Kolumnist

Teatri, argumenti i pisit për të bërë pis të tjerët - Nga Artan Fuga

Teatri,

pa hipokrizi,

pa rrena,

kundër barbarëve,

jo si pretekst,

i papronësuar nga askush,

i pambrojtur,

tradhëtuar,

i lirë për t'u dashur ose neveritur si arkitekturë,

përtej shijeve estetike të diktatorit qesharak,

drama e vetvetes në vite,

i torturuari nga të gjitha qeveritë dhe bashkitë,

i pazëvendësueshmi,

i palëvizshmi,

i kërkuari me sy përgjithë jetën,

plaga e memorjes urbane,

aktakuza për të gjithë ne që kemi një diplomë në xhep,

i patjetërsueshëm nga asnjë kauzë,

turpi i të gjithë aktorëve, regjizorëve, zorraxhinjve,

i kuintave, prapaskenave,

intrigave,

burimi i parave për mijra mustaqellinj, mjekrraxhinj,

ju dhjefsha mjekrrat dhe mustaqet,

i paindetifikueshmi me të për të shëruar krizën e anonimitetit,

monumenti pasqyrë ku injoranti shihte veten qartë,

i mbetur bosh pas vdekjes së të Mëdhenjve,

ku nuk flitej më shqipja monumentale, por kuisnin konet e vogla,

Teatër pa teatër,

kumbim bosh i një të shkuare që mahniste me madhështinë e saj,

fabrika e roleve dhe nxjerrësi i kallajit të aktrimit politik,

i keqpërdoruri,

belaja për politikën,

argumenti i pisit për të bërë pis të tjerët,

i paprekshmi,

i pambrojtshmi,

boshësia absolute,

mërzia e ditëve në një qytet të idiotëve,

budallenjve, që jemi ne,

faji i të gjitha fajeve,

lakmuesi i të gjitha idiotizmave vetëmburrëse,

varri i heronjve të paqënë,

humnera e personalitetit tonë prej legenash,

i paharruari,

i parindërtueshmi, ndërtoni mbi të jo kulla tani,

por edhe varreza,

aerodrome ushtarakë,

ndërtesën e delegacionit saharian,

zhgarravisni të gjitha ligjet, kundraligjet dhe peticionet,

ndërtoni xhamitë, kishat dhe teqetë e botës,

kurbani i së keqes,

i pandotshmi,

i vogli madhështor,

Kush të meritonte ty nga ne?

Në fund e bëre shërbimin tënd:

na detyrove të luanim komedinë tonë para syve të tu që ulën qerpikët me turpin për ne!

Te goditëm me grushte fadromash!

Na kishe ledhatuar në dekada dhe rrahur me shuplakat e prindit,

që i do me nostalgji,

Luajte tragjedinë tonë reale,

sekondën tënde të fundit,

si për të na hapur sytë,

kur ike në pluhurin e harresës,

të historisë,

duke mbyllur sytë e tu të bukur,

të goditëm e thyem hundën e bukur,

të përgjakëm, dhembët t'i thyem,

kishim dashuri të urrejtshme për ty sepse ishim shumë poshtë teje,

e pabashkëmatshme tharja jonë në shpirt me madhështinë e frymës tënde,

shoqëri e tallavasë ne, e lajmeve me rrena, e kllounëve vetëmburracakë,

donim teatër ne të mosqënët,

ne arixhinjtë e ardhur në një qytet të boshatisur nga zotërinjtë,

ne: tallavatë, arti ynë shkon deri te kamera e fshehtë,

nën sjellavjelljen e thirrmave të deputetëve maskarenj!

Sunduar nga personazhet më negativë që na kishe zbuluar,

dalë nga dera, çatia, oxhaku yt,

derdhur në zyra tenderash dhe sallone pritjeje,

ne që donim të të mbronin të huajt,

thërrisnim fqinjët të mbronim atin që vetë ne rrihnim për vdekje,

Plaga e plagëve që e mohuam brenda një nate!

Qajmë gjoja plagët tona që na bënë policët,

fajësojmë policët që janë mëkatarët e fundit të mëkatit të pashlyeshëm të gjithë një shoqërie,

qajmë dhimbjet tona të paqëna,

i dhimbshuri,

i dhënshmi në dekada për njëzet lekë,

aristokrati,

ku luanim ëndërrat tona me mbretër, kalorës, zonja pylli,

Ik madhështor!

Nuk të meritonim!

©Artan Fuga