Kolumnist

Serbia, i vetmi instrument gjeopolitik i Rusisë për Ballkanin - Nga Shaban Murati

Pandemia e Koronavirusit me hartën shumëngjyrëshe të ndihmave të shteteve të mëdha drejt Ballkanit Perëndimor krijoi një shqetësim të ri gjeopolitik në disa qarqe të diplomacisë dhe të analitikës europiane për ndryshimet e mundshme të orientimit strategjik të vendeve të këtij mikrorajoni.

Shqetësimi u fokusua në perspektivën e një rritje të ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor për shkak të shpejtësisë me të cilën Kina dërgoi ndihma mjekësore për Serbinë. Këtë shqetësim e nxiti më shumë shfaqja teatrale diplomatike e presidentit të Serbisë, A. Vuçiç, i cili kur erdhi avioni i parë me ndihma nga Kina doli personalisht në aeroport, puthi flamurin kinez, mbushi Beogradin me postera gjigante me fotot e presidentit kinez Xi Jinping, shoqëruar me dithirambin e Vuçiçit “Faleminderit vëllai Xi”!”, dhe njëkohësisht shpërtheu një histeri të paparë antieuropiane, duke u tallur me solidaritetin dhe me integrimin europian.

Presidenti serb dhe diplomacia serbe nuk shpërthyen rastësisht në këtë dashuri të beftë kineze. Është një veprim i kalkuluar për të devijuar vëmendjen e BE dhe të Perëndimit nga aleanca gjithnjë e më e ngushtë dhe nga dashuria e vetme strategjike serbe me Rusinë.

Pathosi i ri kinez i udhëheqjes serbe në kohën e pandemisë është alibia e re e Serbisë për të mbuluar të vërtetën e madhe të shtrëngimit gjithnjë e më të fortë të litarit rus në qafën e Beogradit. E kam theksuar disa herë se pandemia e koronavirusit nuk e ndryshon gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor.  Tre shtete të Ballkanit Perëndimor janë në NATO, Kosova de facto është shtet anëtar i NATO-s, e cila garanton sovranitetin, stabilitetin dhe kufijtë e Kosovës.

Federata boshnjako-kroate e Bosnjë-Hercegovinës është për anëtarësimin e vendit në NATO. Vetëm Serbia dhe pioni i saj e ashtuquajtura “Serpska Republika” janë kundër integrimit atlantik. Me një fjalë, përgjithësisht Ballkani Perëndimor gjeopolitikisht është i orientuar drejt integrimit euroatlantik dhe vetëm Serbia është e orientuar drejt integrimit rus.

Kjo ishte para pandemisë dhe kjo do të jetë edhe pas pandemisë. Shefi i politikës së Jashtme të BE, Joseph Borrell, në një fjalim me ambasadorët gjermanë në datën 25 Maj deklaroi se “Ne duhet të mbajmë qëllimin tonë për të sjellë Ballkanin Perëndimor në BE”. Por diplomacia e BE duhet të bëjë një profilizim të qartë midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, sepse Beogradi e ka timonin drejt një kryeqyteti tjetër dhe nuk është Kina që e pengon integrimin europian të Serbisë.

Serbia nuk mund të ketë integrim kinez dhe është dilemë falso të shtrosh këto ditë dilemën diplomatike se Serbia duhet të zgjedhë midis BE dhe Kinës. Sikundër ka qenë dhe është një dilemë falso ajo që Serbia duhet të zgjedhë midis BE dhe Rusisë. Serbia e ka bërë zgjedhjen e vet strategjike dhe gjeopolitike: as te BE dhe as te Pekini, por te integrimi me Rusinë.

Është naive të mendosh se ajo që po quhet “diplomacia kineze e maskave” në kohën e pandemisë do të shkaktojë përmbysje në Serbi dhe tani Serbia po shkon në Pekin. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse shinat e shtruara gjeopolitike e çojnë trenin shtetëror serb për në Moskë. Kam mendimin se as qeveria dhe as diplomacia kineze nuk e besojnë se presidenti serb dhe Serbia e kanë vërtet vëlla Pekinin.

Pse nuk mund të ketë integrim kinez të Serbisë?

