Kolumnist

Fëmijët po vrasin veten. Thirrje për strategji parandalimi

Nga: JETA DEDJA

Ata që nëpër fushata zgjedhore quhen si e ardhmja e vendit, po vrasin veten, dhe shteti nuk ka ndërmarrë asnjë fushatë për mbrojtjen e jetës. Nuk dua ti numëroj rastet e vetvrasjeve të fundit në Shqipëri, por dua të sjell në vëmendje moshën e tyre. Bëhet fjalë për të rinj 14 vjeçarë, 16 vjeçarë, 17 vjeçarë që varin ose helmojnë veten. Çështjet e tyre mbyllen sapo u hidhet grushti me dhé, një lajm në media dhe aq. Vetëm dhimbja e familjes mbetet. Ndërkohë qeveria nuk di të ketë ndërmarrë ndonjë fushatë, dhe as Ministria e Arsimit nuk ka shpalosur ndonjë strategji për parandalimin e vetëvrasjeve, edhe pse me ligj janë angazhuar që t’i sigurojnë fëmijëve mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm për mirëqenien e tyre. Vendet e tjera, ndaj të cilave shtetarët tanë preferojnë t’u referohen gjatë gjithë kohës, prej kohësh i kanë zbatuar këto masa.

Ndërsa në Shqipëri veç trumbetohet gjithandej se sa shumë punojnë të gjithë për gjithçka. Ministritë me vrull, organizatat me zell, të gjithë në merak. Por meraku i tyre vetëm në studime false lexohet ose në emisione televizive. Gjithçka fasadë, spektakël për audiencë apo donatorë më shumë.

Dhe vjen një ditë, kur adoleshentja e gjimnazit privat me emër shkrimtari e atdhetari apo nxënësi i klasës së 9-të në një fshat të Korçës, i japin fund jetës. Studiuesit thonë se vetëvrasja nuk vjen papritmas. Ajo vjen gjithmonë e paralajmëruar. Nxënësi flet për vdekjen sa herë ti jepet rasti. Ai pyet, konstaton, tregon raste. I ka ndodhur një ngjarje e rëndë në aspektin emocional, mund të jetë ndarë nga i dashuri/e dashura, mund të jenë zënë prindërit, mund ti ketë vdekur dikush i afërt. Ai shfaq ndryshime të dukshme në sjellje. Nuk përqëndrohet më, nuk bën detyra. Ndryshime në personalitet. Tërhiqet, rri vetëm, shfaq ankth, irritohet lehtë, rri i trishtuar, nuk shfaq interes për asgjë.  Shfaq sjellje shkatërruese duke dëmtuar veten ose të tjerët. I bie vetë-vlerësimi i duket sikur mungesat apo mosaktivizimi i tij në klasë nuk do ti bënin përshtypje askujt. Drejtuesit e shkollës nëse i vlerësojnë me seriozitet shfaqjet e sjelljes së nxënësve, mund të parandalojnë, dhe nuk do kenë nevojë të vrapojnë për të larë duart si Ponc Pilati. “Mjerë ai që ikën”- thotë populli ynë, se vetëvrasja qenka i vetmi krim ku askush nuk mban përgjegjësi. Në fakt autori është vetë viktima, por siç tha dhe kryeministri Edi Rama në një prononcim para disa ditësh “frymëzuesit e një krimi janë ata që duhet të ndëshkohen”. Megjithatë rastet e vetëvrasjeve arkivohen me shënimin vrasje e vetes në kushtet e depresionit. E atij depresioni të padiagnostikuar ndonjëherë nga ekspertët e fushës, por të hamendësuar nga komshinjtë apo punonjësit e policisë të çështjes. Me kaq mbyllet gjithçka!

A mbyllet vërtet? Nuk besoj. Diku në një shkollë tjetër një nxënës trajtohet me cinizëm të pafré nga drejtues dhe prindërit e marrin me sportivitet dhe nuk reagojnë më tepër se me një status në facebook. A mund të përbëjë shkolla burim “frymëzimi” për vetëvrasje? Mundet.

E më tej, pasi vetëvrasja raportohet fije e për pé në media, një adoleshent tjetër diku kryen të njëjtin akt. Thuhet se media ndikon në shtimin e rasteve, për shkak të imitimit. A është media burim frymëzimi në këtë rast? Sigurisht për sa kohë autoriteti i mbikëqyrjes të etikës në media nuk ka hartuar ndonjë manual apo guidë rreth raportimit të çështjeve sensitive, ose nëse ka hartuar nuk ndërmerr sanksione për moszbatim rigoroz. 

Po politika a i ka shtyrë fëmijët drejt nënvlerësimit të jetës së tyre? Shumëkush do thoshte po, madje drejt saj do drejtoheshin gishtat si burim demoralizimi dhe demotivimi shoqëror.

Ndërsa familja e shoqëria e frikësuar nga lajmet alarmante nxiton të vetë-kurohet sapo konstaton një gjendje trishtimi apo mërzie normale te fëmija, duke ndikuar në rritjen e shitjeve të anti-depresantëve e duke krijuar artificialisht depresion.

Në këto kushte arrijmë në statistikat zyrtare të INSTAT sipas të cilit, vetëvrasja, si shkak i vdekjes së njerëzve në Shqipëri renditet e treta pas shkaqeve natyrale dhe aksidenteve rrugore. Që prej 2015 shihet prirja në rritje e numrit të vetëvrasjeve, pa llogaritur tentativat që janë më të larta sesa vetëvrasjet.

Prandaj, mua më duket se është urgjente marrja e masave për mbrojtjen e jetës. E pakta që mund të ofrohet nga shteti si hap fillestar është krijimi i një linje pa pagesë për këshillim të rasteve në rrezik. E dyta, hartimi i strategjive parandaluese për shkollat. Do ti lutesha që këtë linjë të mos ua besonin shoqatave hiena të fondeve dhe me ekspertizë vetëm për tryeza të rrumbullakta me praninë e kamerave, siç kanë bërë me linjën për abuzimet me fëmijët, por t’ua besojnë institucioneve shëndetësore shtetërore.  Pasi disa shoqata përveç se në letra projektesh, hallet e fëmijëve as me veshë nuk i dëgjojnë. Bëra një herë një eksperiment me studentët e mi duke i rënë numrit të telefonit të një shoqate që supozohej të ofronte këshillim për fëmijë. Mesa duket ishin në pushimin e drekës dhe nuk u përgjigj njeri.

Prandaj them se të paktën shteti sa u përket çështjeve të ndihmës së parë psikologjike ndaj fëmijëve ti përqëndrojë përgjegjësitë e kompetencat në organe shtetërore ose të forcojë kriteret e liçensimit dhe supervizimet ndaj shoqatave.

Le t’ua shpëtojmë jetën fëmijëve dhe adoleshentëve, se për t’ua zbukuruar, tentativat dhe vetëvrasjet e tyre tregojnë që s’e kemi bërë.

 

 

Tagged under Jeta Dedja