filloi betonizimi i gjithë qendrave të qyteteve të tjera. Edi Rama, si njeri pa zemër, ia hoqi identitetin të gjithave, por për Tiranën e tij të urryer, e gjeti pasardhësin e paskrupullt. Përmes tij i dha shkelmin përfundimtar simbolit të qëndresës më tepër se 2 vjeçare.

I dha goditjen përfundimtare atyre që populli i mbështeste se ishin artistë, qytetarë me ndërgjegjë të lartë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Por Edi Rama i urren dhe artistët, një fiksim i hershëm gjatë zhvillimin të tij psikik në fëmijëri.  

Dhe ashtu, me urrejtjen në gjak e në shpirt, ai do ta mbyllë karrierën si njeriu më i urryer i të gjithë historisë shqiptare. Ai nuk do të quhet as piktori, as kryetari, as kryeministri, as shtetari. Ai do të quhet Maskarai.  Por si do të ikë dhe ku do të përfundojë ky njeri?

Nuk dua të ngarkoj me përgjegjësi askënd, por mendoj se Diaspora Shqiptare ka detyrimin të reagojë. 15 anëtarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës duhet të kenë moralin të dalin e deklarojnë qëndrimin e tyre për shqyerjen kafshërore të Teatrit.

E pakta është një dorëheqje kolektive për t’i thënë shtetit policor shqiptar se nuk mund të bashkëpunojnë me qeverinë kriminale që dhunon artistë e qytetarë që mbrojnë historinë, kulturën dhe kujtimet e tyre.

Është në moralin e Këshillit të Diasporës dhe detyrimin e tyre kombëtar të organizojnë bashkëatdhetarët nëpër botë të rrëzojnë qeverinë totalitare.

Mërgata shqiptare gjatë diktaturës u luftua e u përndoq nga regjimi më i egër i kohërave, por nuk u dorëzua të bashkëpunonte kundër diktatorit për lirinë dhe demokracinë e mëmëdheut.

Ditët e sotme Diaspora ka mjete dhe mundësira më të mëdha të shporrë një satrap të çmendur, të dobët politikisht dhe frikacak.

Edi Rama është sot i dobët, aq i dobët sa edhe të vetët që mban pranë e urrejnë.

Por sot njeriu më i urryer i shqiptarëve po gëzon 17 Majin si një derr i panginjur!

Po nesër? Të mos presim deri nesër që t’ia tregojmë vendin!