Së pari, tradita historike diplomatike dhe e politikës së Jashtme të Serbisë është e lidhur ngushtësisht me Rusinë dhe jo me Kinën. Serbia i ka vendosur marrëdhëniet me Serbinë qysh kur kjo ishte principatë e Perandorisë Osmane në vitin 1838. Beogradi i ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kinën në vitin 1955, gjashtë vjet pas shpalljes së Kinës Popullore në vitin 1949 dhe gjashtë vjet më vonë se Shqipëria, e cila i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kinën qysh në vitin 1949. Ka qenë Rusia ajo që krijoi shtetin e pavarur serb në shekullin 19-të.

Ka qenë Rusia bashkë me Francën, që krijuan Jugosllavinë për t’i dhënë hapësira sundimi Serbisë. Në të dy luftërat botërore Serbia është rreshtuar me Rusinë cariste dhe komuniste. Në përplasjen e madhe midis Rusisë dhe Kinës për qendrën e lëvizjes komuniste ndërkombëtare në fund të viteve 50’ Serbia mori anën e Rusisë. Edhe në konfliktin e armatosur kufitar shtatëmujor midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës në lumin Usuri në vitin 1969, Serbia mori anën e Moskës.

Në planin gjeopolitik dhe strategjik Ballkani si gadishull dhe aq më pak gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë për Kinën, siç kanë për Rusinë, sepse përplasja gjeopolitike e Rusisë me Europën, që nisi në vitin 2014 në Ukrainë, vazhdon në Ballkan, dhe Serbia është i vetmi instrument gjeopolitik i Rusisë për Ballkanin. Ndaj edhe po ndodh çudia diplomatike që presidenti i Rusisë Vladimir Putin, i cili vitin e kaluar ishte për vizitë zyrtare në Serbi, njoftoi se do të vijë përsëri në vizitë zyrtare në Serbi në Tetor të këtij viti.

Së dyti, bashkëpunimi ushtarak është shtylla kurrizore e çdo lloj aleance gjeopolitike dhe strategjike dhe Rusia këtu dominon Serbinë më shumë se BE dhe Kina të marra së bashku. Rusia është furnizuesja kryesore e armatimeve të ushtrisë serbe, nga avionët gjuajtës e deri te raketat. Rusia ka një bazë ushtarake në Nish të Serbisë dhe përgatitet për të një bazë tjetër ushtarako-ajrore në Vojvodinë. Rusia zhvillon çdo vit manovra të përbashkëta ushtarake me forcat serbe në territorin e Serbisë. Serbia, është i vetmi shtet ballkanik dhe europian vëzhgues në Organizatën ushtarake CSTO, të drejtuar nga Rusia. Kina është munguese e plotë në këtë fushë strategjike në Serbi.

Së treti, në planin ekonomik vërtet Kina i ka dhënë një pozicion prioritar Serbisë në programin e saj të njohur “16+1” për ish-vendet komuniste të Europës Lindore, ku shtoi së fundmi edhe Greqinë, por pesha e Kinës është tepër modeste në ekonominë serbe. Ndërsa BE-së i takon 65 për qind e tregtisë së jashtme të Serbisë, Kinës i takon vetëm 5,8 për qind.

Serbia është i vetmi shtet ballkanik anëtar i organizatës ekonomike ruse “Unionit Ekonomik Euroaziatik” dhe kjo është tregues i qartë i orientimit të integrimit ekonomik me Rusinë dhe jo me Kinën. Nuk duhet harruar se orientimi gjeopolitik dhe strategjik nuk varet nga kreditë dhe borxhet, që Serbia ka marrë nga Kina në përmasa të mëdha. Kreditë dhe borxhet nuk janë elemente kryesore në planifikimet dhe në prirjet e orientimit gjeopolitik dhe strategjik.

Së katërti, interesi strategjik rajonal i politikës së jashtme të Serbisë është i lidhur në mënyrë të pandarë me Rusinë. Sepse ka qenë Rusia ajo që ka përkrahur me armë, me para dhe mercenarë politikën shoviniste të Millosheviçit kundër popujve jo serbë në katër agresionet e Serbisë kundër tyre në vitet 90’ të shekullit të kaluar. Ka qenë Rusia ajo që ka përkrahur interesat koloniale të Serbisë në ish-Jugosllavi dhe në Kosovë. Ka qenë Rusia dhe jo Kina pjesëmarrëse në konferencën e Dejtonit për ish-Jugosllavinë për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë dhe ku Serbia u shpërblye me territorin e “Serpska Republikës”.

