Teatrin e shembi klasa politike bashkë me ne të gjithë - Nga Taulant Dedja
Bëj pjesë tek ata që besojnë që Teatrin e shembi klasa politike, e cila ditën bën sikur zihet e natën ndan lekët nga bizneset e përbashkët të ndërtuar e konsoliduar prej shumë vitesh.
Por historia ka treguar që faji është jo vetëm individual, por edhe kolektiv.
Kujtoj që, qysh nga nata e pazarit Nano-Rama-Meta e fundit të Korrikut 2000, kur u vendos kandidimi i Kryebarbarit në postin e kryebashkiakut të kryeqytetit, ka plot 20 vjet që realizohet plani i shfytëzimit për interesa biznesi të të gjitha hapësirave të mundshme për ndërtim të Tiranës zbatimi i të cilit, me ndihmën e opozitës së sotme kur ishte në pushtet nuk u ndërpre asnjë sekondë në 20 vjet.
Kujtoj që dominimi pa kufij dhe nënshtrimi i gjithë institucioneve nga Kryebarbari i sotëm e ka burimin te marrëveshja e arritur edhe ajo natën, diku në fillim të vitit 2008, për përdhosjen e Kushtetutës dhe vendosjen e sistemit proporcional që i ktheu kryetarët e partive në zotër të gjithpushtetshëm.
Kujtoj që kreu i opozitës së sotme ishte 4 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nuk di qoftë edhe një perpjekje nga ana e tij për frenimin apo ndalimin e mëtejshëm të kullëzimit me beton të kryeqytetit.
Një pjesë e jona sot fajëson ambasadorët të cilët kanë kohë që dëshmojnë se reagimi i tyre bëhet me dy standarde, por ambasadorët shkojnë e vijnë prej 30 vjetësh e për fat të keq, me kontributin e ne të gjithëve pisllëku i politikës shqiptare vazhdon të mbetet po aty.
Le ta shohim "vijën e kuqe" tani sikurse e pamë mbi cilët trupa kaluan fadromat!
Nuk ka asnjë justifikim për cilindo politikan apo shtetar aktiv. Të tërë janë pjesë e tepsisë së ndyrë të korrupsionit.
Nuk kam më asnjë iluzion për asnjë nga politikanët e sotëm. I njëjti soj birbosh janë të gjithë.
Mazhorancat do ndërrohen, por oligarkia tashmë është e konsoliduar për të zezën e Shqipërisë.
Ndaj dhe sot më shumë se kurrë është aktuale shprehja, “çdo popull e meriton qeverinë dhe klasën politike që e sundon”.
Shembja e Teatrit është simboli "par excellence" i fajit tonë kolektiv!
Me shumë dhimbje therëse e them se nuk ndihem fare krenar që jam shqiptar!
Më mirë se kurdoherë tjetër tani e kuptoj gulçimën e shpirtit të zhgënjyer të Konicës apo Gjergj Fishtës!
Më falni miq që mendoni si unë, që s'munda të bëj dot më shumë dikur!
©Taulant Dedja