Ka qenë Rusia dhe jo Kina, që mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën, ku përkrahu deri në fund gjenocidin serb në Kosovë. Ka qenë Rusia dhe jo Kina, anëtare e “Grupit të Kontaktit për Kosovën” dhe në bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ku u përpoq për statusin kolonial të Kosovës nën Serbi. Serbia ka vartësi strategjike nga veto e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, gjë që pakëson nevojën serbe për votën kineze.

Së pesti, integrimi i Serbisë me Rusinë ka kushtëzime bazike, që i mungojnë Kinës, dhe që përbëjnë emëruesin e përbashkët kulturor dhe psikomental. Rusia ka njëshmërinë e racës, origjinës, fesë, gjuhës dhe folklorit me Serbinë dhe kjo favorizon dominimin rus. Kisha Ortodokse Serbe, një faktor i madh influence dhe vendimmarrje gjeopolitike në Serbi, është e lidhur dhe e varur nga Kisha Ortodokse e Rusisë. Kjo vartësi fetare e Serbisë nga Rusia është rrethanë kushtëzuese e integrimit të Serbisë te Rusia, që i kundërvihet edhe integrimit europian, edhe integrimit kinez të Serbisë.

Unë nuk mund të them se Ballkani Perëndimor është jashtë një planifikimi të diplomacisë kineze për prani dhe veprimtari në Europë, pjesë e së cilës është Ballkani. Por unë mund të them se nëse ka një bast, që Kina e ka vënë te Serbia për Ballkanin Perëndimor, është i gabuar dhe me kosto në dëm të marrëdhënieve të Kinës me popujt e tjerë të rajonit. 

Qysh kur Kina nënshkroi me presidentin e Serbisë Boris Tadiç marrëveshjen e partneritetit strategjik në Pekin në 20 Gusht 2009, kam theksuar në një analizë me titull “Basti i gabuar ballkanik i Kinës”: “Kina po hyn në Ballkan me bastin të vënë te shteti më antiperëndimor dhe te shteti, që ka probleme e grindje me shumicën e shteteve të Ballkanit. Është një bast i gabuar ballkanik i Kinës”. Është një mendim, të cilit i pëmbahem edhe sot e kësaj dite, sepse Serbia gjatë kësaj periudhe vetëm farkëtoi aleancën strategjike me Rusinë dhe me interesat ruse në Ballkan. Vërtet presidenti i Serbisë Boris Tadiç shpalli në atë kohë katër shtyllat e politikës së jashtme të Serbisë: BE, Rusia, Kina dhe SHBA, por koha dëshmoi se shtyllat e tjera ishin rekuizitë teatrale dhe e vetmja shtyllë mbeti dhe do të jetë Rusia.

Zhurma artificiale, që është krijuar rreth një integrimi kinez të Serbisë në fakt synon të largojë vëmendjen nga largimi gjithnjë e më i madh i Serbisë prej integrimit europian dhe prej Europës. Serbia po tund kartën kineze si një presion i ri mbi BE, duke e shantazhuar se ajo ka alternativat lindore ruse dhe kineze, dhe prandaj BE duhet t’i bëjë lëshime në procesin e anëtarësimit dhe sidomos në orekset e saj ndaj Kosovës. Alibinë e integrimit kinez të Serbisë por përpiqen ta përdorin edhe disa qarqe filoruse dhe filoserbe në diplomacinë europiane, të cilët po punojnë që BE t’i bëjë lëshime strategjike Serbisë në rinisjen e dialogut Serbi-Kosovë.

Karta kineze e Serbisë është një lojë e komplikuar diplomatike dhe gjeopolitike, që kërkon të fshehë strategjinë dhe integrimin e vërtetë të Serbisë me Rusinë. Serbia nuk shkon në Pekin. Serbia nuk shkon as në Bruksel, pavarësisht se po zhvillon bisedimet e pranimit me BE, ku ajo do të futet si kalë Troje i Rusisë. Serbia shkon në Moskë dhe ajo po luan lojën ruse edhe me BE, edhe me Kinën./DITA